Nacionalizmi shqiptar në sanduiç!

00:18 / E premte, 18 Maj 2018

 

Nga BESIR BAJRAMI

I sulmuar dhe i shtypur nga të gjithë ata faktor që nuk e durojnë homogjenitetin kombëtar dhe vetidentifikimin kulturor, që nacionalizmi shqiptar tenton t’i arrij. Në njërën anë sulmohet e shtypet nga armiqtë, bashkëpuntorët e tyre brenda shqiptarëve, karrieristët, kriminelët ekonomik, mafiozët, konformistët, individualistët, fisnorët, lokalistët, krahinorët, inferiorët ndaj kulturave tjera dhe kozmopolitët e parakohshëm; e në anën tjetër nga globalizimi, interesat e ndryshme gjeostrategjike ndërkombëtare dhe ato fetare.

Copyright © Tal Istrefi
Si pasoj e të gjitha këtyre sulmeve, sot nacionalizmi shqiptar ka mbetur i pa përfaqësuar politikisht. Edhe pse një pjesë e vogël e shqiptarëve kanë qenë nacionalist, megjithatë dikur ishte (nacionalizmi) shtytësi kryesor i të gjitha proceseve politike, që nga krijimi i gjysëm shtetit shqiptar, deri te pavarësia gjysmake e Kosovës; e sot askush nuk shërbehet me të (nacionalizmin), përveç se kur tentohet të keqpërdoret emri i tij për konsum të brendshëm politik. Dy dekadat e fundit ishin fatale për të. U krijua përshtypja se shqiptarëve nuk u duhet nacionalizmi, tani kur pjesa më e madhe e tyre është çliruar nga dhuna e një pushtuesi. Përveç agjendes mediatike për ta poshtëruar atë (sepse ishte pengesë e interesave të ndryshme grupore karrieriste), ishte vet kultura individualiste, fisnore e krahinore e shqiptarëve që i ndihmoji këtij rezultati.
  • Keqkuptimet, keqinterpretimet dhe keqpërdorimet
Në opinionin publik shqiptar, fillimisht është paraqitur ndarja në mes patriotizmit dhe nacionalizmit, që duke e lavdruar njërën, të degradohet më lehtë tjetra, apo si një hap gradual drejt selektimit të nacionalizmit si një e keqe e përbashkët. Janë marr si shembull rastet ndërkombëtare kur kombet kanë reshqitur në ideologji totalisht të ndryshme nga nacionalizmi, si shovenizmi, fashizmi, hegjemonizmi, spastrimet etnike e gllabërimi i të tjerëve. Të gjitha këto i mvishen padrejtsisht nacionalizmit. Njerëzit e keqpërdorin edhe emrin e lirisë, madje edhe emrin e vet Zotit, kur në emër të tyre bëjnë luftra e gllabërime të territorive e popujve. Nuk është pergjegjes as liria e as Zoti, kur njerëzit e keqpërdorin emrin e tyre. Ashtu ka ndodhur edhe me emrin e nacionalizmit, që te shqiptarët është shumë fisnik dhe brenda kornizës së të drejtave të njeriut (si ajo e lëvizjes së lirë, apo mbrojtja nga diskriminimi etnik), të drejtave civile e politike individuale, të drejtave ndërkombëtare (si ajo e vetëvendosjes së popujve, e mbrojtjes së sovranitetit kombëtar) dhe të drejtës historike. Nacionalizmi shqiptar kërkon shtet-kombin e vet vetëm brenda kufijve të sotëm etnik. Nacionalizmi shqiptar na edukon për të njohur veten në mënyrë shkencore, na mëson që të njohim humbjet që kemi përjetuar si pasojë e mungesës së tij, por duke mos rrëshqitur në gllabërim të vendeve e popujve tjerë. Me ndihmen e nacionalizmit shqiptar vetëm se plotësohet mozaiku ndërkombëtar edhe me një komb tjetër funksional.
  • Dallimi në mes patriotizmit dhe nacionalizmit
