Shtrëngimi i dhëmbëve dhe ushtimat ose zhurmat në veshë

13:18 / E shtunë, 14 Korrik 2018

Studimet tregojnë se të paktën një në njëzetë persona janë të prekur nga dukuria e shtrëngimit të dhëmbëve që ndryshe njihet si bruksizmi. Edhe pse kjo dukuri është mjaftë e përhapur jo të gjithë janë të vetëdijshëm se i shtrëngojnë dhëmbët. Kjo shfaqet kryesisht gjatë natës kur në mënyrë të pavullnetshme shtrëngohen dhëmbët dhe besohet se vjen nga shkaktarët psikologjik dhe fiziologjik, ndër to stresi, frika, ankthi, zemërimet, etj. Poashtu supozohet se bruksizmi mund të jetë edhe gjenetik pra i trashëguar nga familjarët.

Kjo dukuri mund të shkaktojë dëme aq të mëdha për ju saqë as që i keni pararendur ndonjëherë. Përveç që dhëmbët abradohen (harxhohen) ato preken nga erozioni (gërryeja) që çon deri tek dëmtimi i shtresës mbrojtëse të dhëmbëve (zmalti) dhe më këtë rast aty rritet ndjeshmëria dhe rrezikohet më tepër nga sëmundjet e dhëmbit, si kariesi, ndezja e indeve të dhëmbit që mund të ju çoj në nevojën e terapisë së shërimit të rrënjës me kanale apo edhe më keq kur dhëmbët zvogëlohen, bëhen të hollë dhe të dobët, shumë shpejtë mund të vije të thyerja apo dhe humbja e plotë e tyre.

Si pasojë e bruksizmit, mund të ndryshojë edhe forma e kafshimit e cila është shumë e rëndësishme në procesin e të ushqyerit. Përveç që dëmtohen dhëmbët, dëmtohet edhe aparati mbështetës i dhëmbit që janë kocka, rrënja e dhëmbit, gingiva apo mishrat e dhëmbëve dhe fijet parodontale.

Me dëmtimet e aparatit mbështetës mund të vjen deri të luhatja e dhëmbëve dhe si pasojë mund të kemi paradontozë të dhëmbëve. Poashtu bruksizmi ndikon edhe në lodhjen e nyjës temporomandibullare (nyjës së nofullës) dhe bënë që këtë lodhje ta ndjej edhe gjatë ditës.

Sipas studimeve të fundit besohet se shtrëngimi i dhëmbëve mund të jetë një faktor kontribues në ushtimat ose zhurmat ne veshë, që njihet si tinitusi, (tingull i zhurmshëm që ndodh në njërin apo në të dy veshët). Ta kemi të qartë kjo nuk është pista e parë e dyshimeve të shkaktarëve të zhurmave në vesh, fillimisht duhet trajnuar nga specialistët ORL-së, por në raste kur përkundër trajtimeve të problemeve me veshët apo shkaktarëve tjerë që shkaktojnë tinitusin, atëherë duhet parë se mos shkaktimi apo përkeqësimi i simptomave të tinitusit vjen nga shtrëngimi i dhëmbëve.

Shkaqet që shtyjnë në shtrëngimin e dhëmbëve nuk janë plotësisht të njohura por besohet gjerësisht se lidhen me stresin, andaj, ndryshimet e përgjithshme pozitive që ndihmojnë për të lehtësuar stresin, mund të jenë zgjidhje ideale për problemin e bruksizmit, kjo nuk është gjithmonë funksionale dhe madje përpjekjet për të ulur nivelin e stresit mund të zgjasë me vite.

Më herët nuk është aluduar por sipas studimeve të fundit, megjithatë, sforcimi i nofullave dhe muskujve që ndodhin si pasojë e shtrëngimit të dhëmbëve mund të jenë faktorë në shkaktimin e ushtimave në vesh, apo edhe anasjelltas.

Prandaj, nëse keni ushtima në veshë përderisa provoni të flini, dhëmbët e përparmë u janë bërë më të mprehtë me kalimin e kohës, zmalti i dhëmbëve është hequr (shtresa mbrojtëse e dhëmbëve, më këtë rast aty rritet ndjeshmëria dhe rrezikohet më tepër nga sëmundjet e dhëmbit), keni dhimbje të pashpjegueshme të dhëmbëve, dhimbje muskulore ose tension në zonën e nofullës, dhimbje në qafë dhe kokë dhe çrregullime të gjumit, atëherë jeni duke u ballafaquar me tinnitusin e shkaktuar nga bruksizmi poashtu.

Por fillimisht duhet konstatuar nëse shtrëngimi po shkaktohet nga radhitja jo e rregullt e dhëmbëve, numri jo adekuat i tyre, pozita e dhëmbëve, madhësia e tyre, forma por edhe pozita e nofullave. Në këto raste intervenohet në shkaktarin kryesor dhe më pas mënjanohet problemi.

Nëse shtrëngimi i dhëmbëve nuk vjen nga shkaktarët e lartpërmendur, atëherë konstatohet se kjo është si pasojë e faktorëve stresogjen. Në të tilla raste, përgatiten shabllonë të personalizuar mbrojtës (splinta) të cilat duhet të mbahen gjatë natës me qëllim të bëhet mbrojta e dhëmbëve dhe poashtu duhet rekomanduar teknika të menaxhimit të stresit dhe konsultime me profesionistë tjerë varësisht nga rasti.

Spec. Dr. Arianita Shala – Zeka

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400