Prof. Dr. Resmi Osmani: Shqiponja e Epirit

05:15 / E shtunë, 10 Dhjetor 2016

Pirrua(318-272 p. e.s),pas rrëzimit nga froni i të atit, mbretit Ajakid, pas intrigave maqedonase, (ishte dy vjeç) u rrit në oborrin e mbretit ilir të taulantëve, Glaukias, nën kujdesin e mbretëreshës Beroia e cila ishte princeshë molose. Deri në moshën dymbëdhjetë vjeçare ai u pais me edukatën, zakonet, traditat dhe shpirtin luftarak ilir dhe fliste ilirisht. Me ndihmën e Glaukut, në vitin 307 p.e.r., kur ishte dymbëdhjetë vjeç, ai u vendos në fronin e mbretërisë atërore, por pesë vjet më pas, kur shkoi në dasmën e djalit të Glaukut, me një grusht pallati u shfronësua dhe në fron hipi Neoptolemi, djali i Aleksandër Molosit. Për Pirron e ri, nisin vitet e vështira. Vihet si oficer në shërbim të kunatit, mbretit të Maqedonisë, i cili e dorëzon si peng te mbreti Ptoleme në Egjypt. Këtu, pasi rrëfen trimëri e mënçuri, martohet me thjeshtrën e Ptolemeut , Antigonën dhe me ndihmën e Ptolemeut, më 297 p.e.r. në moshën njëzet vjeçare rimerr fronin mbretëror, për të qenë njëzet e pesë vjet mbret i Epirit.

 

Pirrua, si edhe mbretërit e tjerë të kohës ishte një mbret luftëtar, që luftoi për pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të trashëguar, Epirit, të rrezikuar nga Maqedonia dhe fqinjët grekë, por i ndryshëm prej tyre, që veç të tjerash, lavdinë e kërkonte në fitoren e fushbetejave. Modeli dhe idhulli i tij ishte i kushëriri, Aleksandri i Madh. Trim, i mençur, i talentuar, guximtar, strateg dhe takticien ai luftoi dhe fitoi kundër mbretërve maqedonas dhe u shpall edhe mbret i Maqedonisë. Ushtarët e tij e quajtën “Shqiponja e Epirit”, ai u përgjegj se ishte ngritur aq lart në fluturim në sajë të krahëve të tyre. Epirotët e quajtën “Pirro Burri”. Ndryshe nga Aleksandri, që e kërkoi lavdinë në lindje, Pirrua i drejtoi sytë nga perndimi, u hodh në Gadishullin Italik, ku gjatë gjashtë viteve bëri beteja të përgjakshme.

 

Në fushatat e tij luftarake ai nuk humbi asnjë betejë. Edhe e famshmja që ka hyrë në histori si “Fitorja e Pirros”, pavarësisht nga humbjet njerzore e materiale, ishte një fitore. Për herë të parë, në teatrin evropian të luftimeve ai futi në luftë elefantët.

 

Nga historianët, nuk ka të dhëna që ai të ketë luftuar kundër mbretërve ilirë të kohës. Pas vdekjes së gruas së pare,  Antigonës nga tre martesa që bëri, me dy prej tyre u lidh në miqësi me mbretërite Ilire të Paionëve dheTaulantëve. Kjo nuk është pa domethënie.

 

Pirrua e fuqizoi dhe e zgjeroi shtetin e vet. Pas luftërave me Maqedoninë dhe grekët, ai i ktheu Epirit rajonet e banuara nga ilirët: Tymfein, Parauejin dhe Dolopinë, mori gjysmën e Maqedonisë dhe kufirin e vendosi në lumin Aksios(Vardar), i bashkoi mbretërisë së tij një pjesë të Tesalisë dhe Etolo-Akarnaninë. Kufiri i qëndrueshëm i shtetit të Epirit ishte: Në veri krahu i majtë i Vjosës, në perëndim gjithë bregdeti jonian, në jug gjiri i Ambrakisë dhe Etolo-Akarnania, malet e Pindit e ndanin nga Maqedonia.

 

Pirron, veç trimërisë e karakterizonte edhe fisnikëria, bujaria dhe burrëria në trajtimin e kundërshtarit. Është i njohur rasti, kur pas betejës me romakët ai zuri robër shumë legjionarë. Konsulli romak për lirimin e tyre vuri në dispozicion shumë flori, por Pirrua i tha se ‘ne nuk luftojmë për flori, se luftën e bëjmë me hekur,  me trimëri zemër dhe krahët tanë’! Dhe i liroi pa shpërblesë 1800 robërit dhe varrosi me nderime të rënët. Këtë rast human, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, në vitin 1952, e mori si shembull që duhet ndjekur edhe sot e kësaj dite nga fuqitë ndërluftuese. Historiani i lashtësisë (Plutarku) na thotë se mbreti Pirro ishte edhe teoricien ushtarak, se ai kishte shkruar disa traktate për strategjinë dhe taktikën luftarake, por që me kalimin e shekujve kjo trashëgimi ka humbur.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400