Si përfundoi në Gjermani busti i Enver Hoxhës për të ngritur atje një tjetër monument

13:57 / E mërkure, 21 Shkurt 2018

 

27 vjet pas rënies së bustit të diktatorit, ndoshta të paktë janë ata që mund të mendojnë se çfarë ndodhi më pas me fatin e monumentit. Ndoshta po kaq të paktë janë ata që mund të dinë të vërtetën e statujës së derdhur në bronz, që me zvarritjen e saj nga sheshi qendror i Tiranës i dha fund një kohe dhe një sistemi, që tronditi jo vetëm Shqipërinë.

Bronzi i statujës së Enver Hoxhës shkoi në Gjermani. Për ironi të fatit apo për të shkrirë çdo gjurmë të së shkuarës që lidhej me figurën e tij, me bronzin e këtij monumenti në qytetin e bukur studentor të Göttingen-it do të ngrihej një statujë tjetër, ajo e shkencëtarit dhe filozofit gjerman të viteve 1700 Georg Christoph Lichtenberg.

      

Tashmë bronzi i diktatorit, u derdh në trupin e një humanisti, shkruan Opinion.al.

Historia nis në vitin 1992, kur botuesi i Göttingenit Tete Böttger, mendoi që me rastin e 250-vjetorit të lindjes së filozofit të famshëm të ngrinte një statujë në nder të tij.

Georg Christoph Lichtenberg, fizikan, satirist dhe shkrimtar gjerman u lind në vitin 1742 dhe u nda nga jeta në vitin 1799. Ai ishte pjesë e rretheve intelektuale të kohës dhe mik i afërt i Gëtes dhe Kantit.

Në kërkim të konkretizimit të idesë, botuesi takon në Tiranë skulptorin Fuat Dushku, i cili përveçse i merr përsipër konkretizimin e projektit, i ofron atij për shitje edhe lëndën e parë.

Pikërisht bronzin e statujës së diktatorit dhe akoma më shumë. Edhe bronzin e statujës së Leninit e Stalinit, që tashmë nuk mundej kurrsesi të gjenin vend në Tiranën, ku prej kohësh kishte nisur te frynte një tjetër erë.

Skulptura e Fuat Dushkut me bronzin e shkrirë të tre diktatorëve, nuk ishte më një njeri i fortë e me muskuj, që duhej të tregonte pushtetin e tij edhe përmes imazhit, por ishte një shkencëtar dinjitoz, që në dorë mbante një top të artë, me shenjat + dhe – që simbolizojnë shenjat bipolare të elektricitetit, një prej studimeve të njohura të shkencëtarit të madh.

Busti, me një lartësi prej 150 centimetrash është vendosur në cepin verilindor të sheshit të vjetër të qytetit të Göttingen-it dhe është kthyer në objekt vizitash për turistët.

                 

 

Lidhur me këtë punë, vite më pas skulptori shqiptar do të shprehej:

“Që kryengritësit të mos prodhonin me të topa, bronzi i përmendores së shkulur të Diktatorit u vendos t’i shitet të parit ofrues, një reshperi gjerman.

E desh edhe ky për përmendore: ironikisht, për një antipod të Diktatorit shqiptar: për të çuditshmin, antikonvencionalin shkencëtar-shkrimtar gjerman të shtatëqindës, Georg Christoph Lichtenberg.

E kreva unë, Fuat Dushku, skulptor, njëri nga bashkëautorët e Heroinave të Mirditës, shkulur edhe ato për t’i shitur bronzin”.

 

            

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400