Skënderbej Cërnojeviçi, Shqiptaro-malazezi, historia e një kryetari shteti

15:17 / E premte, 10 Nëntor 2017

 

Ylli Polovina është autor i tre librave për Gjergj Kastriotin dhe pasardhësit e tij. Të parin, “Gjysma e harruar e Skënderbeut” e publikoi në 2008, të dytin, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, në 2012 dhe të tretin “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur”, në 2013. Janë mbi nëntëqind faqe të botuara.

Shtyrë prej interesimit të medias dhe lexuesve për raportet e Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të familjes së tij me sllavët, autori ndërtoi, duke iu referuar saktësisht tre botimeve të veta, këtë lëndë për lexuesit e “Shqiptarja.com”.

“Vajza e dytë, Vojsava”, e vijon më tej testamentin e tij princi i Beratit, Gjon Muzaka, “pat për burrë Ivan Çërnojeviçin, Zotin e Malit të Zi dhe të Cetinës. Prej tyre lindën dy fëmijë: i pari u quajt Gjergj, i dyti u thirr Skënderbeg. Gjergji u martua dhe pati dy djem e tri vajza.

I pari nga djemtë quhej Solomon, ndërsa i dyti Kostandin.

Solomoni vdiq, kurse Kostandini u martua në Venecia.

Ndërsa dy nga vajzat u martuan në Hungari dhe e treta në Venecia.

Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”.

Siç e bën të ditur Gjon Muzaka që një gjysmë mijëvjeçari më parë, por që shqiptarët për po aq kohë, pesë shekuj, as që e dinë dhe as u ka rënë në vesh, ka ekzistuar edhe një Skënderbej tjetër, njëfarësoj nip si edhe i biri i mohuar i Gjon Kastriotit.

Në të vërtetë kur lindi ai u pagëzua me emrin Stanisha (Stanko shkurtimisht). Gjyshi i tij Stefan Cernojeviçi qe martuar me të motrën e madhe të Skënderbeut, Marien. Kështu i biri i princit malazez, lordi Ivan, i cili u martua me vajzën e dytë të Gjergj Arianitit dhe të një Marieje tjetër, bijë Muzake, kur lindi dhe jetoi ishte një bashkim i fisit sllav Cërnojeviç dhe i tre familjeve arbërore: Kastrioti, Arianiti dhe Muzaka.

I biri i tij me emrin Stanisha qe po ashtu përzierje gjenetike e këtyre katër “gjaqeve”, por këtë rast të tretë edhe dy herë më shumë Arianit. Ndërsa i ati Stefan ishte martuar me arianitasen Marie, i biri Ivan pati lidhur kurorë me mbesën e saj, Vojsavën.

Pikërisht ky nip i derës fisnike të Arianitëve, i Muzakajve, por më së pari edhe i Kastriotëve, ndërsa lindi në 1457 dhe ndërroi jetë në vitin 1530, u kthye në fenë islame. Emri i tij i ri zyrtar qe Skënder Bej.

Ndryshe veproi i ati. Ai nuk e braktisi tingëllimin sllav të emrit të vet. Kur u pushtua nga turqit dhe bëri një lloj pajtimi me regjimin e ri, e la Ivan. Thjesht shtoi ofiqin fisnik osman Bej. Skënderbeu, i biri i Ivan Beut, u emërua nga sulltani guvernator i Malit të Zi, me një fjalë qe sanxhakbej. Këtë post të lartë e ushtroi prej vitit 1513 deri në 1528.

Në mërgimin e tij, tek shkruan testament-kronikën, siç cituam pak më lart, princi i Beratit shkruan edhe këtë frazë: “Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”. Ky informacion lë të kuptosh se i ka ardhur sapo ka ndodhur.

I biri i dytë i malazezo-shqiptarit Ivan (dhe i Maries) filloi si qeverisësi më i lartë i vendit të vet në vitin 1513. I vëllai i Stanishës (Skënderbeut), Gjergji V, vijuesi i drejtpërdrejtë i familjes Cërnojeviç, pasi Malin e Zi në periudhën 1499-1515 e qeverisi Ivani II (Bej), qe i pari i vendit vetëm për një vit. Në 1516 ai abdikoi në favor të arqipeshkvit Vavil dhe iku për të jetuar në Republikën e Venedikut.

Kështu këtë mot ekzistonin dy principata apo territore me emrin Mali i Zi. Njëri qe i drejtuar prej Vavilit, një lloj peshkopi-princ dhe shteti që ai kontrollonte, një krijesë teokratike.

E dyta ishte provinca turke me të njëjtin emër. Kjo qe krijuar nga Perandoria Osmane në 1514. Më pas ajo u zgjerua me përfshirjen në të edhe të provincës së Shkodrës.

