Romët në Shqipëri, një komunitet i lënë në harresë të plotë

16:45 / E martë, 15 Maj 2018

 

Rreth 15 mijë romë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë jetojnë në kushte ekstreme dhe larg vëmëndjes së strukturave shtetërore. Papunësia është problemi më tipik i tyre.

Në territorin e Shqipërisë, krahas shqiptarëve, banojnë edhe disa grupe të tjera etnike, si grekët, maqedonasit, malazezët, vllehët, romët e egjiptianët. Madhësia e këtyre grupeve është ende e paqartë. Nga rezultatet e dala nga Census në vitit 2012, për regjistrimin e popullsisë, të dhënat tregonin se grupet e tjera etnike përfaqësonin rreth 2% të popullsisë, ndërkohë që burime të tjera të pavarura thonë se këto grupe në Shqipëri përfaqësojnë afro 5% të saj. Ndërkaq, një studim i Bankës Botërore për varfërinë i ndan etnitë në dy grupe të mëdha: ata që jetojnë më mirë se shqiptarët dhe ata që janë më keq se shqiptarët. Romët dhe egjiptianët bëjnë pjesë në grupin e dytë, të cilët në ndryshim me grupet tjera etnike, nuk kanë një atdhe historik, përfaqësi diplomatike, apo marëveshje bilaterale për mbështetje dhe shkëmbime kulturore e ekonomike afatgjata. Pavarësisht se marrin pjesë në parti të ndryshme politike, këtij grupi etnik u mungon përfaqësimi i drejpërdrejtë dhe nuk kanë përfaqësues në administratën publike që të mbrojnë interesat dhe nevojat e tyre. Historikisht, marëdhënjet e shqiptarëve me romët kanë qënë të ftohta, por në ndryshim nga shumë vënde të tjera të Europës, mes tyre nuk ka pasur konflikte dhe persekutime raciale. Romët në Shqipëri njihen me emra të ndryshëm: në jug të vëndit me emrin arixhinj, në juglindje kurbatë dhe ne veri me emrin gabelë.

Vëndstrehimet e romëve në veri

Sipas një regjistrimi të bërë nga UNICEF, komuniteti i romëve vlerësohet të jetë rreth 15 mijë banorë dhe të vendosur kryesisht në 108 vëndbanime të ndryshme në zonat urbane dhe rurale të vëndit. Në Shkodër banojnë 85 familje rome me afërsisht 407 persona, të ardhur nga Fushë-Kruja, Durrësi, Fieri, Elbasani etj. Ato janë të shpërndarë në tre kampingje në hyrje të qytetit të Shkodrës dhe tek Ura e Bunës, si dhe një tjetër kamping i ngritur në fshatin Beltojë, ku jetojnë në çadra e kasolle pa infrastrukturën e nevojshme. Ndërkohë në qytetin e Kukësit jetojnë rreth 13 familje me 64 persona, në atë të Peshkopisë 10 familje me 47 persona. Ato strehohen në lagjet më të varfëra të qytetit të ndodhura në periferi të tij me sipërfaqe të vogla banimi me rreth 2 m katrorë për frymë, pa drita, pa ujë, pa ngrohje dhe me kushtet më minimale të jetesës. Në Lezhë, Shëngjin e Milot jetojnë pak persona nga ky komunitet, të cilët janë ende të paregjistruar. Ndërsa në rrethin e Tropojës aktualisht nuk banon asnjë familje prej këtij komuniteti.

Die Roma in

Kushtet e vështira të jetesës

Gjatë periudhës së tranzicionit, romët si pasojë e kolapsit dhe mbylljes së ndërmarrjeve shtetërore, karakterit të njëanshëm profesional të tyre, arsimimit të ulët dhe diskriminimit, kaluan nga një mirëqënie relative në një varfëri ekstreme. Ata janë aktualisht grupi etnik më i varfër dhe më i margjinalizuar në Shqipëri. Studimet kanë treguar se niveli i varfërisë së tyre është pothuajse dy herë më i lartë se tek shqiptarët dhe kjo gjëndje sa vjen e përkeqësohet më shumë. Kjo situatë ka krijuar një rreth vicioz, i cili riprodhon analfabetizmin dhe nivelin e ulët arsimor, çka thellon edhe më shumë angazhimin e tyre në shoqëri. Të dhënat tregojnë se problemi më i vështirë me të cilat përballen romët në jetën e tyre të përditshmë është papunësia. Si pasojë e varfërisë dhe përjashtimit social nga tregu formal i punës, romët punojnë në sektorin informal, kryesisht në mbledhjen e hekurishteve, shitjen e rrobave të përdorura, lypsarëve dhe punëve të rastit. Këto aktivitete të pakualifikuara, sigurojnë të ardhura të pakta dhe të pasigurta në perspektivë për familjet e tyre dhe kontribojnë në rritjen e varfërisë, stresit emocional dhe prek sigurinë ekonomike afatgjatë të familjeve rome. Sipas studimeve të marra nga Fondacioni Soros dhe UNDP, rreth 50% e komunitetit romë është i papunë.

