Mendimi kritik letrar shqiptar nga prizmi shkencor

22:17 / E shtunë, 09 Qershor 2018

 

Shkruan Sali BYTYÇI

 

 

(Arben Hoxha, Mendimi kritik letrar shqiptar, botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2017, fq. 504)

Hyrje

Jetojmë në kohën e anarkisë së vlerave, kur anti-vlera paraqitet si vlerë, ndërsa vlerat e vërteta, edhe ashtu të pakta, margjinalizohen. Dhe, nëse do të vlente edhe në fushën e shkencës parimi demokratik, që numri ta ketë fjalën kryesore, vlerat sot janë në disavantazh me numrin e anti-vlerave, që për çdo ditë prodhohen në mesin tonë.

Ndërkaq, të krijosh vlera do të thotë të bësh shkencë, ndërsa të bësh shkencë do të thotë të punosh me sistem: të gjesh fillin, pastaj të ndjekësh rrugën nga do të shkosh dhe të kesh të qartë cakun ku do të arrish; e kundërta është të mos bësh shkencë: të jesh konfuz, të mos gjesh kurrë fillin, apo të kapesh për një pseudo-fill, të ecësh në tym, e të ndalesh aty ku të zë nata, pa e ditur as vetë ku ndodhesh. Dhe, kur autori është në terr, si mund të jetë në dritë lexuesi?

Arben Hoxha bën shkencë në kohën e cila më shumë është e politikës, e më pak e fushave të tjera të jetës shoqërore, dhe aspak e shkencës; është pothuaj i vetëm në rrugën e vet, po që edhe i vetëm e vazhdon atë rrugë që e ka nisur herët.

 

Struktura e jashtme e librit

Studimi monografik “Mendimi kritik letrar shqiptar”, përveç Parafjalës dhe Hyrjes, është i ndarë në pesë pjesë.

Në hyrje, autori i ka shtjelluar parimet metodologjike, pastaj konceptet e kritikës letrare, kriteret e tipologjizimit të kësaj kritike, dy rrafshet e brendshme të trajtimit, pastaj tipologjizimin sipas doktrinave dhe sistemeve epistemike dhe në fund aspektin e jashtëm të trajtimit.

Në fund të librit është dhënë Fjalorthi i termave dhe i togfjalëshave terminologjikë, si dhe Bibliografia dhe Indeksi i përgjithshëm.

Fjalorthi ka një rëndësi të madhe sepse si studiuesit, ashtu edhe lexuesit i vjen në ndihmë për të kuptuar termat dhe togfjalëshat që i ka përdorur autori në këtë vepër; për mënyrën si i ka përdorur dhe për atë se një pjesë e këtyre termave dhe togfjalëshave terminologjikë përdoren për herë të parë në shkencat albanologjike.

 

Një monografi e vërtetë shkencore në kohën e pseudomonografive

Në kohën kur pseudomonografitë po mbijnë si kërpudhat pas shiut, monografia studimore e Arben Hoxhës, “Mendimi kritik letrar shqiptar”, me nëntitull orientues “Konceptet dhe modelet epistemologjike”, është libër që plotësisht i përmbush kriteret e një monografie studimore shkencore, të krijuar me sistem, me koherencë dhe me logjikë, po edhe me etikë shkencore, larg çdo improvizimi apo anarkie mendimesh; ky libër është e rrallë, ndër pak të rrallat në shkencën e albanologjisë, ku jo nga faqja e parë, po nga fjalia e parë e deri tek ajo e fundit, ligjërimi e ruan nivelin e ligjërimit shkencor.

