Serbia pengon në çdo nismë ndërkombëtare Kosovën, BE-ja hesht!

13:22 / E martë, 17 Tetor 2017

 

Infopress/ Donjeta Jashanica

Kosovës i është pamudësuar nga Beogradi të marrë pjesë në Procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia e ka penguar Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin të jetë i pranishëm në këtë takim.

Edhe pse Kosova është pjesë e Ballkanit Perëndimor, e që nënkupton se do të duhej të ishte pjesëmarrëse në këtë diskutim, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ministrit Pacolli, thuhet se nuk i është dërguar ftesa, për shkak të mosmarrëveshjes zyrtare mes Prishtinës e Beogradit.

Sa i përket kësaj teme, për “Infopress” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai këtë e ka komentuar duke thënë se kjo nënkupton që Serbia nuk është e interesuar për konstruktivitet e stabilitet në rajon, kur është në pyetje Kosova. Ai më tutje tha se përveç kësaj, ky veprim nënkupton dështim të dialogur të Brukselit, qëllim i të cilit ishte përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kjo është edhe një tregues i qartë se Serbia nuk është e interesuar për  konstruktivitet dhe stabilitet në rajon, kur është në pyetje Kosova. Mbase këtë duhet të kuptuar edhe si një dështim të dialogut të Brukselit, që kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërtimi i mundësive për bashkëpunim reciprok dhe pranim i realitetit që ekzistojnë dy vende që duhet ta ndërtojnë të ardhmen për qytetarët e vet”, ka theksuar Harizi.

Më tej ai shtoi se kjo nuk do të ishte diçka e re, e as e papritur, pasi Serbia do të mundohet edhe për një kohë që ta pengojë Kosovën për pjesëmarrëje në këto nisma ndërkombëtare me qëllim demtimin e Kosovës, qoftë në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik, sidomos në arenën ndërkombëtare.

Haziri tha gjithashtu se me mospjesëmarrjen e Kosovës në diskutimet për Procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Përendimor, po humb tempon e zhvillimit të këtij procesi, por jo edhe largimin apo shmangien nga ky proces, ngase sipas tij, Serbia ka shfrytëzuar rastin pasi ky takimi u bë në Beograd.

Analisti Haziri u shpreh optimist se Kosova do të jetë e pranishme në diskutimet që do të mbahen në qendrat e tjera të Ballkanit.

Mendimin e tij lidhur me këtë çështje, e ka dhënë edhe analisti politik Rexhep Shahu. Ai ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Beogradi po humbasin nga mungesa e marrëveshjeve dhe e paqes mes këtyre vendeve.

“Kosova dhe Serbia humbasin të dyja nga mungesa e marrëveshjeve dhe e paqes mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Shahu.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka më luksin të bisedojë apo të bëjë marrëveshje në interes të Serbisë, për ta çdemonizuar Serbinë, apo siç ka theksuar ai “për ta bërë të mirë Serbinë, siç ka ndodhur me qeverinë Thaçi”.

Ai tha edhe se Kosova është e pashmangshme në Ballkan, dhe si e tillë, sa më shumë që Beogradi synon ta anashkalojë apo shmangë Kosovën, ajo do t’i rëndojë më shumë në qafë Serbisë.

Shahu nuk e quajti ndonjë humbje të madhe mospjesëmarrjen e Pacollit në kuadër të diskutimeve për Procesin e Berlinit, dhe sipas tij, në këtë rast e ka bërë ftesën Beogradi, por kur ta bëj Berlini, Kosovën nuk mund ta shmang askush, nëse nuk e shmang vetë Berlini.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, tha për “Infopress” se nuk ka kush ta ndalojë Serbinë me çdo kusht ta pengojë Kosovën si zakonisht në të gjitha  organizmet dhe antarsimet që aplikon Kosova.

Duke e quajtur të padrejtë këtë poltiikë të Serbisë, Burjani tha se Serbisë duhet t’i  vendoset kusht kryesor që nëse e pengon Kosovën në anëtarësim në orgnaizatat ndërkomëbtare, i mbyllet dera për në BE.

Por, për këtë, Burjani tha se përgjegjëse është edhe Kosova dhe MPJ, ku tha se nëse Serbia e pengon vazhdimisht  Kosovën, s’ka dialog, ngase kjo i bie që Serbia nuk do normalizim të raporteve.

Burjani tha gjithashtu për “Infopress” se nuk ka kohë për të humbur, dhe se Kosova duhet të lihet e qetë të antarësohet në OKB, UNESKO e BE, duke përfunduar se Serbia e ka parë paftësinë e Bashkësisë Ndërkombëtare, e si pasojë e ka shndërruar situatën në cirk.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400