550 vjetori i Skënderbeut dhe 90 vjetori i monarkisë zogiste

11:19 / E martë, 21 Nëntor 2017

 

Me përvuajtje i kujtojmë kryeministrit Edvin se viti 2018 është jo vetëm 550 vjetori i vdekjes së Skëndërbeut, por edhe përvjetori i 90-të i monarkisë shqiptare. Nuk do ishte keq, që krahas zbavitjeve me Skënderbejadën të përkujtonte edhe këtë përvjetor të rëndësishëm të shtetit shqiptar.

Normalisht nuk krahasohet 90 vjetori me 550 vjetorin edhe për faktin se enturazhi i oborrit kryeministror si Spiropalka e doganave & Co nga mëngjesi deri në darkë e krahasojnë kryeministrin Edvin vetëm e vetëm me Skënderbeun dhe kurrë, po kurrë ore kurrë me Mbretin Zog I. Vetëm një publicist shqiptar, Kastriot Myftaraj pa pasur prova shkencore si psh. analiza AND-je herë pas here heq paralele midis kryeministrit Edvin dhe trashëgimtarëve biologjikë të Mbretit Zog I.

Serioziteti i monarkisë dhe palacollëku i “Rilindjes”

Me dhimbje theksojmë se monarkia zogiste, me gjithë të metat e saja, mungesat e kufizimet e kuptueshme nga rrethanat e kohës ishte shumëfish me serioze se “Rilindja”. Monarku Zog edhe në ditët e tij më të vështira ishte shumë fish më digjitoz sesa kryeministri Edvin në ditët e tija më të mira. Le të shikojmë me vëmendje këtë foto për të krahasuar qëndrimin dinjitoz, prej burri esnaf e xhentëllmeni të vërtetë të Mbretit Zog të dëbuar në mërgim nga pushtimi fashist dhe Kongresi komunist i Përmetit me fotot e Kryeministrit Edvin me atlete në takime me krerë shtetesh të Ballkanit e të Europës.

Fotoja e Mbretit Zog është bërë gjatë një dreke në Kajro në fund të vitit 1946. Mbreti Zog është ftuar për drekë nga Viktor Emanueli III ish Mbret i Italisë, Perandor i Etiopisë dhe Mbret i Shqipërisë. Viktor Emanueli pas referendumit në Itali, ku fitoi republika, tashmë gjendet në ekzil në Egjipt. Mbreti Zog po ashtu është në ekzil në Egjipt. Dy ish monarkët janë pajtuar me njeri tjetrin. Mbreti Zog nuk i mban mëri Viktor Emanuelit III për 7 prillin, aventurën idiote të Cianos dhe Musolinit, aventurë, që i kushtoi jo pak popullit italian dhe Kurorës së Savojës, dhe njëkohësisht i kushtoi 45 vjet komunizëm popullit të shumëvuajtur shqiptar. Mbreti Zog është veshur me maksimumin e seriozitetit, me kostum veror të markës Marks&Spencers, duke patur parasysh edhe klimën  e ngrohtë në të nxehtë të Egjiptit. Në drekë në të djathtë të Mbretit Vittorio Emanuele III, është e pranishme edhe bashkëshortja e tij Mbretëresha Elena e bija e Knjaz Nikollës I të Malit të Zi. Në të djathtë të mbretit Zog është ulur Princesha egjiptiane Favzia Fouad e bija e Mbretit të Egjiptit Fuad I dhe njëkohësisht bashkëshorte e Shahut të Iranit Mohammad Reza Pahlevi. Në të majtë të Mbretit Zog është ulur Princesha Faiza Fouad e Egjiptit, motra e Mbretit Farouk I i Egjiptit. Në tryezë ka dhe persona të tjerë, të cilëve fatkeqësisht nuk u duken fytyrat në foto. Në sfond është kamarieri zezak nga Kordofani, që atëhere ishte pjesë e Mbretërisë së Egjiptit dhe Sudanit. Kamarieri është i veshur me frak epaijon tipik europian dhe me festen e quajtur tuniziane mjaft të përdorur në Egjipt dhe në gjithë Perandorinë Osmane duke filluar nga mesi i Shek. XIX. Mjafton kjo foto për të kuptuar statusin sa të respektuar aq edhe serioz e digjitoz të Mbretit Zog I, kur ai ishte veç një mbret në ekzil.

Në fotot e tjera është kryeministri Edvin Rama në takim me kokat e Europës, kryeministra, presidentë, kancelarë etj, i veshur herë me brekushe (jemi në Shek. XXI) dhe herë me atlete duke thyer përbindshëm etiketën e të tilla takimeve dhe samiteve. Rama është në fuqi dhe jo në ekzil si Mbreti Zog dhe prap se prap në të tilla takime formale vishet dhe sillet duke treguar barsaleta të kohës së Dullës si lolo oborri. Rama në ekzil është tjetër gjë. Në ekzil Rama maksimumi, që ka takuar ka qenë ndonjë punonjës social i ndonjerës prej minibashkive të Parisit apo edhe ndonjë xhandar i zyrës për të huajt.

Të luash rolin e gaztorit pranë të fuqishmeve të Europës, është një zanat, që nuk të lë pa bukë, që nga koha e mesjetës. Me raste përveç bukës të jep edhe ndikim te mbreti apo perandori, kur je i aftë dhe e sjell në humor madhërinë. Në mesjetë jo pak gazetorë, qëndronin edhe në ceremoni zyrtare më afër mbretërve apo perandorëve se mjaft kontër e baronë, por ama nuk qëndronin si fisnikë por si lolo oborri. Ata qëndronin shekuj më parë sic rri sot ky kryeminsitri ynë pranë Merkelit, Xhentilionit apo Markonit të Francës! Dallimi i vetëm është se lolot e oborrit në mesjetë përgjithsisht mbanin kësula me zilka si uniformë e gaztorit, ndërsa kryeministri ynë në vend të kësulës me zilka vesh atlete në takime formale e me raste edhe brekushe. Me sa duket atletet e brekushet i shërbejnë si rekujzitë për rolin prej gaztori, që luan në takime zyrtare me krerët e shteteve europiane e të Ballkanit.

O Tempora o mores! O kohë o zakone thoshte latini! Kohëra të reja zakone të rinj: nga dinjiteti edhe në kushte ekzili në palaçollëk edhe në kushte pushtetari, madje sundimtari të Shqipërisë! Le të shpresojmë që sundimtari (jo ende autokrat) Edvini kryeministër të kujtohet që viti 2018 është edhe viti i 90 vjetorit të shpalljes së Monarkisë në Shqipëri.

GJERGJ THANASI

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400