Lufta e shërbëtorëve të politikës: Cili është akademiku i proveniencës jugosllave, Hivzi Islami apo Enver Hasani?

14:58 / E martë, 20 Dhjetor 2016

 

• Kjo akademi pleqsh ka mbyllë gojën për gjendjen e mjerueshme në Kosovë, dhe për planet djallëzore të Serbisë. •Hivzi Islami shërbëtor i LDK-së, duke i bërë një pjesë të konsiderueshme të tyre akademikë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Isa Mustafa. • Enver Hasani para dhe pasluftës ka qenë shërbëtor i devotshëm i Hashim Thaçit dhe PDK-së. • Sulmin e paskrupullt të Hivzi Islamit kundër Akademik Rexhep Qosjes me fjalorin prej rrugaçi ndaj Profesor Enver Hasanit, duhet shikuar në përputhje me koherencën e mendimit politik të kësaj strukture që prej vitit 1981 e deri sot. • Rikthimi i tyre në piramidën e pushtetit real ekzekutiv dhe në krye të Akademisë dhe Universitetit, është dëshmia më e mirë se në ç’pozitë ka rënë Republika jonë.

Gazeta InfoPress / Nehat Shaqiri

Kryeakademiku i Kosovës Hivzi Islami, me anë të një fejtoni gjer e gjatë, të botuar në media, ka akuzuar pothuajse secilin politikanë, historian apo deputet të Kosovës, të cilët kanë menduar, apo mendojnë më ndryshe se ai.

Islami, në fejtonin e tij, ka akuzuar edhe ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasanin, duke e quajtur ekspert të së drejtës ndërkombëtare dhe të kufijve i cili, sipas tij, është i njohur për falsifikime dhe mashtrime në Kosovë, që thoshte se në vitin 1959 u bë këmbimi i Leposaviqit me Preshevën, gjë që kurrë nuk ka ndodhur, duke theksuar se për këtë “ka vendim”!

“…një “ekspert“ i të drejtës ndërkombëtare dhe i kufijve, i njohur për falsifikime dhe mashtrime në Kosovë (Enver Hasani), që thoshte se në vitin 1959 u bë këmbimi i Leposaviqit me Preshevën, gjë që kurrë nuk ka ndodhur, duke theksuar se për këtë “ka vendim”! (Transkripti, Po aty, f. 137)”, shkruan mes tjerash në fejtonin e ti akademiku Islami.

Mirëpo, menjëherë ky i fundit i ka reaguar z. Islamit duke e akuzuar për plagjiat.

“Njeriu normal pret që akademikët dhe akademia të mbështesin një projekt të tillë, pra luftën kundër kësaj dukurie të shëmtuar në mesin tonë. Hulumtimi im për një kohë shumë të shkurtër tregoi se, krahas dy akademikëve të tjerë për të cilët kisha marrë të dhënat e sakta për plagjiaturë, edhe ai tjetri që ishte atë ditë me Hivziun, ishte i përfshirë në të njëjtin skandal, me burim plagjiatin nga bota gjermane e një doktorate të një prifti protestant. Qëllimisht po e përmend botën gjermane sepse, siç dihet, nga Akademia kanë qenë të përfshirë në plagjiat edhe burimet nga bota frankofone dhe ish-jugosllave”, thuhet mes tjerash në kundërpërgjigjen e Hasanit.

Hasani, më tutje ka treguar për një rast se si Islami në kohën kur Hasani ishte rektor i UP-së, i kishte kërkuar këtij të fundit që asistentja e tij ta kryente doktoratën brenda një afati më të shkurtër se afati ligjor.

“Hivziu më tha me një ton poshtërisht përgjërues, që asistentja e tij (emri i së cilës nuk më kujtohet) ishte një gjeni i vërtetë dhe se meritonte të kryente doktoratën për një afat shumë më të shkurtër se afati ligjor. Unë provova, për mirësjellje dhe për shkak të moshës, ta bind Hivziun se ka afate ligjore që nuk guxoj t’i tejkaloj sepse të tjerët po ashtu kanë të drejta të njëjta dhe, si rektor, duhet të jem i drejtë ndaj të gjithëve. Unë, vazhdova më tutje, jam rektor dhe kujdesem vetëm për anën formale dhe ligjore, kurse komisionet recensuese janë ato që bartin përgjegjësinë profesionale për doktoratën”, ka shkruar Hasani në opinionin e tij.

“Në një moment më kërciti filmi, siç thotë populli, dhe i thashë Hivziut shumë qartë se ajo punë nuk bëhej për arsye të thjeshtë se “berber nuk mund të bëhet njeriu për një ose për dy vjet!”. E nxora nga zyra! Në raste të tilla, njeriu pret që pala e tillë të mbledhë mend dhe të largohet. Hivziu jo vetëm që nuk u largua, por kishte filluar të hynte nëpër zyra të vartësve të mi duke i terrorizuar deri në palcë për të njëjtën matematikë. U morr vesh, në mandatin tim ajo punë nuk mund të bëhej ashtu, sepse askush dhe askujt nuk i kishte bërë favore të tilla”, ka shkruar mes tjerash Hasani.

