Rrëfime të dhunimeve serbe në Kosovë: “i luteshim të na lëshonin,kurse ata…”(Video)

14:21 / E enjte, 08 Mars 2018

 

“Vetëm një vit pasi u martova dhe menjëherë filloi lufta, periudhë kjo e cila ma shkatërroi jetën”.

Kështu fillon rrëfimin 40 vjeçarja e cila përjetoi dhunën fizike dhe psikologjike gjatë luftës së fundit në Kosovë nga paramilitarët serb.
Lufta e fundit që ndodhi në Kosovë la pasoja të shumta. Mirëpo, gjëja më e keqe që ndodhi ishte dhunimi i shumë femrave kosovare. Bëhet e ditur që në Kosovë një numër i madh i gjinisë femërore ka përjetuar ato gjëra të tmerrshme, pavarësisht se shumica e tyre nuk duan të flasin, sepse e konsiderojnë turp të flasin për një gjë të tillë.

Edhe pse tani janë bërë 16 vite që nga përfundimi i luftës, ajo ende nuk i ka harruar gjërat e tmerrshme që i përjetoi gjatë asaj kohe, shkruhet në numrin e sotëm të Kosovës Sot.

F.M nga një fshat i Vushtrrisë ndonëse nuk dëshironte ta kujtojë atë kohë, prapë kur flet me dikë i duket sikur lehtësohet më shumë.

Për këtë ajo ka pranuar të flasë “sikur të gjithë që mundoheshin të fshiheshin në një skutë që të mos na zinin serbët për të na vrarë edhe ne ja mësymë asaj rrugë. Ishim dhjetë anëtarë të familjes, unë më burrin, tre vëllezërit e burrit. Dy prej tyre ishin të martuar, një motër e burrit dhe vjehrri. Ishte prilli i vitit 1999”, rrëfen ajo, shkruan KosovaSot.

Asokohe F.M ishte 24 vjeçare dhe sapo ishte martuar. Ajo asnjëherë nuk e kishte menduar se do ta priste një fat i tillë.
“Vetëm një vit pasi u martova dhe menjëherë filloi lufta, periudhë kjo e cila ma shkatërroi jetën. Më kujtohet mirë ajo ditë kur mbërritëm në një mal të quajtur Gërdec dhe aty u strehuam”, është shprehur F.M

Çdo fjalë që thoshte ia kujtonte çdo sekondë të asaj kohe për të cilën i dhembte shpirti, por ajo nuk ndalej, vazhdonte të fliste.

“Ajo ditë më solli mallkimin, na ndan meshkujt nga femrat. Unë isha më e reja. Serbët filluan ti zgjidhnin më të rejat dhe më morën mua dhe 8 femra të tjera. Na futën në një kamionët”, tregon ajo duke mos mundur ti ndali lotët.

“Filluam të qanim, bërtisnim . i luteshim të na lëshonin, ata as që donin të dëgjonin. Kështu na dërguan në një shtëpi dhe na ndan nga dy tre veta në dhoma. Filluan të na rrihnin njëherë dhe pastaj edhe gjëja më e tmerrshme, të na zhvishnin dhe përdhunonin”, tregon ajo duke vënë dy duart në fytyrë dhe duke qarë.

Pavarësisht se ishte munduar tu kundërvihej ajo thotë se nuk kishte mundur të parandalonte asgjë. “U mundova t’u ikja, por një e goditur e tyre më rrëzoi në tokë dhe kështu përjetova gjëra të tmerrshme. Dëshiroja që dikush të ma shkrepte një plumb në kokë dhe të vdisja” vazhdon rrëfimin ajo.

“Ajo ditë për mua ishte dita më e tmerrshme. Pas dy orësh ata na larguan. Ashtu duke qarë ne morëm rrugën e kthimit për tek familjet tona”, thotë ajo në fund duke fshirë lotët.

Porosia e 40 vjeçares për të gjithë kosovarët është që të mos e harrojnë të kaluarën sepse shumica nga ta sipas saj, thuasje e kanë harruar, mirëpo vetëm e kaluara mund të tregojë se sa popull i fortë jemi. Ajo tash është e martuar, dhe gëzon një jetë të lumtur bashkëshortore nga e cila i ka dy fëmijë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400