Ka shumë shqiptar patriot, por shumë pak nacionalist. Patrioti del në pah në gjendje të jashtëzakonshme, ai flijohet, sakrifikon, arrijnë deri aty sa që ta sakrifikoj edhe jetën, flijohet për vlera morale bazike, për familje, për fis, për mbrojtjen fizike të krahinës dhe kombit të tij. Në anën tjetër, nacionalizmi është ide, ideologji, identifikim, identitet, kulturë, është subjekt unifikues i një kombi përreth vlerave bazike dhe unike të tij. Nëse patriotit nuk ja jep nacionalizmin si vlerë, ai nuk do të aktivizohet kur është kombi në rrezik, por vetëm kur rrezikohet shtëpia e tij, fisi i tij, krahina e tij, apo ajo pjesë e vlerave të tij që ai i njeh nga instiktet bazë dhe reagon në mënyrë patriotike vetëm në raport me to. Edhe pse patriotizmi dhe nacionalizmi e plotësojnë njëra-tjetrën, në rrethanat e shqiptarëve sot, nacionalizmi është shumë më i nevojshëm se sa vet patriotizmi, dhe jo anasjelltas.
  • Rëndësia e nacionalizmit për shtetndërtim
Përveç se në kohë lufte, nacionalizmi është i nevojshëm edhe në kohë paqe, veçanerisht gjatë shtetndërtimit. Është i nevojshëm për të homogjenizuar një popull që të arrij një qellim, të krijoj një organizim mbarëkombëtar, një sistem, pra një shtet; që të tejkaloj grupimet me të vogla të interesit, grupimet fisnore, krahinore, dallimet dhe inatet në mes qyteteve, katundeve, dallimet politike, ideologjike, madje edhe dallimet në mes vet individeve. Institucioni më i respektuar te shqiptarët tradicionalisht ka qenë familja; nëse vetëdija e shqiptarit do të ngritet nga niveli i familjes në nivelin e kombit, atëherë ai do ta ndjej kombin e tij si një familje, ai do të sillet me të ashtu si sillet me familjen e vet, pra nuk do të vjedh nga kombi i tij, do të respektohet hierarkija e do të punoj për zhvillimin dhe prosperimin e tij të gjithanshëm.
Kjo kulturë është e nevojshme deri sa të krijohet një sistem, një shtet ku do të respektohet ligji, dhe më pas, pikerisht ligji është ai që e mbron një individ edhe në qoftë se do të pushoj së qenuri nacionalist më tej, ashtu siç ndodh sot në shtetet perendimore. Shqiptarët nuk mund të individualizohen tani, apo të veprojnë të ndarë si fisnor e krahinor, qoftë edhe si kozmopilit, përderisa ende nuk e kanë kriju një shtet kombëtar funksional. Para një shekulli, shumica e kombeve europiane arritën të krijojnë shtetin komb të tyre. Këtë tendencë e patën edhe shqiptarët, por nuk kanë arrit të krijojnë shtet-kombin e plotë, sepse pjesa ma e madhe e shqiptarëve jeton jashtë shtetit shqiptar dhe vetëdija kombëtare mungon edhe vet brenda këtij shteti të gjysmuar, prandaj shqiptarët nuk mund të jenë në hap me kohën duke e tejkaluar këtë problem pa e zgjidhur atë.
Krijimi i një shteti tjetër nga shqiptarët, siç është rasti i Kosovës, është kompromis diplomatik në raport me rrethanat historike, por është një hap shumë i madh drejtë krijimit të shtetit-komb shqiptar. Nëse shteti i Kosovës do të vazhdoj t’i bëj hije shtetit shqiptar, e jo të bëhet pjesë e përbashkët e tij, atëherë do të shkaktoj edhe ndarje identitare në mes shqiptarëve dhe kjo nuk është e shëndetshme për një komb të vogël, të ndarë në shumë vende. Kjo ndarje vetëm se u jep më shumë hapësirë grupeve të caktuara të interesit (vendor dhe ndërkombëtarë), që angazhohen vetëm si të zhvatin resurset e këtij rajoni, madje edhe vet brenda shtetit të Kosovës, mungesa e nacionalizmit dhe identiteti familjar, fisnor e krahinor, i pa zhvilluar në identitet nacional, shkakton dukuritë si korrupsioni i lartë, haraçi, zhvatja, mungesa e respektimit të ligjit, etj.
