Pejani që nuk u tut kurrë. Zogu e dënoi me litar, por ja ç’bëri presioni ndërkombëtar

23:25 / E premte, 11 Gusht 2017

 

Ali Shefqet Shkupi është një nga ushtarakët shqiptarë dhe shok i afërt i Mustafa Qemal Ataturkut, kryetari i parë i Shtatmadhërisë Shqiptare të Qeverisë së Ismail Qemalit.

Ali Shefqeti ka lindur më 1883 në Shkup. Babain e ka pasur nga Peja. Pasi mbaroi shkollën fillore në Manastir, vazhdoi gjimnazin ushtarak në Selanik, pastaj kaloi në akademinë ushtarake të Stambollit. Pesë vjet rresht në një klasë, madje në një bankë me Mustafa Qemal Ataturkun. Kjo miqësi personale vazhdoi deri në fund. Që të dy, pasi u diplomuan kapiten Shtatmadhërie, më 1905 vazhduan shërbimin ushtarak e patriotik.

Ali Shefqeti më 1908 u gradua major dhe mori pjesë në aktivitete patriotike, demokratike, përparimtare. Më 1909 u bë komandant garnizoni i Selanikut, më 1910 u gjend në Stamboll. Siç dihet M. Q. Ataturku në ato vite shërbente në Rumeli dhe kishte lidhje me Ali Shefqet Shkupin. Ky i fundit para se të merrte pjesë në qeverinë e Ismail Qemalit është këshilluar nga M. Q. Ataturku, që përkrahte pavarësinë shqiptare.

Koloneli shtatmadhor Ali Shefqet Shkupi, në fillim të vitit 1913, emërohet kryetar i parë i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare. Këtë detyrë e kreu në kushtet e vështira të asaj kohe.

Më 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës, ku u hodhën italianët në det. Shtatmadhori Ali Shefqet Shkupi bashkëpunoi dhe me kolonelin shtatmadhor Selahadin Saip Shkoza, që ishte dërguar në Shqipëri prej M. Q. Ataturkut për të organizuar ushtrinë shqiptare.

Sikurse dihet, koloneli shqiptar prizrenas, Selahadin Saip Bej Shkoza, kishte marrë pjesë dhe në kongresin e Alfabetit të Manastirit më 1908. Selahadin Bej Shkoza, kur erdhi në Shqipëri me një delegacion prej 25 ushtarakësh, sipas porosisë së Ataturkut, u riatdhesua, u zgjodh deputet dhe shërbeu dy vjet si ministër i Mbrojtjes në Kabinetin e Iljaz Vrionit. Ishte koha kur grekët u kthyen në Anadoll nga M. Q. Ataturku.

Ushtaraku shtatmadhor, Ali Shefqet Shkupi, që mundi ta mbante ushtrinë jashtë politikës partiake, ishte edukuar me një edukatë ushtarake laike dhe qemaliste dhe nuk pajtohej me partitë feudale, reaksionare e sidomos zogiste. Pasi u rrëzua qeveria republikane e Fan Nolit, Ali Shefqet Shkupi u largua nga ushtria, por Ahmet Zogu deri më 1930 e mbajti si të internuar.

Zemra e mendja e Ali Shefqet Shkupit punonin për demokraci. Mori pjesë si pishtar i Lëvizjes së Fierit në gusht të 1935. Pasi dështoi operacioni antizogist, Ali Shefqet Shkupi dënohet me vdekje. Mirëpo presionet e opinionit botëror dhe shqiptar e shpëtoi Aliun nga litari. Më 1938 lirohet si ushtarak.

Kur pushtohet Shqipëria më 7 prill 1939, ditë e premte, nga Italia fashiste, Aliu merr pjesë në Ushtrinë e Rezistencës Kombëtare duke luftuar kundër armiqve pushtues. Gjermanët i dogjën shtëpinë dhe pasurinë e tundshme. Ndërroi jetë më 3 dhjetor 1953, në Shkodër. Djali i tij, Skënder Shkupi, ka qenë ambasador i Shqipërisë në Turqi.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400