Shikoni transportin publik të shqiptarëve në 1930-n

16:59 / E martë, 13 Dhjetor 2016

Transporti automobilistik në Shqipëri vitet ‘20-‘30 të shekullit te kaluar ka qenë tepër i vështirë. Mjaft të mendosh se dhe sot vende-vende është një tmerr udhëtimi, për të imagjinuar se si ka qenë atëherë, ku njeriu duket sikur ka qenë prej hekuri e jo mishi e gjaku.

Dhe ndër agjencitë më të dëgjuara të kohës sa i përket jugut, ishte ajo që funksiononte në Përmet, e themeluar nga vëllezërit Hotova, e që mbulonte pikërisht këto rrugë. Mjetet e para të këtij transporti, që ishin kamionë dhe autobuzë kanë ardhur nga SHBA. Në mjediset e biznesit të tij në Durrës, Lluka Prifti ruan 2 foto që i përkasin një veture dhe autobusi të transportit të mallrave dhe udhëtarëve të asaj periudhe. Ai flet edhe për zhvillimet që mori kjo agjenci me kalimin e kohës, duke mbuluar me transport një rrjet qytetesh të rëndësishme të asaj periudhe. Lluka, i cili është pinjoll i njërit prej 5 vëllezërve Hotova, thotë se xhaxhai i madh i tij, Dhimo Hotova ka qenë disa herë në Amerikë.

“Në vitet 1929-1933 kur ishte dhe kriza e madhe ekonomike botërore, ai ndodhej atje. Dhimo ishte shumë punëtor dhe shumë i aftë. Ai solli nga Amerika disa makineri të pamontuara, vetëm pjesët motorike dhe shasitë. Makinat e para ishin të markave Shevrolet, Uhad, Indiana. Ato u shkarkuan në Sarandë dhe prej andej u transportuan në Përmet. Xhaxhai i vogël, Foti Hotova ishte një mekanik i klasit të parë. Ai kishte qënë edhe në Egjipt, atje ku kishte marrë zanatin. Ai i montoi të gjitha pjesët e mjeteve dhe i vuri në punë. Nga pjesët që erdhën ai ngriti edhe 3 autobusë, me të cilat kryheshin udhëtime nga Përmeti në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Durrës dhe Korçë”, rrëfen Lluka. Agjensia sipas tij u themelua në vitin 1934 me qendër në Përmet. “Gradualisht numri i makinave arriti në 12. Me këtë fuqi mjetesh motorrike u kontribua edhe për ngritjen e mëvonshme të kazermave ushtarake të qytetit”, thotë pasardhësi i një prej vëllezërve Hotova, atyre që ngritën një ndër agjencitë e para të transportit nën Shqipëri.

unnamed-2-1_1481547483-55759811481560853

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400