Azilkërkuesit, demagogjia e policisë shqiptare dhe deprofesionalizimi i doganave dhe i policisë gjermane

14:18 / E martë, 10 Tetor 2017

 

Nga fundviti  2010 deri në fundvitin 2014 pas heqjes së vizave për shqiptarët, që udhëtojnë drejt shteteve të hapësirës Shengen e jo vetëm, vetëm pak qindra shqiptarë kërkuan azil në këto shtete, pasi hynë në territorin e tyre si vizitorë (turistë). Në vitet 2015-20167-2017 dhjetëra mijëra shqiptarë kërkuan azil në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë e deri në Islandën e akullt. Shndërrimi i një “rrëkeje” në një “lunë” gjigand për koincidencë ndodhi gjatë viteve të Rilindjes së Shqipërisë nga Qeveria Rama, shkruan Gazeta InfoPress.

Pas presioneve diplomatike deri në rang kancelareje, e kryeministri nga Gjermania, Franca, Holanda etj. në gusht 2017 Policia e Shtetit u bëri “dhuratë” shqiptarëve një varg kufizimesh për lëvizjen e tyre drejt hapësirës Shengen. Këto kufizime burokratike në vend të luftonin shkakun e ortekut të azilkërkuesve (koincidencën me Rilindjen e kryeministrit Edvin), u përpoqën që me masa burokratiko-teknike të maskonin pasojën: shtimin në progresion gjeometrik të azilkërkuesve, emigrantëve klandestinë dhe kriminalizimit të shqiptarëve të mjerë të rënë në panik e të kapluar nga mungesa endemike e perspektivës për përmirësimin sadopak të jetesës së tyre. Në një shkrim të ardhshëm do të përshkruajmë në detaje si, qysh e pse po dështon kjo masë e radhës e agjit-propit për të adresuar problemin në fjalë. Shkurtimisht këmbëngulim, që kjo masë thjesht po rrit korrupsionin e vogël në radhët e policisë kufitare, po u hedh hi syve përkohësisht policive partnere të vendeve të zonës Shengen e natyrshëm do të përfundojë duke bërë një brimë mjaft të këndshme dhe estetike në ujë.

Si udhëtojnë legalisht azilkëkruesit shqiptarë drejt vendeve Shengen

Duke zbatuar rregullat klasike të manualit të gazetarisë për njohjen konkrete e si të thuash të prekjes së problemit me dorë, ndërmorëm të njëjtin udhëtim me autobus, që bëjnë edhe azilkërkuesit shqiptarë (jo ata me rrugë ajrore) si edhe të gjithë ata shqiptarë, që kanë probleme me policitë e vendeve të hapësirës Shengen.

Kufiri malazezo-shqiptar

Në këtë kufi përgjithësisht djemtë e rinj, që janë ndër më të dyshuarit si azilkërkues të ardhshëm  i nënshtrohen një procedure të një bisede kokë më kokë me “shefin” e policisë kufitare shqiptare. Kjo pengesë e shefit kalohet me rrenën standard po shkoj në Gjermani për të blerë e sjellur në Shqipëri një veturë. Kjo rrenë e “lubrifikuar” me 30-50 euro e bën azilkërkuesin ta kalojë “klasën” edhe, kur nuk ka fare leje drejtimi makine! Në anën malazeze për koincidencë të tjerë udhëtarë në moshë të re (jo ata, që kanë kaluar në duart e shefit shqiptar) bëjnë ritualin e bisedës kokë më kokë me “desetnik-in” malazez, sic e quajnë kosovarët. Pagesa është e njëjtë si ajo për shefin shqiptar. Kontrolli i bagazheve të pasagjerëve kryhet me qen nga pala malazeze në anën shqiptare të kufirit, në përputhje me një marrëveshje të dy policive. Qeni nuhatës më shumë të duket si i trajnuar për të nuhatur substanca me përmbajtje të lartë azoti (qen anti eksploziv), sesa si qen anti drogë, por “jebi ga” siç thonë kolegët malazezë! Policia shqiptare, kur bën kontrolle antidrogë në automjete, përdor vetëm një mjet ultramodern, kacavidën si edhe një bicim detektor dore droge, që ka vetëm vlerë presioni psikologjik dhe aspak vlerë reale në zbulimin e drogës. Një Zot e di se, ku kanë shkuar sasi të pafund pajisjesh antidrogë, që nga pasqyrat teleskopike te valixhet “kit” për analizimin në terren të substancave të dyshuara si psikotrope e deri te kamerat e posaçme me tub (po përdorim qëllimisht gjuhë divulgative) për të zbuluar drogën e fshehur në pjesë të tilla të automjetit si serbaratori i karburantit!

