Pushtetarët e zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion ndihmojnë spastrimin etnik në Mitrovicën veriore!

12:55 / E hëne, 11 Dhjetor 2017

 

Për qytetarët shqiptarë të pjesës së Mitrovicës veriore, pronat e tyre tashmë janë të “huaja”! Disa prej tyre nuk i kanë vizituar pronat e tyre, shtëpitë apo banesat që nga përfundimi i luftës! Ata janë refugjatë në Kosovë – kështu po cilësohen tashmë!

Nehat Shaqiri

Kaluan vite e vite në Kosovën e pas luftës, mirëpo nuk kemi ndryshime, apo zhvillime të dukshme për mirëqenien e qytetarëve dhe lëvizjen e lirë brenda territorit të Kosovës.

Kosova çdo ditë e më shumë po ngecë! Qytetarëve të Kosovës dita-ditës po i’u vështirësohet jetesa, gjendja ekonomike në Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë, si asnjëherë më parë jemi të izoluar brenda Kosovës, dhe kjo është ekskluzivisht për fajin e qeveritarëve tanë, së bashku me partitë politike tjera të cilat çdo herë kanë lakmuar pozitën dhe për interesa private, klanore dhe partiake kanë sjellë trazira në Kosovë, që shpesh herë nuk e kemi pas as përkrahjen e shteteve mike apo bashkimit evropian.

Anash kësaj, pra, menjëherë pas përfundimit të luftës, kemi pas shpresa të mëdha, ambicie dhe kurajë, se Kosova do të bëhet një shtet zhvillimor që të paktën shtetet e rajonit do ia kenë lakminë, megjithatë ndodhi e kundërta. Mali i Zi, disa vite më vonë se Kosova u bë shtet, ndërsa tani është pjesë e NATO-s, kurse Kosova ka qindra probleme, qindra ngecje për shkak të kokëfortësisë së diplomatëve tanë brenda dhe jashtë Kosovës.

Gjatë viteve kur ne ishim nën diktaturën e kryekriminelit serb Sllobodan Millosheviç, qytetarët të paktën në fillimet e asaj diktature e kanë pas mundësinë e lëvizjes së lirë sidomos në ish Jugosllavi, e sot këtë lëvizje të lirë e kemi vetëm me Shqipërinë, ndërsa jo edhe në veriun e Kosovës!

Si fëmijë që isha gjatë luftës në Kosovë, më kujtohen disa detaje interesante kur të gjithë shqiptarët ishin bashkë njëri për gjithë, e të gjithë për njërin!

Kjo ishte mesa duket koha e vetme kur kemi menduar për të tjerët, pasi tash, politikanët tanë mendojnë vetëm për veten, familjen e tyre, klanet e tyre dhe për bashkëpartiakët.

Ajo kohë ishte vetëm shpresa! Me përfundimin e luftës, në vend që të filloj një jetë e re, dhe e lumtur për kosovarët, atyre i’u shuan edhe shpresat!

Me mbarimin e luftës iku edhe armiku për të kaluar vetëm matanë lumit Ibër në Mitrovicë!

Në fytyrat e kosovarëve shihej një buzëqeshje e lehtë, ishin të lumtur, pasi shpëtuan prej regjimit serb. Për ta filloi një jetë e re, një frymë e re.

Më pas filluan punën edhe institucionet e Kosovës, si asnjëherë më parë!

Kjo ishte nj revolucion për shqiptarët. Shpresat u rritshin për të ardhmen e ndritur të tyre!

Më pas, kaluan disa vite, por shpresat ishin ende tek Pavarësia e Kosovës, se pas kësaj do ndryshojnë gjërat – as kjo nuk ndodhi! Kosova mbetet përsëri e izoluar dhe e bllokuar si asnjëherë më parë.

Kosova pas pavarësisë u shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga shtetet më të fuqishme të Botës, megjithatë ende kemi punë për të bërë, jemi shumë larg liberalizimit të vizave dhe BE-së, dhe kjo është një rrugë e gjatë për Kosovën.

Anash anëtarësimit tonë në strukturat evropiane, kemi ngecje brenda Kosovës. E kemi problemin e Mitrovicës, ndarja e saj është bërë pikërisht nga mos vullneti i politikanëve tanë për të punuar më tutje në këtë pjesë të Kosovës.

Njëra nga pjesët më të çmuara të Kosovës mbeti në duart e Serbisë!

Veriu, apo pjesa e Mitrovicës andej lumit Ibër menaxhohet kryesisht nga serbët dhe Serbia. Mos të harrojmë se aty i kemi edhe bazat ruse-serbe të cilat me organizatat e tyre tashmë kanë arritur edhe në Vushtrri dhe po shpërndahen në gjithë Kosovën, në enklavat ku jeton komuniteti serb.

Për qytetarët shqiptarë të pjesës së Mitrovicës veriore, pronat e tyre tashmë janë të “huaja”! Disa prej tyre nuk i kanë vizituar pronat e tyre, shtëpitë apo banesat që nga përfundimi i luftës!

Ata janë refugjatë në Kosovë – kështu po cilësohen tashmë!

Askush deri tani prej institucioneve të Kosovës nuk e ka marr mundin që të bëjë diçka për ta – të paktën kështu shprehen mitrovicasit e shpërngulur nga shtëpitë e tyre!

Shumë pak shqiptarë kemi në veri, edhe ata që kanë mbet janë të izoluar, pra u mungon lëvizja e lirë brenda qytetit të tyre, qytetit të lindjes!

Edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në pjesën veriore, përballen me linçime të ndryshme, si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët – politikanët e pjesës jugore të cilët bashkëpunojnë në krim të organizuar më serbët e veriut. Andaj, kjo është arsyeja pse nuk bëjnë asgjë për qytetarët shqiptarë të pjesës veriore të Kosovës, sepse duan të ketë spastrim etnik dhe krimet e tyre – kontrabandat me serbët t’i bëjnë haptas në veri!

Po, po! Kjo është e vërteta dhe ky është qëllimi i institucioneve të Kosovës, i pushtetarëve tanë të cilët janë zhytur deri në fyt në krim të organizuar dhe korrupsion!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400