Me durim dhe kënaqësi Arben Hoxha i është afruar objektit të tij të studimit, që është mendimi kritik letrar shqiptarë i një gjysmë shekulli, ka ecur në një rrugë me plot mundime dhe me të panjohura, por prej saj ka dalë duke lënë një ndriçim të shumanshëm, që edhe të tjerëve do t’iu shërbejë në studimet e tyre. Dhe tani, ashtu sikur kur duam të shprehim mendimin tonë për një çështje, me ç’rast iu referohemi mendjeve të mëdha të njerëzimit, në radhë të para për ta sqaruar atë çështje me veten tonë, e më pak për t’u sqaruar para të tjerëve, në hapësirën shqiptare, ata që do të merren me mendimin kritik shqiptar, dhe jo vetëm me të, tani e prapa, mendimin e tyre nuk mund ta thonë pa iu referuar veprës së Arben Hoxhës, “Mendimi kritik letrar shqiptar”. Shkurt, ky libër tani e tutje do të jetë një referencë së cilës studiuesit nuk do të mund të mos i referohen, sepse, tani e tutje, standardi i vendosur nga Arben Hoxha, do të jetë standard për të gjithë ata që do të merren me studime në fushën e shkencave albanologjike.

Arbeni zgjodhi rrugën, i zgjodhi mjetet dhe i doli në fund studimit, duke mos pretenduar që e thotë fjalën e fundit për mendimin kritik letrar shqiptar.

Qëllimi i dijes është ndriçimi, në çdo aspekt, përndryshe, nëse nuk është qëllim ndriçimi, atëherë dija do të ishte fare e panevojshme; edhe ashtu njeriut i mjafton errësira e natyrshme, që ekziston jashtë tij; ndërkaq njeriu me veten e tij, e ndriçon hapësirën e vet mbi tokë.

Libri i Arben Hoxhës tani i bashkohet fondit të librave të paktë në fushën e shkencave albanologjike, në fondin e atyre që janë shkencë e mirëfilltë, po duke siguruar në mesin e tyre një vend të veçantë. Mua personalisht, vepra e Arben Hoxhës m’i kujton studiuesit e mëdhenj të letrave shqipe, në fusha të ndryshme, siç janë Eqrem Çabej, pastaj Arshi Pipa, Alfred Uçi, Rexhep Qosja etj. Ndoshta ky është mendim shumë i guximshëm i shprehur nga unë për Arbenin, por fusha e shkencës nuk është vetëm e lartë për t’u arritur, po edhe e gjerë për ata që jo vetëm me dijen e vet, po edhe me përpjekjet e tyre të pareshtura arrijnë të hyjnë në të. Arben Hoxha, jo vetëm me këtë libër, ka siguruar një vend të veçantë në atë fushë që, për të hyrë në nuk të kërkon vetëm mund e durim, po edhe dije të jashtëzakonshme. Dhe nëse nxënësi duhet të ketë mësues patjetër, Arben Hoxha ka mësues prej të cilëve ka mësuar, por ata më tepër janë jashtë hapësirës shqiptare, e shumë pak brenda kësaj hapësire.

Fjalën hyrëse të librit, Arbeni e përfundon me thënien e Kantit: “Ki guxim ta përdorësh mendjen tënde!” Edhe unë këtë fjalë të shkurtër për librin e Arbenit e përfundoj me fjalët: Arbeni pati guxim ta përdorë mendjen e vet dhe ky libër është rezultat  jo vetëm i dijes së gjithanshme dhe përkushtimit të tij në punë, por edhe i guximit  për ta përdorur mendjen e vet.

Po të ekzistonin festat e dijes në vendin tonë, sot lirisht mund të themi se botimi i këtij libri do të ishte festë e dijes,

Krejt në fund, fjala ime për librin e Arben Hoxhës më tepër se fjalë informuese rreth tij, është grishje për të hyrë në këtë vepër jo vetëm pa paragjykime, po edhe me dashuri, dhe lexuesit që hyn në këtë libër me të dyja këto, sigurisht që qëndrimi në këtë libër do t’i  shpaguhet shumëfish.

(Fjala ime me rastin e përurimit të librit nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, më 9 qershor 2018)

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400