“AMOK”, shkëlqen në Emirate

13:22 / E mërkure, 14 Mars 2018
Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, të Fakultetit të Arteve, Prof. Elmaze Nura dhe Prof. Mentor Zymberaj, kanë përfaqësuar Kosovën me shfaqjen “Amok”, në Festivalin Ndërkombëtar të Arteve në Fujariah të Emirateve të Bashkuara Arabe që u mbajt prej 24 shkurt deri me 5 mars 2018.
Festivali Ndërkombëtar i Arteve i Fujariah-s është një event artistik i organizuar nga Autoriteti Kulturor dhe Medial i Fujariah-s nën patronatin e Shkëlqesisë së tij, Mbretit, Sheikh Hamad Bin Mohammed Al Sharqi. Festivali përbëhet nga komponente unike artistike të cilat përfshijnë teatrin, muzikën, artet vizuale, performancat, që komunikojnë me kontinente të ndryshme, nga e gjithë e bota. Të gjitha këto integrohen në prodhimin e një kualiteti të lartë artistik, të Festivalit Ndërkombëtar të Arteve, duke synuar që të ketë një rol udhëheqës në lëvizjet globale kulturore. Nga e tërë bota ishin selektuar vetëm 12 shfaqje, monodrama, për t’u prezantuar në këtë Festival që është bienal, ku kriteret e përzgjedhjes janë shumë rigoroze. Monodrama “Amok”, regjinë e së cilës e ka bërë Prof. Elmaze Nura, me lojë të Prof. Mentor Zymberajt, me tekst nga dramaturgia dhe kritikja ndërkombëtare Nina Mazur, u shfaq me 3 mars, ku përveç publikut, u vlerësua edhe nga kritika dhe artistët e tjerë pjesëmarrës në festival. Kritika e vlerësoi aspektin regjisorial të prof. Elmaze Nurës, për trajtimin me vemendje të secilit element të shfaqjes, që nga përzgjedhja e aktorit, skenografia, muzika, kostumet, ndriçimi dhe detajet tjera artistike. Ndërkohë për aktorin, profesorin Mentor Zymberaj, ata thanë se është i lindur për skenën, duke e vlerësuar në nivelin më të lartë fizikun, fytyrën, zërin, këndimin, lëvizjet, shikimin dhe gjithçka që ka të bëjë me lojën e aktorit, të cilat pati mundësi t’i shfaqë përmes Monodramës “AMOK”. Gazeta zyrtare e festivalit, duke u nisur nga kritikat pozitive, e ka vendosur shfaqjen “Amok”, në ballinën e saj. Edhe dy kritika teatrore janë bërë për vlerat e kësaj shfaqjeje. Prezantime të tilla, ndikojnë edhe në rritjen e imazhit të UP-së në botë dhe hulumtimet artistiko-akademike që bëhet nga profesorët e Fakultetit të Arteve.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400