Qyteti në Shqipëri i populluar nga shqiptarët e Kosovës

15:07 / E martë, 06 Mars 2018

 

Gjatë pushtimeve të njëpasnjëshme, trojet arbërore kanë njohur largime dhe ardhje masive, herë si pasojë e një pushtuesi, herë si pasojë e një tjetri. Karakteristikë të tillë ka pasur edhe pushtimi i stërgjatë prej 500 vjetësh nga Perandoria Osmane.

Gjatë kësaj periudhe, si kemi shkruar edhe më parë, një pjesë e banorëve të trojeve arbërore janë larguar drejt Evropës Perendimore, ndërsa të tjerë drejt asaj lindore. Por gjithësesi kjo nuk do të thotë se ato troje u shpopulluan.

Disa nga hapsirat e lira u zunë nga të tjerë popuj duke krijuar pakica etnike, ndërsa disa të tjera u shfaqën si vendbanim më i volitshëm për banorët që jetonin në skajet e vendit. Një prej këtyre vendeve, sipas historianit dhe shkrimtarit Dom Ndoc Nikaj, ishte edhe Mirdita.

Legjenda për Mirditën, tashmë të njohur, e botuar në “Doke e Zakone Shqiptare” të mbledhura nga Atë Donat Kurti (Botim Françeskan) thotë se ishin tre vëllezër dhe i ati, pasi i ndau krahinat ku ai sundonte, u vendos para dy objekte: Një shalë dhe një shoshë. Vëllai i madh merr shalën dhe krahina e tij do të merrte emrin Shalë. Vëllai tjetër merr shoshën dhe krahina e tij do të merrte emrin Shoshë. Ndërsa për vëllain e vogël nuk mbetet asgjë, prandaj ai thotë “E mirë dita kjoft për mue!” e kështu, krahina ku ai shkon merr emrin Mirditë.

Por, përtej legjendës, popullimi masiv i Mirditës ndodh në vitin 1432. Ishte pikërisht ai vit kur Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut vdes dhe rajonet që ishin nën sundimin e tij, sipas “Histori e Shqypnis” e Dom Ndoc Nikës, i marrin osmanët. Bashkë me to vijnë nga Gjakova edhe një grup njerëzish të cilët vendosen në Mirditë.

Ai e vërteton këtë duke paraqitur një shkrim të gjetur në shtëpinë e Prenk Bibdodës i cili ishte princ i Mirditës. Shkrimi është një dokument i lëshuar nga Kadiu i Zadrimës i cili lejon prijësin e mirditasve të zënë vend në atë territor ku akoma edhe sot janë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400