Në kufirin malazezo-kroat

Në kufirin malazezo-kroat kontrolli kufitar për probleme klandestinësh, azilkërkuesish apo pasagjerësh me “klecka” në biografi në databazën Shengen, përgjithësisht është sipërfaqësor, njëlloj si edhe kontrolli doganor. Policët kroatë herë pas here kthejnë mbrapsht pasagjerë të moshave të reja me sebepe tip: nuk ke euro të mjaftueshme me vete, e ke emrin në kompjuter, “klecka në biografi” etj, por kurrsesi nuk marrin ryshfet. Nuk ushtrohet asnjë kontroll doganor për bagazhet.

Në kufirin kroato-boshnjak dhe boshnjako kroat

Në zonën e Nemunit kontrollet janë krejt të përcipta sa për të kaluar radhën. Nuk ushtrohet asnjë kontroll doganor për bagazhet, qoftë nga pala kroate, qoftë nga ajo boshnjake.

Në kufirin kroato-slloven

Kontrolli policor në këtë kufi është i përciptë. Nuk ushtrohet asnjë kontroll doganor.

Në kufirin slloveno-austriak

Në kufirin slloveno-austriak kontrolli policor përsëri është krejt formal dhe i përciptë, ndërsa doganieri i turnit të natës as denjon të dalë e të shohë qoftë edhe nga jashtë autobuzat, që hynë në Austri.

Në kufirin austriako-gjerman

Kontrolli kufitar është minimal, thjeshtë formal, ndërsa ai doganor inkezistent.

Në thellësi të territorit gjerman

Në thellësi të territorit gjerman ndeshim në një postbllok të përforcuar kontrolli. Forcat e mjetet e përdoruara janë me të vërtetë mbresëlënëse. Në bostbllok janë 2 autovetura dhe 8 furgona policie, njeri prej të cilëve i mbushur plot pajisje kontrolli përfshirë edhe koliben e qenit të policisë. Policët përgjithsisht janë me kobure në brez, ndoshta Heckler&Koh të quajtura P8 nga gjermanët dhe USP nga amerikanët. Policët përgjithsisht kanë veshur jelekë antiplumb (kundra ciflave të predhave)Tipi II A, çuditërisht të pakombinuar me mbrojte kundra armëve të bardha. Të paktën 3-4 prej policëve ishin të pajisur me armë të gjata, HK 416 varianti karabinë. Nuk mungonte edhe prezenca e civilëve të armatosur të policisë kriminale apo ndoshta e dhe të BFV-së.

Si angazhim mjetesh e forcash nuk ke ci thua! Sa për profesionalizëm çuditërisht gjermanët kalonin nga të dyja këmbët. Në kontrollet dhe inspektimet e trupave në bostbllokun e përforcuar të binte në sy pedantizmi dhe burokracia e skajshme dhe neglizhimi i parimit të “Schëerpunkt-it”, parim ky i famshëm që në kohën e Von Moltke-s plak! Qëllimi i funksionimit të një postblloku të tillë policor, sidomos ditën, kur Gjermania zhvillonte zgjedhjet politike, ishte: antiterrorizëm, anti klandestinë, anti azilantë të rremë. Policët gjermanë duke aplikuar në mënyrë të ngurtë, pa fantazi e me mjaft shabllonizëm metodën e profilit të rrezikut kryesisht kontrollonin automjete me targa jo europiane, sidomos ato shqiptare. Ndër mjetet me targa komunitare ndaloheshin e kontrolloheshin vetëm ato, që shoferët ose pasagjerët i kishin me fytyra të zeshkta, saqë ndonjë rast kontrollohej edhe ndonjë veturë me pasagjerë sicilianë(Sic!). Shabllonizmi në kontroll binte në sy , kur u kontrollua imtësisht automjeti me shofer sikht vetëm për shkak të turbanit karakteristik nacional sikht, që mbante shoferi. Mesa duket policëve gjermanë nuk u kishte shpjeguar kush, që sikhtët nuk janë myslymanë kështu që nuk kanë të bëjnë fare me francajzat e ndryshme të radikalizmit dhe terrorizmit islamik.