Pikërisht në krye të këtij të dyti Mali i Zi, shtet paralel me atë të hierarkut të krishterë ortodoks Vavil, deri në vitin 1528 qe Skënderbeu, dikur Stanisha. Duke qenë se kronika e historisë e provon këtë, duke qenë po ashtu se Gjon Muzaka shkruan se stërnipi i arbrit të famshëm Skënderbeu pati qeverisur edhe tokat e të vëllait, pra Gjergjit, hamendja për vitshkrimin e testamentit shtyhet edhe më shumë.

Të paktën jo më herët se 1516, kur ky abdikoi.

Por le t’i largohemi ftillimit të mëtejshëm të kësaj teme, sepse nuk përbën objekt të parë të librit tonë, e të rikthehemi tek malazezo-shqiptari, madje shumë më saktë shqiptaro-malazezi Skënderbej. E themi këtë sepse në një rreth të ngushtë të krishterësh ai thirrej edhe Stanko Bushatlliu, mbiemër i marrë nga krahina e Bushatit në Shkodër.

Ky Skënderbej me mbiemrin Cërnojeviçi, por më shumë me identitet Arianitasi, Kastrioti e Muzake, ndërsa supershtetin turk e drejtonte sulltan Selimi I, provincën e vet e priu me një talent të rrallë administrativ.

Në veri të Perandorisë Osmane ajo qe më e lulëzuara, një model zhvillimi për të tjerët. I fortë edhe ushtarakisht (mobilizonte 3000 ushtarë sulmues), Skënderbej Cërnojeviçi kishte lidhje mjaft të ngushta me personalitete të njohura të kohës, veçanërisht me Gazi Husrev Beun, gjeneral, strateg dhe politikan i shkëlqyer boshnjak, themeluesi i Sarajevës së sotme.

Ky qe dhëndër i sulltanit Bajazid II dhe në 1521 u emërua guvernator i provincës otomane të Bosnjës.

Aq e madhe qe miqësia midis Skënderbej Cërnojeviçit dhe Gazi Husrev Beut sa që pas vdekjes së të parit dhe për pasojë krijimit të një boshllëku të madh pushteti në provincën turke të Malit të Zi, ky luftoi pa pushuar kundër disa kryengritjeve të popullsisë së krishterë, duke ia dalë të mos e lërë ta marrin, por t’i mbetej osmano-myslimanëve.

Prania e bujshme e këtij Skënderbeu tjetër, sigurisht atë kohë më e rënë në sy se ajo e të birit të Gjon Kastriotit, Skënderbeut të Ri, sot është zbehur e pothuaj shuar. Tek shqiptarët nuk hyri dot, por edhe tek malazezët, ku ndërsa shënohet në shumë nga tekstet për historinë e shtetit të tyre, paraqitet gjithsesi e mpakur.

E zvogëluar së tepërmi ajo është në të njëjtën kohë edhe e kritikuar, e mos pëlqyer. Sipas hartuesve të kronikave të vjetra të Malit të Zi Skënderbej Cërnojeviçi qe një njeri shumë i ashpër. Sistemi i tij i taksave, i zbatuar në vitin 1519, gjithnjë sipas tyre, ishte shumë i dhunshëm e shtypës, pothuaj i pashpirt.

Megjithatë Skënderbeu malazez dhe njëkohësisht arbër ka një vijë jete e bëme mjaft më të merituar për t’i hedhur dritë. Duke qenë se ka lindur në 1456, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu gjëmonte lavdi, të tërheq fillimisht arsyetimi se emri i është vënë në nderim të dajës së vogël. Veç nuk është aspak kështu. Në kishë iu vu Stanisha.

Nuk duket se edhe në një formë të tillë pagëzimi i është kryer për një arsye tjetër po aq të lidhur me familjen e të gjyshes, Marie Kastriotit. Stanishi qe vëllai i saj i dytë. Nuk të ndihmon këtu as fakti se daja i madh pati ndërruar jetë në vitin 1446. Disi e vështirë të mendohet se për këtë “ngjallje” nëpërmjet emrit është pritur plot një dekadë.

Depërtimi në ato pak të dhëna të jetës së tij na çon në një shteg tjetër. Ngjan si i kopjuar prej Gjergj Kastriot Skënderbeut. I lindur në shtëpinë e Cërnojeviçëve i ati, Ivani, në vitin 1485 e dorëzoi në oborrin e sulltanit, ku u arsimua dhe u formua si kuadër i administratës së perandorisë. Ndërsa detyrimisht u bë mysliman Stanisha mori emrin turk Skënderbeu.

