Pse ministri Pal Lekaj nuk e mbajti premtimin për t’i parë dokumentet e 53 milionëshit?!(Video)

15:40 / E mërkure, 04 Korrik 2018
U cilësua arritje, mirëpo ende mbetët “arritje” e dyshimtë dhënia e 53 milionëve për kompaninë “Bechtel Enka”.

I djersitur i tëri, njeriu që është prapa vendimit të 53 milionëshit, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nisi konferencën e 8 qershorit të këtij viti.

Më shumë dokumente para vetës, ministri Lekaj provoi të shpjegonte vendimin për ndarjen e mjeteve për kompaninë në fjalë, shkruan lajmi.net.

Ministri arsyetonte vendimin e Qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove në formë penaltie për kompaninë “Bechtel Enka” duke argumentuar se kanë arritur që shumën e kërkuar nga kompania nga 63 milionë euro ta zvogëlojnë në 45 milionë euro, që i bie 53 milionë euro me TVSH.

Ai drejtpërdrejt fajësonte ish-ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, se ishte ai fajtori për këto dëme, duke e quajtur papërgjegjshmëri në punë dhe për pagesat që nuk ishin kryer me kohe.

Mirëpo, ish-ministri i Infrastrukturës  Zharku, akuzonte ministrin aktual Lekajn, se po përgatitë dokumente që nuk ekzistojnë për t’ia mveshur fajin atij për dëmin që iu shkaktua buxhetit të shtetit me ndarjen e kostos shtesë prej 53.1 milionë euro.

Ndërsa kompania “Bechtel Enka”, përmes një komunikate, ka thënë se vendimi i qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove nuk pasqyron kostot e plota të tyre që lidhen me zgjatjen e punëve, por ai është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë me Qeverinë e Kosovës.

Sidoqoftë, numra dhe dokumentet e ministrit përfunduan për rreth 45 minuta, kur foli për “Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për aneks kontratën me “Bechtel Enka”-n, për përfundimin e projektit të autostradës R6, ”Prishtinë – Hani i Elezit”, më 8 qershor.

E të gjithë dëshironin diçka tjetër e ministri e tha në fund:

“Ndërsa mbeta borxh pa ju thënë prej të hënës, orës 9:00, e kemi zyrtar shefin e kabinetit që do të jetë në dispozicion tuaj për gjithë dokumentacionin që e kërkoni, prej orës 9:00 deri në orën 16:00. Do të thotë do të jetë në dispozicion për pesë ditë. Do të jemi në dispozicion tuaj dhe do të jemi transparent për çdo letër që e kam lexuar dhe çdo letër që e kërkoni”, ka thënë ai.

Pas kësaj, lajmi.net ka kërkuar t’i shoh këto dokumente ashtu siç premtoi Lekaj, pra të paraqitet në detaje se si ka ardhur deri të 53 milionë euro.

Lajmi.net dërgoi pyetje në adresën e Ministrisë së Infrastrukturës të martën më 12 qershor 2018, mirëpo nga atëherë nuk kemi marrë përgjigje nga ministria.

Lajmi.net ka provuar që nga e hëna të bie në kontakt të drejtpërdrejt edhe me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për të kuptuar arsyen e mos qasjes në dokumentet që vet premtoi se do të jenë në dispozicion, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Sidoqoftë, lajmi.net ka kontaktuar më zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu i cili ka thënë se kontrata ka qenë në dispozicion për një kohë të caktuar.

“Në konferencën e shtypit, ministri Lekaj ka premtuar dhe ka dhënë afatin kohor kur mundeni të gjitha mediat të vijnë dhe ta shohin kontratën. Kush ka ardh ka mujt me i marr informacionet, kush nuk është ardh unë tutje nuk di”, kjo ishte përgjigja e Kadriut në lidhje me premtimin e shefit të tij.

Gjithsesi, kontrata dhe letrat që Lekaj i përmendi kanë mbetur në errësirë dhe askush nuk i ka parë.

Nga ana tjetër, opozita dhënien e 53 milionëve nga qeveria, për autostradë e ka quajtur plaçkë moderne institucionale.

Ndërkohë, shoqëria civile i ishte drejtuar përmes një letre kryeprokurorit Aleksander Lumezi, duke i kërkuar atij të marrë masa për humbjen e 53 milionëve nga buxheti i shtetit, dhënë kompanisë “Bechtel Enka”.

Tema që ngriti në këmbë gjithë Kosovën, u shua brenda pak ditëve, askush deri më tani nuk ka kërkuar llogari nga Qeveria për koston e ndarë ndaj kompanisë “Bechtel Enka”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400