Policët hallakateshin në kontrolle dhe nuk përqendroheshin në qëllimin kryesor atë anti terror, antiklandestin, anti azilantë të rremë. Tipik ishte rasti i autobusit tonë me targa shqiptare. Ndërsa policët “vigjilentë” njëlloj si kolegët e tyre ballkanikë nuk mundën të dalllonin një vulë problematike në pasaportën e një djali të ri pasagjer në autobus, humbën kohën për të zbuluar se autobusi nuk kishte ndjekur intinerarin e caktuar në lejen e qarkullimit të autobuzit në Gjermani. Theksojmë se në të dy intineraret autobuzi do përdorte autostradën, pra ndërrimi i intinerarit nuk shkaktonte probleme për trafikun, nëse një automjet i tillë i rëndë do të qarkullonte në rrugë lokale, jo në autostradë. Si “shpërblim” për vigjilencën e tyre policët gjermanë i vunë shoferit të autobusit tonë 2 000 euro gjobë. Vërtet humor gjerman! Në një ditë zgjedhjesh, në një postbllok antiterror, trafik klandestinësh e azilantësh të rremë “shucmanët” gjetën kohën dhe ngenë të venë një gjobë të tillë. Ranë nën nivelin e policëve bashkiakë të Veronës, që një autobus nga Fieri e gjobitën me 6 000 euro gjobë për ndërrim intinerari!!!

Si qershia mbi tortë, ndërsa përqendronin vëmendjen dhe forca policore te shkelja minore burokratike e autobusit tonë një minibus po i nënshtrohej gjithashtu kontrollit. Minibusi me targa austriake SC 004 D me mbishkrimin “Ëien Sightseeing” kishte disa pasagjerë me fytyra të zeshkta. Normalisht, që vëmendja e përqendruar te autobusi shqiptar dhe te dy autovetura Mercedes dhe BMË me targa shqiptare, do bënte që të binte vigjilenca dhe përqendrimi i kontrollit të hollësishëm sidomos mbi udhëtarët e mikrobuzit. Qofshim gabuar por surrati i njërit prej tyre ishte shumë i ngjashëm me atë të personazhit të një video të vitit 2016 xhiruar në Nahijen e Abu Qemalit në Distriktin Shamija në Siri. Ky individ nëse nuk na gabon memoria vizive në video është filmuar me pushkë precizioni  rumune PSL, një kopje inferiore e pushkës së famshme sovjetike Dragunov. Me sniper në dorë, ky zotëria në karrocerinë e një Toyota me flamurë të ISIS-it demostronte forcën në atë video. Tashti me sa duket ish nishanlliu i ISIS-it na paska vendosur të vijë për “turizëm” në RFGJ! Çuditërisht furgoni me targa austriake dhe pasagjerët e tij e kaluan pa u lagur “lumin” e kontrollit të policisë gjermane!