Sipas asaj pak që shkruhet në jetëshkrimin e historisë së Malit të Zi, ky emër dhe titull bashkë, birit të Ivan Beut iu dha për aftësinë e tij të veçantë (ishte si Aleksandri i Maqedonisë).

Kështu në oborrin e sulltanit ai u thirr Skënderbej Cërnojeviç. Njëlloj edhe më pas, kur nisi të shërbejë në administratën e perandorisë. Me këtë emër mbeti edhe në pesëmbëdhjetë vitet e qeverisjes së provincës turke të Malit të Zi.

Po me Skënderbej Cërnojeviç e mbylli jetën dhe u ruajt në kujtesën historike të malazezve.

Ndërsa vëllai i gjyshes, Skënderbeu i famshëm, mbeti në memorien e kontinentit, madje edhe të globit, si një i krishterë, nipi i tij e mbylli jetën si osmanlli. Në dukje të parë ndryshimi është vetëm kaq.

Një pyetje këtë rast nuk mund të shmanget: ngjashmëria mes të dyve me vetëm këtë jopërputhje në mes, mos është punë e organizuar?

Imazhi i princit të krishterë të Krujës që pati aleat Evropën dhe Papën e u përball për një çerek shekulli me dy sulltanë shumë të fuqishëm ushtarakisht, por mjaft të zotë edhe si politikanë, në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë qe edhe më i përndritur se kur ishte gjallë.

Ai do të ngrihej më lart në të paktën edhe dy njëqindvjeçarët e ardhshëm. Si i tillë, imazh dhe jo njeri i gjallë, ai për Perandorinë Osmane përbënte një armik të ri, edhe më të rrezikshëm.

Nuk ka dyshim se mes masave të rrepta që brenda territorit shqiptar morën për ta shuar rrezatimin e kësaj shëmbëlltyre, oborri sulltanor duhet të mos ketë anashkaluar edhe një mënyrë tjetër asgjësimi. Kjo teknikë është e njohur për njerëzit që kryejnë luftë për pushtet: rikrijohet një imazh tjetër, ballafaques e njëkohësisht kundërvënës.

Ai nuk mund të ngjizet nga hiçi, si një mashtrim i rëndomtë. Kështu do të qe mjaft jetëshkurtër dhe për pasojë i paefektshëm. Stanisha, siç edhe e dëshmua jo pak por në pesëmbëdhjetë vite të administrimit të tij të provincës osmane të Malit të Zi, qe plot dhunti. Ai ishte politikan mjeshtër. Si i tillë, por tërësisht mysliman dhe në shërbim besnikëror ndaj Perandorisë Osmane, nipi i Skënderbeut është nxitur, stimuluar.

Ka gjasë që tipare e karakteristika të tij të jenë rafinuar apo zmadhuar ndopak, sidomos kur ndesh në përpjekjen e oborrit sulltanor për ta propaganduar administrimin e tij si një model për të gjithë provincat veriore të perandorisë.

I trajtuar kështu Skënderbeu mysliman e ka pëlqyer këtë rol përderisa në territorin ku qeverisi, të krishterët nuk e kanë ndjerë veten aq mirë sa të mos ia kursejnë mosbindjen për sa ishte gjallë dhe urrejtjen po ashtu më pas.

Vdekja e tij lehtësoi shpërthimin e menjëhershëm të një cikli kryengritjesh të tyre, të cilat nuk rezultuan me fitore për shkak të ndërhyrjes me forcë të mikut të hekurt, Gazi Husrev Beut.

Oborri sulltanor patjetër e ka përdorur këtë imazh kundërvënës ndaj Skënderbeut princ i Krujës dhe gjeneral i shumënjohur nga Evropa përderisa tek malazezët, popull tradicionalisht i krishterë, i biri i Ivanit nuk hyri dot në zemër.

Stanisha me emrin e konvertuar si paraardhësi i tij i famshëm, në rast se duke qenë realisht i aftë nuk do të pëlqente të përdorej për diversion politik, do të mbetej shumë më dashamirësisht në kujtesën e vendasve. Ai bëri lojën e Parandorisë Osmane dhe kështu u ndëshkua.

Kujtojmë se provinca e tij, e zgjeruar më pas edhe me qytetin e rrethinat e Shkodrës, qe e banuar nga shqiptarë. Kështu të dy etnitë në të njëjtën provincë kanë ndikuar tek njëra-tjetra për t’i bërë bllokadë imazhit të tij rivalizues me Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Në këtë njëmendjeje të dy palët, në një harmoni të plotë, e kanë fundosur në sgafellat e historisë, shumë larg vëmendjes dhe kureshtjes së shqiptarëve dhe malazezëve pasardhës”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400