Lufta e brendshme në PDK! Njerëzit e Veselit “eliminojnë” Komisionin e Murat Mehës i emëruar nga Thaçi!

15:32 / E martë, 12 Shtator 2017

 

Ishte presidenti i tanishëm Hashim Thaçi e ka emëruar Murat Mehën në këtë pozitë. As presidenti Thaçi, e as ish kryeministri Mustafa nuk kanë pranuar në asnjë formë të shkarkohej komisioni në fjalë dhe këtë e arriti tashmë kryeministri i ri së bashku me njerëzit e PDK-së.

Gazeta InfoPress / Nehat Shaqiri

Partia Demokratike e Kosovës, i “hëngër” fjalët, veprimet dhe nënshkrimet e veta për rastin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Qysh në ditën e parë të punës së kryeministrit të ri, z. Ramush Haradinaj, ky i fundit së bashku me PDK-në shkarkuan Murat Mehën si kryetar, bashkë me Komisionin shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi.

Me këtë rast, PDK-ja e pranon se opozita e ka pasur të drejtë me shitjen e tokave shqiptare në kufi me Malin e Zi, dhe kështu e rrëzoi vetveten duke e rrëzuar Komisionin e Murat Mehës.

Pra, ishte vetë z. Enver Hoxhaj tash zëvendëskryeministër i Kosovës nga radhët e PDK-së i cili votoi pro shkarkimit të Mehës.

Duhet kujtuar se ishte presidenti i tanishëm Hashim Thaçi e ka emëruar Murat Mehën në këtë pozitë. As presidenti Thaçi, e as ish kryeministri Mustafa nuk kanë pranuar në asnjë formë të shkarkohej komisioni në fjalë dhe këtë e arriti tashmë kryeministri i ri së bashku me njerëzit e PDK-së.

Këtu, duhet shtruar pyetjen se çfarë po ndodh tani kur kryeministri Haradinaj me votat e PDK-së, e sidomos me pranin e Enver Hoxhajt, i cili më herët betohej se kufiri është demarkuar mirë dhe se Komisioni i udhëhequr nga Murat Meha kanë bërë punë të shkëlqyer të votoj pro shkarkimit. Më këtë rast, Hoxhaj ndërroi mendjen dhe kundërshtojë vetveten.

Opinionisti dhe analisti politik Fadil Lepaja thotë se, edhe më herët është pa se lufta për pushtet në PDK nuk kishte përfunduar me zgjedhjen e z. Veseli për kryetar. “Me gjasë z. Thaçi nuk e kishte menduar që dikush tjetër të bëhet lider i vërtetë i PDK-së, dhe kishte vazhduar të udhëheqë me njerëzit “e tij”  të cilët i solli në parti, dhe përmes të cilëve kishte  sunduar me të”, thotë Lepaja për Gazetën InfoPress.

Sipas tij, tash, me këtë veprim, si duket faji për Demarkacionin i lihet në dorë krejtësisht z. Thaçi dhe kjo u gjet si formulë për të nxjerrur të larë PDK-në dhe udhëheqjen e re.

“Sido që të jetë, kjo çështje nuk pritet të zgjidhet aq lehtë sa pat premtuar dikur opozita, një pjesë e së cilës tashmë është në pozitë”.

“Ka ide, se liberalizimi i vizave është larg dhe se kjo mënyrë është gjetur për të e arsyetuar atë që në asnjë mënyrë nuk është e mundur, pra të izolohet një vend, pa asnjë arsye reale, dhe pa bazë ligjore as etike, dhe vetëm për hatrin e shtetit serb. Kështu, krejt “faji” i mbetet qytetarëve të cilët kanë votuar  politikanë të pazotët, pra përgjegjësia mbetet pa emër”, thekson Lepaja.

Haki Abazi, njohës i mirë i politikës në Kosovës dhe drejtor për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit “Rockefeller Brothers”, thotë për Gazetën InfoPress se, pranimi i kandidaturës se Z. Haradinaj për kryeministër ka paraqitur edhe pranimin e disa pozicioneve të tij dhe partisë së tij e sidomos ajo për Demarkacionin.

“PDK-ja është parti që nuk ka qendër të rëndësisë, në fakt PDK është parti e vendimeve arbitrare e fatkeqësisht shumë shpesh të gabuara me pasoja të renda. Demarkacioni dhe Asociacioni është një nga ato por përgjithësisht formati i dialogut dhe marrëveshjet e nënshtruara siç është ajo për Gjykatën Speciale dhe menaxhimin e resurseve në veri të vendit janë vendime të tmerrshme për shtetësinë dhe qëndrueshmërinë e vendit”, thotë Abazi.

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani potencon që, shkarkimi nuk paraqet zgjidhje të problemit. Sipas tij, Mali i Zi nuk do të merret me problemet e një shteti tjetër që ka me vetveten dhe partitë e tyer, pasi ky shtet është anëtar i NATO-s dhe nuk do ta përkrah as arbitrazhin.

“S’ka as arbitrazh pa një pëlqim të dyanshëm dhe nëse shkohet në mënyrë të njëanshme ajo nuk do të mund të trajtohet fare për shkak se pala tjetër nuk do të dërgoj njerëz teknik për të mbrojtur marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën”, thotë Burjani për Gazetën InfoPress.

Ai shton se, kjo temë është mbyllur kaherë dhe problemi ka mbet te Kosova, sidomos te lojërat politike të saj.

“Aspak nuk jam optimist se zgjidhja ishte shkarkimi. Ai edhe ashtu kishte përfunduar si Komision mandatin e dhënë. Pra nuk do të merret askush me këtë çështje, madje as Bashkësia Ndërkombëtare dhe kjo rrezikon të mbetet kështu si është Kosova pa viza. Pra s’ka liberalizim pa ratifikimin e marrëveshjes”, përfundon Burjani.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400