Me njerëzit e luftës në pushtet kriminaliteti do të rritet, qytetarët do të varfërohen!

14:38 / E mërkure, 31 Janar 2018

 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është gjëja më sublime që ka ndodhur në shekullin e fundit, mirëpo krahu i luftës, të cilët ishin në pushtet dhe përfituan nga lufta, duke ndërtuar pallate dhe duke bë milionët janë e zeza e Kosovës së pasluftës. Të mburremi me ushtarët e UÇK-së, dhe të mallkojmë përfituesit ne emër të saj!

Gazeta InfoPress – Nehat Shaqiri

Kosova dhe qytetarët e saj çdo vit e më shumë po përballen me situata të vështira jetese.

Që nga përfundimi i luftës, secili vit që ka shkuar ka qenë një shpresë se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se ai i kaluari, mirëpo këto ishin vetëm dëshira të pa realizuara, sikurse dëshirat e fëmijëve në prag të vitit të ri.

Entuziazmin e qytetarëve se do tëbëhet më mirë e kanë arritur edhe politikanët me premtime marramendëse gjatë fushatave parazgjedhore.

Premtimet e tyre, ishin mjaftë të mira si teori, qytetarët kanë shpresuar se një përqindje bukur e mirë e tyre do të realizohen, mirëpo këto mbetën vetëm fjalë politikanësh dhe me përfundimin e zgjedhjeve ato harroheshin.

Për vite me radhë ka ndodhur një gjë e tillë. PDK-ja, LDK-ja besa edhe AAK-ja, parti këto që pushtetin pothuajse se kanë lëshuar kurrë, ishin errësira e rinisë kosovare.

Premtimet e tyre as minimalisht nuk janë realizuar, madje disa të tilla i kanë përsëritur saherë që kishte zgjedhje në Kosovë, e edhe sot e kësaj dite askush prej pushtetarëve tanë nuk i kanë realizuar premtimet e tyre.

Se pushteti ju ka shërbyer pushtetarëve tanë për përfitime materiale personale dhe klanore kjo po shihet haptas.

Edhe kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një nga vendimet e para që mori pas ardhjes në Qeveri ishte rritja e pagave për vete dhe stafin e tij.

Përveç kësaj, ai u shfaq në postin e kryeministrit sikurse babadimri i Vitit të Ri, me dhurata duke gëzuar fëmijët. Haradinaj fali miliona euro borxhlinjve të shtetit të Kosovës, dhuroi mijëra euro për familjet e Grupit të Kumanovës, i bëri mbi 70 zëvendësministra, vetëm e vetëm që klanet mafioze të tyre mos të shuhen, dhe në këtë mënyrë u dhuron mijëra euro në muaj nga buxheti tejet i varfër i shtetit të Kosovës.

Kjo dëshmon qartë, se secili kryeministër ndër vite që ka pasur Kosova, kanë punuar vetëm për interesat klanore të tyre. Nepotizmi ishte dhe mbetet gjëja e shëmtuar që po ndodh nëpër institucionet kosovare.

Andaj, deklaratat se krahu i luftës duhet larguar nga institucionet e shtetit është jashtëzakonisht e mirëpritur nga qytetarët dhe drita e vetme në fund të tunelit.

Pa largimin e krahut të luftës, kriminaliteti do të rritet, Kosova vetëm do të varfërohet, do të bllokohet nga shtetet mike të saj, dhe qytetarët do të jetojnë të izoluar brenda territorit të Kosovës.

Prandaj, udhëheqësit e shtetit duhet ndryshuar, dhe duhet zëvendësuar njerëzit e luftës me njerëzit e penës dhe dijës!

Një kërkesë për largimin e krahut të luftës nga politika është bërë kohë më parë nga diplomati amerikan Xhejms Rubin.

Para disa vitesh ai kishte deklaruar se,shpreson që krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është ose bëhet shumë vonë, por ata nuk e dëgjuan këshillën e tij.

Prandaj, secila ditë që i zë në pushtet, do të shënoj një ditë zie në historinë e re të Kosovës. E ardhmja do ta vërtetoj ketë.

Për ta vërtetuar këtë, se krahu i luftës është pengesa, terri i Kosovës ka deklaruar edhe miku i madh i shqiptarëve e diplomati amerikan, William Walker .

Walker ka shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen aktuale në Kosovë, duke thënë se gjërat nuk janë duke ndryshuar dhe se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë.

“Aktualisht klasa politike që udhëheq vendin ka dalë nga lufta, përderisa tani është koha që ky shtet të ketë një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë. Të gjithë theksojnë se dëshirojnë ndryshimin, por unë ndryshimin nuk po e shoh”, ka pohuar ai.

Deklaratat e tilla janë të mirëpritura nga qytetarët, të cilët shpresojnë në një “revolucion” pas ndërrimit të kriminelëve të veshur me petkun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është gjëja më sublime që ka ndodhur në shekullin e fundit, mirëpo krahu i luftës, të cilët ishin në pushtet dhe përfituan nga lufta, duke ndërtuar pallate dhe duke bë milionët janë e zeza e Kosovës së pasluftës.

Të mburremi me ushtarët e UÇK-së, dhe të mallkojmë përfituesit ne emër të saj!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400