“Sa pak e njohim Beratin?!” – nga Marin Mema

17:44 / E hëne, 26 Shkurt 2018

Nga: Marin Mema

Pavarësisht se Berati bën pjesë në listën e vlerave botërore të UNESCO-s, gërmimet e fundit arkeologjike ai i ka prekur as më shumë e as më pak , por plot 45 vite më parë. Në atë kohë kërkimet u drejtuan nga arkeologia e ndjerë Hëna Spahiu e cila bëri një punë të shkëlqyer për të evidentuar pasuritë e këtij qyteti të lashtë. Gërmimet sollën në dritë zbulime të shumta arkeologjike, që mundën të hedhin dritë mbi një pjesë të historisë së kësaj qëndrore kaq të rëndësishme.

Jeta në Berat mendohet të ketë nisur që para periudhës së bronzit siç tregojnë dy çekanë të gurtë që ka dhuruar nëntoka. Zhvillimin më të madh sipas arkeologëve e ka marrë që prej të paktën shekullit të V e të IV para erës sonë. Qeramikat, monedhat e ndryshme e mjaft objekte të tjera flasin për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, e mjaft dinamik.

Në periudha të mjegullta historike Berati ka kaluar vështirësitë e tij. Historiani romak Tit Livi pohon se qyteti është shkrumbuar përgjatë vitit 200 para erës sonë gjatë periudhës së luftrave iliro- romako-maqedone. Megjithatë ndryshe nga ç’nënkupton autori, qyteti nuk ka heshtur, përkundrazi gërmimet e Hëna Spahiut treguan se Berati ka vijuar të jetohet dendur nga popullësia ilire.

Blloqet më të hershme të mureve të zbuluara i përkasin ilirëve, ndërsa qeramikat janë të llojeve dhe periudhave të ndryshme. Përgjatë fushatës arkeologjike u zbuluan edhe disa vendprehje të cilat natyrshëm i përkasin banorëve të vjetër të këtij vendi. Ajo që mund të thuhet me siguri është se pjesa e mureve mesjetare që janë sot më të dukshëm, ndjekin konturet e mëhershme ilire.

Kalaja e Beratit ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e kalimtarëve e hulumtuesve të ndryshëm siç janë udhëpërshkruesi osman Evlija Celebi, konsulli François Pouqueville, ushtaraku dhe studiuesi britanik Martin Leake, arkeologu Leon Rei e sa e sa të tjerë, por askush nuk ka bërë në atë kohë një studim të mirëfilltë e të hollësishëm. I pari i takon pikërisht gërmimeve të Hëna Spahiut që për fat të keq mbeten të fundit serioze të kryera në këtë qytet, me të cilin mburremi kaq shumë, por e njohim kaq pak për vlerat e jashtëzakonshme që ka.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400