Është vërejtur se haraçi dhe zhvatja pas luftës në Kosovë, nuk është dukuri brenda ish ushtarëve të UÇK-së, por vetëm drejtë atyre familjeve që nuk kanë patur anëtarë të familjes së ngushtë në UÇK. Edhe komunikimi më i vrazhdë ndërmjet politikanëve, më shumë bëhet në mes atyre që kanë qenë pjesë aktive e luftës, apo pjestarëve të UÇK-së në njërë anë, ndaj atyre që nuk kanë qenë pjesë e saj dhe anasjelltas. Edhe pse pjesa më e madhe e ish ushtarëve të UÇK-së më shumë kanë qenë patriot se sa nacionalist, sepse shumica e tyre e kanë pritur luftën te dera e shtëpisë për tu aktivuzuar (prandaj disa prej tyre vazhdojnë ta vjedhin shtetin për derën e shtëpisë së vet, ashtu siç e vjedhin shtetin ata që nuk u aktivizuan në luftë), por po të ishin shqiptarët më nacionalist, po të kontribonin të gjitha familjet shqiptare me të paktën nga një anëtarë të ngushtë në luftë, atëherë homogjeniteti do të ishte më i madh dhe këto dukuri negative si vjedhja e shtetit, haraçi e korrupsioni, do të ishin minimale, ashtu siç janë minimale brenda vet anëtarëve të UÇK-së, apo “brenda llojit”.
  • Nacionalizmi si nevojë e përkohshme
Ashtu si një individ që duhet të përqendrohet më shumë te vetja kur është i keqpërdorur dhe i shkatërruar nga të tjerët, kur është tepër i dhënë pas të tjerëve, apo kur ka nevojë ta shëroj veten, ashtu edhe një shoqëri e caktuar, një etni me kulturë e identitet kombëtar të përbashkët, apo një komb që është sulmuar për shkak të përkatësisë së tij kombëtare, ka nevojë që t’i rikthehet vetes, të shërohet, të përjetoj një katarsis kolektive, ta njoh veten dhe të organizohet për të ndërtuar një sistem, një shtet funksional. Pas këtij procesi, kur shoqërija do ta respektoj atë që vet e ndërton me vetëdije të plotë, atëherë nuk do të ketë nevojë për nacionalizëm, se individin do ta mbroj ligji, do ta mbroj po i njëjti sistem që është krijuar nga nacionalizmi, ashtu sikur sot ndodh në BE. Nuk mund të funksionoj një sistem i imponuar, por vetem ai që vet e ndërton me vetëdije të plotë kombëtare.
  • Gjermanija
Shembulli i Gjermanisë, përveç se ilustron rastin e keqpërdorimit të nacionalizmit, duke rrëshqitur në fashizëm e gllabërim të të tjerëve, është ilustrues edhe për anën tjetër të medaljes kur rimëkëmbja e Gjermanisë pas shkatërrimit të plotë që përjetoji në luftën e dytë botërore, u mundësua pikërisht nga vetëdija nacionale e gjermanëve, që e kishin paraprakisht të formësuar dhe sakrifikuan një gjeneratë e tërë si një komb, për të rindërtuar sistemin shtetëror, për të ndërtuar ekonominë. Nuk flas për sakrificë patriotike gjatë luftës, por sakrificë nacionaliste gjatë paqes, kur një gjeneratë e tërë është ushqyer vetëm me patate, për të forcuar shtetin, dhe për një kohë të shkurtër, afër gjysëm shekulli, sot janë bërë përsëri superfuqi botërore. Pra, gjermanët e kishin të formësuar vetëdijen e tyre kombëtare, madje për një periudhë dolën përtej saj, por kur u rikthyen ta rindërtojnë shtetin e tyre të shkatërruar, kur u pastruan nga devijimet si fashizmi dhe ideologjia për gllabërim, ata përsëri u kthyen në gjendjen bazike të tyre, që ishte thjeshtë nacionalizmi, ose vetëdija e tyrë kombëtare. Sot, nuk është me rëndësi nëse një gjerman nuk është më nacionalist, sepse atë e mbron sistemi, ligji, që u funksionalizua në periudhën nacionaliste të tyre, të shtetndërtimit të tyre, periudhë të cilën shqiptarët nuk e ndërtuan ende. Shembuj të ngjajshëm me atë të Gjermanisë, i kemi të gjitha shtetet e Europës qendrore dhe perendimore. Përfundimisht, mungesa e nacionalizmit te shqiptarët, është alfa dhe omega e shumicës së problemeve që vazhdon të përjetoj ky komb.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400