Shqiptar mos rri po (Zh)duku shqiptar!

15:27 / E hëne, 20 Nëntor 2017

 

Për rastin Sopoti para komisionit parlamentar ka dëshmuar edhe ish-ambasadori i NATO-s në Maqedoni, Nikolas Bigman, i cili tha me bindje jo pa arsye: “Banorët (shqiptarë) te dënuar të Sopotit janë të pafajshëm.”

Ramadan Veliu

Nëse do të provonte dikush që efekteve të qeverisjes së shqiptarëve me maqedonët t’u bënte një paraqitje në formë matematikore, atëherë ajo do të kishte disi këso forme:

M(A(t)) = (Sopoti+Brodeci+Monstra+Kumanova)/ Idrizova (burgu)

Ku me A janë shënuar shqiptarët, apo nëse doni edhe Ali Ahmeti, pasi që ai ka qenë faktori kryesor në bashkëqeverisjen me maqedonët, ndërsa t- koha e qeverisjes.

Nëse sipas definicionit funksioni matematikor paraqet një relacion, një rregull apo ligj sipas të cilit vlerat e një variable transponohen në vlerat e funksionit. Atëherë termat e këtij funksioni janë:

Rasti Sopoti (2003), në fshatin Sopot një xhip i Natos duke kaluar nëpër fshatin Sopot për të shkuar në fshatin Sushevë ka hasur në një minë ku humbën jetën 2 ushtarë të Natos dhe një përkthyes. Gjykata mori vendim që për këtë rast të fajësohen 13 shqiptarë banorë vendas, ku 5 veta u dënuan me 156 vjet burg dhe 6 persona u arratisën jashtë vendit.
Rasti i Brodecit (2007): në rastin “Stuhija Malore”, që ndodhi më 7 nëntor të vitit 2007 në fshatin Brodec të malësisë së Sharrit, ku banorët u sulmuan në befasi kinse për mbledhje armësh. Në këtë aksion tinëzar të policisë maqedonase humbën jetën shtatë persona, ndërsa dhjetë të tjerë u dënuan më gjithsej 113 vjet burg.
Rasti Monstra: Ku më 12.04.2012 tek Liqeni Smilkova, u vranë katër të rinjë maqedonas: 17-21 vjeç dhe një peshkatar. Për këtë rast 6 shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm.
Rasti Kumanova (maj 2015): 18 të vdekur, 37 të dënuar më 746 vjet burg dhe 6 dënime të përjetshme.
Të gjitha këto raste që kanë ndodhur në çdo tri katër vjet janë të montuara dhe të organizuara nga shërbimi sekret maqedon në bashkëpunim me shërbime tjera serbe, ruse etj. me qëllim të shkaktimit të frikës tek shqiptarët, për t’u arratisur, për të nxitur urrejtje ndëretnike, për të shkaktuar konflikte ndëretnike, për mos dhënie të të drejtave të shqiptarëve duke i paraqitur si faktor destabilizues, për të fituar simpatinë e ndërkombëtarëve dhe për t’i ndëshkuar shqiptarët duke ua rrudhur të drejtat politike.

U thirra në një paraqitje matematike më tepër në mënyrë simbolike, pasi që matematika qëndron shumë larg nga retorika e fjalimeve glorofikuese, propagandës dhe manipulimeve të rezultateve. Matematika të konfronton direkt me rezultate të prekshme dmth. me vlera empirike te sakta. Pra është më se e domosdoshme që shqiptarët të lënë fjalët e mëdha, por në mënyrë matematike të shohin, të masin rezultatet dhe efektet e veprimtarisë së tyre!!

Nëse Maqedonia si për nga numri i popullsisë, si nga madhësia e territorit, fuqia ekonomike, apo roli në skenën politike europiane a më gjerë, është një shtet i vogël, ajo me aferat dhe skandalet e mëdha është shndërruar në një laborator të madh dhe shumë të rrezikshëm.

Kur përmendet fjala laborator i madh, doemos më shkon mendja tek laboratori, ndoshta më i madh në Botë i Fizikës CERN, që ndodhet në qytezën Meyrin të Gjenevës në Zvicër. Ajo që eksperimentohet në laboratorin CERN, më përkujton në mënyrë shumë groteske at që shovinistët maqedonas po eksperimentojnë në Maqedoni:

Dihet se “vrimat e zeza” (black holës) janë formacione shumë misterioze, për të cilat dihet shumë pak dhe që i gëlltisin çdo gjë për rreth, për shkak të gravitacionit shumë të fuqishëm që i karakterizon ato. Sa për kuriozitet sikur Toka të shndërrohej në një trup të tillë ajo do të rrudhej në dimensionet e një topi të pingpongut. Derisa në CERN në LHC (Large Hadron Collidier) me nxitimin e protoneve dhe neutroneve deri në shpejtësinë e dritës, pas përgatitjeve shumë vjeçare u bë i mundur krijimi artificial i MBH (Mini Black Holes) i «mini vrimave të zeza», në laboratorët kriminalë maqedonas po krijohen vazhdimisht «vrimat e zeza», të cilat po i gëlltisin shqiptarët në mënyrë shumë misterioze.

Derisa në CERN po hulumtohen natyra dhe vetitë e «dark matter» dmth. të „materies së errët“, nga laboratorët kriminal të politikës maqedone u lansuan inskenime kriminale për të krijuar një «albanian dark matter» respektivisht një “masë të errët shqiptare“, për të ndërmarr pastaj një gjah të lirë shtrigash mbi shqiptarët e pafajshëm.