Thirrje strukturave shtetërore

Për hirë së vërtetës, në periudhën socialiste ( 1945-1990 ), romët patën përmirësim të dukshëm në strehim, arsim, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale. Ashtu si shqiptarët, romët gëzonin punësimin e plotë, pavarësisht se një pjesë e tyre punonin si punëtorë të pakualifikuar. Në fshatra ata punonin në bujqësi dhe blegtori. Ndërsa në qytete, romët punonin në ndërtim, në sherbimet publike dhe artizanat. Veç kësaj, kur aktivitetet ekonomike private, sidomos pas Kushtetutës të vitit 1976, dënoheshin me ligj, shumë romë e vazhduan tregtinë e vogël, e cila përfshinte shitblerjen e kuajve, artikujve të artizanatit dhe produkteve të tjera që ata blinin në qytet dhe i shisnin në fshat e anasjelltas, duke luajtur rolin e ndërmjetësit midis zonave urbane dhe rurale. Pjesmarrja në këto aktivitete informale u siguronte të ardhura suplementare dhe i priviligjonte në krahasim me grupet e tjera. Rrjedhimisht, statusi i tyre relativ kundrejt popullsisë shqiptare erdhi duke u përmirësuar. Ndërsa, pas afro 22 vitesh, situata e tyre paraqitet krejt ndryshe. Antarët e këtij komuniteti bëjnë thirrje të vazhdueshme, dhe hera herës, edhe protesta në kërkim të të drejtave të tyre të mohuara. Saimir Kruja, përfaqësues i komunitetit rom në Shkodër, në emër të antarëve të këtij grupi etnik, kërkon një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm të strukturave shtetërore në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës nisur nga regjistrimi i tyre, strehimi, arsimimi, kujdesi shëndetësor, ejt.

Vëmëndja e të huajve për romët

Ilir Gedeshi në bisedë me korrespondentin e DW, Leka Plani

Si pasojë e këtij përkeqësimi të shpejtë ekonomik e social, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha ekonomitë në tranzicion, interesi për romët, duke filluar nga dhjetëvjeçari i kaluar, ka qënë në rritje nga institucionet ndërkombëtare të tilla si: Këshilli Europës, OSBE, disa agjensi të OKB-së, Fondacioni Soros etj. Për Deutsche Wellen, Drejtori i Qëndrës së Studimeve Ekonomike e Shoqërore në Tiranë Ilir Gedeshi thotë se: “ disa prej këtyre organizmave kanë hartuar edhe raporte për gjëndjen e romëve në Shqipëri, ku përfshihet edhe një studim i Bankës Botërore botuar në vitin 2005. Veç kësaj periudha 2005-2015, është shpalluar nga Banka Botërore edhe si “ dekada e përfshirjes “, një përpjekje 10- vjeçare kjo për t’i integruar romët në rrjedhën e përgjithshme europiane. Në këto kushte, edhe qeveria shqiptare hartoi në vitin 2003 një strategji për integrimin ekonomik e social të komunitetit rom.

Po, pse ky interesim për romët ?

Pavarësisht se në Shqipëri ata përfaqësojnë një përqindje më të vogël të popullsisë në krahasim me disa nga vëndet e Europës Qëndrore dhe Lindore, varfëria e tyre ekstreme dhe në rritje ndikon negativisht në stabilitetin dhe kohezionin social. Ndërkaq, si pasojë e ritmeve të larta të lindjeve, popullsia është në rritje, çka e vështirëson zgjidhjen e problemeve ekonomiko-sociale të tyre në perspektivë. Bashkimi Europian nga ana tjetër, ku Shqipëria aspiron të integrohet, e ka kushtëzuar proçesin e integrimit edhe me përmbushjen e disa kritereve politike, ku përmirësimi i të drejtave të njeriut dhe i kushteve social-ekonomike të romëve, janë pjesë e tij.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400