Lakmia e Haradinajt për pushtet: Mungesa e dijes dhe guximit për deklarata të forta ndaj Erdoganit!

14:02 / E premte, 06 Prill 2018

 

Shkruan: Nehat Shaqiri

Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, jemi mësuar ta dëgjojmë me deklarata të ashpra në drejtim të Serbisë, por jo edhe të Turqisë.

Haradinaj shpeshherë ishte mjaft i ashpër ndaj politikanëve serb, dhe qëndrimet e tij kundër serbëve e “dridhnin” edhe Serbinë. Por, në këtë kohë, ka filluar të “zbutët” ndaj presidentin turk Rexhep Taip Erdogan i cili e kërcënoi duke ftuar qytetarët që të protestojnë ndaj ti.

Disa muaj më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, ia dha një përgjigje të fortë Serbisë, e cila u komentua si e guximshme.

“Përgjigjen ja kemi dhanë me luftë Serbisë në vitin 1999, pra zotit Slobodan Millosheviç, regjimit të tij. Në atë kohë, zoti Ivica Daçiç ka qenë një shërbëtor i zotit Milosheviç, po ashtu Aleksandër Vuçiç, shërbëtor i zotit Vojislav Sheshel”, ishte kjo një deklaratë mjaft e fuqishme e kryeministrit Haradinaj nga Serbisë.

Mirëpo, deklaratë më të butë i ka dhënë Erdoganit, duke thënë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, e se këtë duhet ta dinë të gjithë.

“Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’i them se nuk na njohin atëherë, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, bëjnë mirë me na njoft, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha Haradinaj.

Por, pse i ka zbut deklaratat kryeministri Haradinaj flasin analistët politik, të cilët theksojnë se kjo dëshmon qartë pafuqinë e kryeministrit.

Analisti politik dhe kryetari i Ballit Kombëtar Demokrati, Gazmend Islami pohon për Gazetën InfoPress se, vet politikat e BE-së, kanë qenë koordinator të marrëveshjes PDK-AAK-NISMA, dhe qëllimi i vetëm ka qenë që Ramush Haradinaj ta bëjnë kryeministër të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kalon Demarkacioni, Asociacioni i Komunave Serbe, por edhe disa gjëra tjera që janë të pazgjedhura.

“Natyrisht që z. Haradinaj sikurse të gjithë politikanët e tjerë ka ndërruar edhe retorikën e tij dhe nuk ndryshon nga politikanët tjerë, pasi edhe presioni i madh i ndërkombëtarëve ka bërë që të hesht dhe natyrisht të gjitha ato marrëveshjet e nënshkruara nga Hashim Thaçi ky do t’i aprovoj. Fatkeqësisht z. Thaçi është politikani më i zoti në Kosovë, po e them me atë kuptimin që, të gjitha marrëveshjet e arritura që ka bërë Thaçi në Bashkësinë ndërkombëtarë janë duke u implementuar”, thotë islami.

Kreu i BKD-së, thekson se, raporti i kryeministrit Haradinaj me Erdoganin tregon edhe njëherë se kryeministri nuk ka peshë politike në Kosovë dhe nuk mundet të jetë një kryeministër i qëndrueshëm kur i ka vetëm 10 deputetë.

“Pra është i varur nga të gjitha partitë politike dhe lakmia e tepërt e tij për të qenë kryeministër ka bërë që ky të shkel mbi çdo premtim që e ka dhënë. Dhe nuk besoj që do të mbetet gjatë z. Haradinaj në Qeveri vetëm derisa të bëhet edhe Asociacioni i Komunave Serbe. Pra nuk besoj kurrë që z. Haradinaj do të arrijë ndonjë herë në jetën e tij që të jetë kryeministër i Kosovës, sepse edhe ashtu e ka dëshmua që nuk ka as dije e as guxim për të qenë i pari i Qeverisë”, thekson Gazmend Islami.

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, potencon se, kur kemi të bëjmë me përgjegjësinë politike dhe institucionale, esenciale, nuk janë format e deklaratave por përmbajtja e sjelljes në realitet.

“Për mua, nuk është që ka vlerë të madhe mënyra agresive e deklarimeve sa ka përmbajtja. Aq me shumë kur je bartës, apo shef i Qeverisë”, shprehet ai.

“Megjithatë, kur analizojmë punën e politikanëve tanë, nuk është që i kemi të shquar për kujdes të shtuar politik, aq sa mund të themi që janë  të kujdesshëm në ruajtjen e partneritetit qeverisës”, thotë Duhanaj për Gazetën InfoPress.

Sipas tij, edhe deklaratat politike ndikohen masivisht nga pozicionet në kuadër të marrëveshjeve mbi koalicionet.

“Në këtë vazhdë mund t’i cilësojmë edhe deklaratat e Kryeministrit, i cili tani më është në presion të mbajtjes së pushtetit dhe bën përpjekje për të siguruar mbështetje politike. Kjo nuk është shenjë e mirë, pasi që mund të bëhet edhe shkas apo pengesë në marrjen përkatësisht mosmarrjen e vendimeve adekuate”, përfundon Leon Duhanaj.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400