Derisa para pak ditësh në CERN nën masa të rrepta kontrolli u krijua për herë të parë «antimateria«, e cila kur kontakton më materien normale asgjësohen reciprokisht, në laboratorin maqedonas përmes fabrikimit kriminal të aferave në mënyrë industriale po krijohet një «antimaterie politike» dmth. antishqiptarizmi maqedonas. Derisa në CERN të gjitha këto eksperimente mbahen nën kontroll të rreptë përmes fushës së fuqishme magnetike, në Maqedoni eksperimentet antishqiptare po mbahen nën kontroll po ashtu te rreptë përmes shantazhit dhe korrupsionit të figurave politike shqiptare.

Për rastin Sopoti para komisionit parlamentar ka dëshmuar edhe ish-ambasadori i NATO-s në Maqedoni, Nikolas Bigman, i cili tha me bindje jo pa arsye: “Banorët (shqiptarë) te dënuar të Sopotit janë të pafajshëm.”

Rasti Brodeci ishte një provokim i rëndë i forcave policore ushtarake maqedone ku vranë 6 , u plagosën 12 ku u arrestuan, u keqtrajtuan dhe u dënuan me dhjetëra shqiptarë të tjerë.
Për Rastin Monstra gazetari Zoran Bozhinovski deklaroi publikisht: “Ajo që kam mësuar sot për rastin “Liqeni i Smilkovës” dhe atë që unë kam ne dorë, nuk duhet ta publikoj pa mbrojtje dhe përgatitje të duhur. Por unë mund të bëj publikisht këtë pyetje:
Z. Trajko Veljanoski, çka bënin tek JU në shtëpi djemtë disa orë para se të vriteshin?!!
Mos të harrojmë se Trajko Veljanoski ishte disa vite zyrtar i lartë në Ministrinë e drejtësisë deri edhe kryetar i Parlamentit të Maqedonisë. Krimi i bërë në Liqenin e Smilkovës, i ka të gjitha parametrat dhe indikacionet e krimit në lokalin „Panda“ të Pejës, ku nga shërbimi sekret serb, u vranë 6 të rinj serbë për t’i fajësuar dhe për tu hakmarrë pastaj mbi shqiptarët ë pafajshëm.
Për Rastin Kumanova dihet se i tëri ishte i montuar, ishte një kurth e krerëve politik e shtetëror të Maqedonisë me Nikolla Gruevskin në krye, ku për inskenimin e këtij skenari janë dhënë 2-4 milion euro. Këtë e pohoi vetë Gruevski i cili këto ditë deklaroi së plani ishte që ata të ziheshin së bashku.
Sopoti, Brodeci, Smilkova. Kumanova janë vetëm disa nga krimet më monstruoze, por matrica e krimeve maqedone shkon edhe më tej: si Sllupçani, Kondova, Tanusha, Shipkovica etj Të mos flasim për konfliktet ndëretnike te huliganëve maqedonas kundër shqiptarëve, të motivuara nga këto inskenime kriminale. Rast i vogëlushit 4 vjeçar Almir Aliut, që u shtyp me makinë qëllimisht nga një huligan maqedonas, tregon se deri ku ka arritur histeria antishqiptare e nxitur dhe e ushqyer nga qarqet më të larta politikbërëse maqedone por edhe e mbështetur në heshtje nga politikanët shqiptarë.
Sot kur në Maqedoni ka aq shumë vëzhgime të zhvillimeve, aq shumë incizime të gjithçkaje që ndodhë atje, kur ish kreu i opozitës e tani mandatari i qeverisë Zoran Zaev deklaronte se posedonte incizime që e nxirrnin rastin e Liqenit të Smilkovës të inskenuar, por që nuk publikohen për të mos shkaktuar tronditje politike, ndërsa dihet se shqiptarët po mbahen të pafajshëm në burg.
Nëse sipas principeve të drejtësisë së mirëfilltë: Më mirë është që dhjet kriminelë të paidentifikuar të rrinë në liri, së të dënohet një i pafajshëm. Për drejtësinë Maqedone vlen e kundërta: Më mirë qindra shqiptarë të pafajshëm në burg, se sa një ose disa kriminelë maqedonë botërisht të njohur të burgosen!
Ali Ahmeti kot qëndrove në burg, kot luftove, kot hyre në politikë: shqiptarët asgjë nuk e kishin më keq më parë se sa tani!
Të kesh aq shumë informata për këto skandale e inskenime kriminale, të të vriten shokët e luftës para syve, të torturohen neper institucionet tua shokët në mënyrën me çnjerëzore deri ne thyerje kockash e gjymtyrësh, ata shokë që ta mundësuan te ulesh aty ku tani je në pushtet me ata që të gjitha i përgatitën në kuzhinat e tyre antishqiptare, të mos jesh në gjendje asgjë ama bash asgjë të ndërmarrësh në dobi të viktimave të pafajshme shqiptare, të vie të klithësh ne kupë te qiellit me thirrjen pak të modifikuar Çajupiane:
SHQIPTAR MOS RRI PO (ZH)DUKU SHQIPTAR!
Ndoshta pritet një Emil Zola i dytë të shkruaj një «J’accuse» të re.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400