Një shekull më parë Knjaz Nikolla i hynte triumfalisht në Shkodër

12:01 / E enjte, 12 Tetor 2017

 

 

Një foto flet sa për një mijë fjalë

Në këtë foto Knjazi i Malit të Zi Nikolla I i dinastisë Petrovic-Njegosh hyn me veturë triumfalisht në Shkodrën e pushtuar me tradhti nga ushtria malazeze. Në foto krahas Knjazit janë edhe dy djemtë e tij Princi-trashëgimtar Danillo dhe Princi Mirko. Fytyra e Knjaz Nikollës në këtë fotografi  rrëzëllen nga kënaqësia dhe gëzimi. Nuk ishte shaka. Trupat malazeze kishin pushtuar Shkodrën ëndërrën e disa gjeneratave malazezësh. Knjazi po hynte triumfalisht, aty ku dështoi turpshëm trimëria e famshme e malësorëve malazezë, para vijave të fortifikura të mbrojtësve shqiptaro-turq, myslimanë e katolikë të Shkodrës.

Shoferi është Vojo nga fisi i Vesovicëve, që po drejton një veturë luksoze të firmës së famshme austro-hungareze Lohner-Werke. Për mbretërinë e vockël të Malit të Zi një  makinë e tillë e firmës së mbiquajtur k.u.k. Hofwagenlieferant (kompani, që prodhim vetura për mbretër) ishte tepër e kushtueshme. Të njëjtën makinë si kjo e Knjaz Nikollës kishin edhe mbretërit e Norvegjisë, Suedisë, Rumanisë si edhe Karli trashëgimtari i Fronit të Perandorisë Austro-hungareze. Makina ishte dy nga dhuratat e çmuara, që Cari Nikolla II i Rusisë i bëri Knjazit malazez, kur ai u vetëshpall mbret në 28 gusht 1910. Dhurata tjetër ishte dhënia e gradës madhore feldmareshal i Perandorisë Ruse, kjo gradë për të huajt i ishte dhënë vetëm Knajzit dhe Dukës së Uellingtonit, që mundi Napoleon Bonopartin në Betejën e Vaterlosë.

Kjo fotografi e triumfit afatshkurtër malazez në Shkodër është një kujtim e dëshmi e hidhur e pasojave të tmerrshme, që pati Lufta e Parë ballkanike për copëtimin e shkalafitjen e tokave të banuara nga shqiptarët në Ballkan. Pas thuajse 105 vitesh, kjo foto mbetet ende aktuale. Ajo duhet të shërbejë si paralajmërim për Esad Pashat e Shek. XXI, që mos t’ia falin tokat shqiptare Malit të Zi (e kujtdo shteti tjetër) sikur të jenë lopë apo dele, që ua ka lënë baba trashëgim pas vdekjes! Një shtet nuk fal e shet tokat e veta as për para, as për viza Shengen, as për lavdërime e fjalë të ëmbla në hava. Një shtet ia cenon të huajit tokat e veta vetëm, kur mundet në fushën e betejës sipas parimit, që romakët e mësuan nga galët fitimtarë : Vae Victis-Mjer të mundurit! Luftën e fundit në Kosovë fatmirësisht në sajë të Amerikës dhe NATO-s e fituan shqiptarët. Kjo fitore e NATO-s dhe e shqiptarëve e bën të pamundur për sllavët shëtitjen triumfale me vetura luksoze në tokat shqiptare. Princi Nikola II, nipi i Princ Mirkos së kësaj fotografie njëkohësisht Duka i Zetës dhe Grahovos nuk mund të ketë fatin e një triumfi të përkohshëm si ai i gjyshit të vet në kryeqendrën e Shqipërisë së veriut, në Shkodër! Në këto fjalitë e fundit e kam fjalën për atë meselenë e turpshme të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe këshillën e Kryeministrit Rama për politikanët kosovarë, që t’ia falin ca mijëra hektarë tokë komshijes malazeze, se nuk u bë qameti!

GJERGJ THANASI/ Gazeta InfoPress

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400