Në postbllok në rreth një orë ndalim ndesh edhe xhevahire të tjera, që dëshmojnë për sklerotizimin dhe shabllonizimin e dëmshëm të kontrolleve të kësaj policie. Pasagjerëve të dy veturave shqiptare, që përmendëm më sipër,  pasi nuk u gjetën asgjë të dyshimtë, u kërkuan nëse kishin para të mjaftueshme me vete. Të mjerët policë gjermanë! Këta shoferë, që kanë në pronësi vetura, që kushtojnë minimum 20 000 euro, vërtet nuk kanë me vete pak qindra euro të mjaftueshme për të mos u kthyer mbrapsht në shtetet e Zonës Shengen?!?!?! Më pas policët kontrolluan në vende të ndryshme të veturave numrin e shasisë, se mos ndoshta veturat ishin të vjedhura. Probabiliteti, që shqiptarët të jenë aq debilësa të shkojnë në Gjermani si cjapi te kasapi me makinë të vjedhur, është mjaft i ulët, kështu që është keqpërdorim i forcave, mjeteve dhe kohës  të merresh me të tilla kontrolle, kur shteti gjerman, sidomos në ditë zgjedhjesh ka të tjera prioritete. Zbatimi shabllon i njohurive të marra në shkollë apo në kurse kualifikimi, jo vetëm që nuk sjell rezultatet e dëshiruara, por rrezikon edhe të shndërrohet në autogol për policët gjermanë.

Dogana gjermane ushtron kontroll fizik në bagazhet e pasagjerëve

Në kthim në stacionin e autobuzëve interurbanë dhe internacionalë përfshirë të ashtuquajturit “flickbus-ë” ngjitur me Aeroportin e … , ndërsa prisnim disa pasagjerë, që do vinin me një tjetër autobus për të hipur te autobusi ynë, u bëmë dëshmitarë sesi dogana gjermane ushtronte kontroll fizik në bagazhet e udhëtarëve jashtë zonës fiskale aeroportuale. Këtë kontroll doganor gjerman do ta bëj duke e krahasuar me atë të dëshmuar personalisht në vitin e largët 1993 në Aeroportin e Mynihut. Tani në 2017 doganierët gjermanë në orar të punës rrinë me kobure në brez e me jelelekë antiplumb (anti cifla predhe) veshur. Përballimi i rreziqeve të reja normalisht kërkon mjete të reja “pune”. Fatkeqësisht mënyra sesi ushtron sot kontrollin dogana gjermane, të paktën në rastin e dëshmuar personalisht na bën të arrijmë në konkluzion, që ka bërë hapa mbrapa. Në vitin 1993 doganierja gjermane, një kaçurrele bionde thuajse 2 metra e gjatë para se të kontrollonte çantat bënte disa pyetje të tërthorta me një anglishte thuajse prefekte, njëkohësisht duke vëzhguar me vëmendje cdo gjestikulacion (body language) të personit, që pyetej. Me raste mjaftonin të tilla pyetje dhe nuk kishte nevojë fare për kontroll fizik të çantave. Ky ishte profesionalizëm! Në vitin2017 doganierja gjermane as 170 cm e gjatë, zeshkane, me flokë të prera shkurt, pasi mbaronte së ngrëni një sanduic apo doner, që e kishte nxjerrë nga vetura e doganës, pa veshur dorezat blu të gomës si kolegët e tjerë të saj, pa i pastruar duart me letër të lagur apo thjeshtë me një facoletë, kontrollonte valixhet e udhëtarëve. E ka në manual rrezikzeza, që nuk kontrollohen bagazhet pa doreza, qoftë edhe për faktin e vetëmbrojtjes nga prerja apo shpuarja e duarve nga mjete të mprehta apo me majë, apo edhe dëmtim të lëkurës nga substanca gërryese, irrituese, djegëse etj, që mund t’i ketëpasgjeri në bagazhin personal. Në të njejtën kohë doganierët e vjetër dhe më të rinjtë, që po mësonin zantin sipas parimit anglez: “on the job”, në punë e sipër, që të gjithë pa përjashtim mbanin doreza gome ngjyrë blu!

Ndoshta po ngutemi në konkluzionet tona,por në kohën e Kancelarit famëmadh Helmut Kohl gjermanët ende ishin “VOLK”, tani në kohën e Kancelares Merkel me sa duket janë kthyer thjesht në një “bashkësi” njerëzish. Është më se normale që bashkësi të tilla prodhojnë edhe institucione e organe ligjzbatuese, që funksionojnë sic u përshkrua më sipër.

GJERGJ THANASI 

Gazeta InfoPress

 

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400