Muri i Mitrovicës doli në sheshin e qendrës, siç mbiu dikur Muri i Berlinit

13:20 / E martë, 13 Dhjetor 2016

 

Muri i Mitrovicës doli në sheshin e qendrës së qytetit të Mitrovicës, befasisht, siç mbiu dikur Muri i Berlinit.

Koshi i Politikës / Rexhep Hoti

Muri i Mitrovicës!

Sikur të funksiononte përgjegjësia në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas shfaqjes së Murit të Mitrovicës, së paku, ministrja, Edita Tahiri, nuk mund të ishte me në atë post.

Por shteti i Kosovës, qeveria, kuvendi, institucionet e saj tash e një kohë të gjatë e kanë shndërruar në vlerë dhe kriter standardin e të qenit ministër, zv. ministër, deputet etj., me një fjalë ‘politikan’, njerëz pa atdhe, pa vlera njerëzore e profesionale, njerëz pa njerëz.

Së paku pjesa dërrmuese prej tyre i plotëson këto standarde.
Në këtë rast nuk po flasim për vlera kombëtare, sepse ato janë bërë aq specifike, saqë nuk mund të merrem në konsideratë për t’i trajtuar as si referim në pikëvështrime të tilla.

Muri i Mitrovicës doli në sheshin e qendrës së qytetit të Mitrovicës, befasisht, siç mbiu dikur Muri i Berlinit.

Por, çfarë do të thotë ekzistenca e këtij muri realisht:

E para, Muri i Mitrovicës, i ngritur dhe i dëshiruar prej njerëzve atje, shpreh më shumë paragjykim barbar të atyre që e ideuan.
Kjo do të thotë se mendja e tyre, as pas njëmijë e pesëqind vjetësh, sa janë të pranishëm në botën e qytetërimit afërsisht të tillët, nuk u ka regjistruar gjurmë emancipuese të mjaftueshme sa për të mos ngritur mure në mijëvjeçarin e tretë;

E dyta, Muri i Mitrovicës, kushdo që e ka ideuar, flet për nivelin dhe përgjegjësisë edhe të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që janë garant të dialogut ndërmjet republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë.

Këtu kam parasysh përfaqësuesit e BE-s dhe të SHBA-s në radhë të parë. Çfarë do të thoshin për këtë «Mur», sikur fëmijët e atyre që janë garantues ta shihnin në ekranet televizive athua?!

Nuk mund të besoj dhe nuk dua të besoj që fëmijët ‘e garantuesve të dialogut’ do ta shikonin këtë ndërtim monstruoz pa u vënë re, aq më pak me mospërfillje;

E treta, nuk mund ta kuptoj heshtjen Presidentit të Republikës në këtë rast, i cili për çështje krejt me më pak peshë e tranoi opinionin publik duke ia ofruar qëndrimet dhe mendimet e tij, për çdo gjë e për gjithçka, nëpër mjet FB. Heshtja e Presidentit të Republikës nuk është shenjë i mirë në këtë rast kujtoj.

Ashtu siç nuk mund të kuptohet përse hesht, njeriu kryesor i koalicionit qeveritar PDK-LDK-Lista Serbe, të paktën në letër, është edhe fizikisht prej asaj ane. Aq më pak mund ta kuptoj Kryeministrin. Heshtje e tij nuk mund të justifikohet më asgjë;

E katërta, e kuptoj se po të kishte republika e Kosovës opozitë të aftë, Muri i Mitrovicës e aq më pak qeveria e papërgjegjshme në këtë rast, nuk mund ta luante ‘lojën e strucit’. Opozita në qoftë së nuk i zëvendëson ‘muskujt’ me fuqinë e mendjes, me fuqinë e fjalës së kualifikuar në këtë rast, mozomakeq për këtë vend;

E pesta, Muri i Mitrovicës në të vërtetë, është realiteti më i keq dhe më i ligë për komunitetin joshumicë serb jo vetëm në pjesën ku fillon izolimi dhe ndarja me mur, por për gjithë komunitetin joshumicë serb në Kosovë.

Muri do të thotë ndarje, izolim, mospërzierje me tjetrin.

Muri do të thotë jo komunikim.

Në rregull.
Në qoftë se kjo është perspektiva e komunitetin serb në Kosovë, ashtu qoftë. Por ata është mirë ta dinë se komuniteti shumicë shqiptar ka kohë të pakufishme ta presë ‘bindjen e komunitetit joshumicë serb’ për t’u integruar në një kolektivitet ku çdo serb është i garantuar me të drejta e liri më shumë se çdo serb në republikën e Serbisë.

Muri i Mitrovicës e izolon në të vërtetë botën e komunitetit andej e asgjë më shumë. Ju qoftë e lehtë vetmia dhe izolimi dhe i lutem Zotin t’ju falë se nuk jeni duke ditur çfarë jeni duke bërë. R.Hoti

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400