Rreth këtyre akuzave dhe kundërakuzave të Islamit dhe Hasanit, Sadri Ramabaja nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se, nëse lexojmë me vëmendje polemikën mes profesor Hasanit dhe të ashtuquajturit akademik Hivzi Islamit, nuk është vështirë të kuptojmë se kemi të bëjmë me disnivele akademike.

“Më vjen mirë që në përgjigjen që i paska dhënë Profesor Enver Hasani këtij kuaziakademiku të proveniencës jugosllave, nuk është lëshuar në nivelin e tij”, shprehet ai.

Ramabaja për Gazetën InfoPress thotë se, është tmerrësisht irrituese për shkencën shqiptare fakti që në krye të Akademisë sonë qëndron një plagjiator klasik dhe person i lidhur me shumë fije me strukturat jugosllave.

“Tashmë është krejt publike, ky i ashtuquajturi akademik nuk ka as edhe një libër a punim shkencor të mirëfilltë origjinal”.

“Profesor Hasani në fakt e kishte iniciuar idenë për largimin e plagjiatorëve nga Universiteti, ndërkaq një deputet i Kuvendit tonë, këtë ide e pat përpunuar dhe kishte iniciuar që ky hetim ekskluzivisht akademik të shtrihej edhe në struktura tjera, duke përfshirë edhe Akademinë”, shton ai.

Më tutje ai thekson se, po të kishim një Akademi të pavarur nga politika, nuk do të mund të katapultohej njëkohësisht në krye të Akademisë Hivzi Islami, në kohën kur marioneta tjetër e Serbisë, Isa Mustafa, katapultohet në krye të qeverisë.

“Prandaj avokimi i Hivzi Islamit për variantin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku katërçipërisht shihet se i jepen 8300 ha tokë malit të Zi, nuk është e rastësishme”, thekson Ramabaj.

“Sulmin e paskrupullt të Hivzi Islamit kundër Akademik Rexhep Qosjes me fjalorin prej rrugaçi dje dhe këtë ndaj Profesor Enver Hasanit sot, duhet shikuar në përputhje me koherencën e mendimit politik të kësaj strukture që prej vitit 1981 e deri sot. Rikthimi i tyre në piramidën e pushtetit  real ekzekutiv dhe në krye të Akademisë dhe Universitetit, është dëshmia më e mirë se në ç’pozitë ka rënë Republika jonë”, përfundon Ramabaja.

Opinionisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, thekson që, kemi përplasje mes dy shërbëtorëve të politikës. Sipas tij, Hivzi Islami që është shërbëtor prej pasluftës i LDK-së, duke i bërë një pjesë të konsiderueshme të tyre akademikë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Isa Mustafa, ku falë kësaj partie është zgjedhur edhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, në mënyrë që t’i shërbej siç kemi tash rastin e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Poashtu kjo Akademi pleqsh ta mbyllin gojën për gjendjen e mjerueshme në Kosovë, dhe për planet djallëzore të Serbisë. Enver Hasani para dhe pasluftës ka qenë shërbëtor i devotshëm i Hashim Thaçit dhe PDK-së. Për punën e tij të shërbëtorit, përveç që ka qenë këshilltar politik i Hashim Thaçit, është shpërblyer edhe me poste shumë të rëndësishme. Duke filluar nga Rektor i Universitetit të Prishtinës, e deri tek Kryetar i Gjykatës Kushtetuese”, thotë Krasniqi i cili shton se, mjafton të kujtojmë dëmet që i ka shkaktuar këtij vendi me vendimet e tij arbitrare, në favor të Hashim Thaçit dhe PDK-së.

“Prandaj, këtu nuk kemi të bëjmë me përplasje intelektualësh për një çështje jetike të sovranitetit të Kosovës, por kemi të bëjmë me dy shërbëtorë të këtij pushteti. I pari (Hivzi Islami) që duhet t’i dal Zot shefit të tij që falë tij është kryeakademik i Kosovës. Kurse i dyti (Enver Hasani) një njeri meqë ish shefit i tij nuk po i duhet më për pisllëqet e tij ka vendosur ta djeg, dhe ka vendosur që t’i dal Zot territorit të tij. Por, një gjë të tillë nuk do ta bënte sikurse ish shefi i tij do ta shpërblente edhe me ndonjë post tjetër të madh”, potencon Krasniqi për Gazetën InfoPress.

Ndërsa, analisti Ali Hertica thekson se, kjo përplasje e këtyre dy protagonistëve për një shoqëri demokratike është diçka e pazakonshme.

“Çfarë fytyra edukative, njëri njohës i çështjes së drejtësië dhe akademik, njohës i demografisë janë duke pasuar me inkriminimin e njërj tjetrit dhe shpalosin historinë e së kaluarës të tyre. Ne kemi lexuar dhe lexojmë se që të dy janë plagjiator të paskrupullt dhe manipulues të shumtë në sistemin e doktoraturave dhe stafit akademik. Ndërsa tani kanë filluar të dalin në fushë të gjitha bashkëpunimet e çdo kujt qoftë të politikës dhe të shkencës e arsimit, që nuk duhet të falen kurrë këta që janë pjesë e inkriminimit të sistemit arsimor dhe shkencor, të cilit janë fabrikant të shumë doktorë shkencash dhe profesorëve”, potencon ai.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400