Thaçit i bie poshtë edhe një opsion, s’mund të organizojë referendum

15:17 / E diell, 12 Gusht 2018

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do të lëvizë të gjithë gurët deri në arritjen e qëllimit të tij – lëvizjes së kufijve me Serbinë. Duke parë se refuzohet masivisht nga spektri politik, i pari i vendit po e përmend referendumin. Juristja nga opozita, Vjosa Osmani, i këput Thaçit shpresat se mund të vendos i vetëm për referendum, ndërsa analisti Astri Gashi thotë se Presidenti po e përmend referendumin t’i frikësojë ata që po e refuzojnë.

Presidenti Hashim Thaçi po përballët me një bojkot nacional në secilën deklaratë të tij në raport me dialogun me Serbinë. Njëjtë edhe ideja e tij për “korrigjim kufijsh” dhe “bashkimin e Luginës me Kosovën”, e cila po shihet si ndarje ose shkëmbim i territoreve me Serbinë.

Megjithatë, Thaçi bojkotuesit e tij i ka paralajmëruar se do të vazhdojë me idenë e tij, me ose pa ta.

Referendumi, thotë Presidenti, mund të jetë mjeti i tij për të dëshmuar se kush ka të drejtë.

Mirëpo, mbajtja e një referendumi nuk mund të ndodhë për shkak se edhe më tutje nuk është votuar ligji, që përcakton procedurat e organizimit te referendumit, por Presidenti Thaçi thotë se po punon që ky të bëhet realitet.

Deputetja juriste e LDK’së, Vjosa Osmani, i ka thënë Gazetës Express se Presidenti Thaçi nuk mund të vendosë rreth referendumit. Edhe kjo, si shumëçka tjetër, Osmani thotë se del jashtë kompetencave që ka Presidenti.

“Presidenti nuk mund të vendos vetë për referendum, sepse nuk e ka këtë kompetence kushtetuese. Kurdo që miratohet ligji, do të jetë Kuvendi, e jo Presidenti, institucioni që do të votojë nëse një çështje e caktuar do te vendoset nëpërmjet referendumit”, ka thënë Osmani të enjten për Gazetën Express.

Ajo thotë se në momentin që mund të mbahet një referendum, fjalën kryesore do ta kenë deputetët.

“Deri tani ky ligj nuk është miratuar. Kurdo që miratohet ligji, do të sigurohemi qe te respektohen parimet bazë të një sistemi parlamentar, ku Kuvendi e ka fjalën kryesore kur vendoset që diçka të dërgohet në referendum”

Analisti Astrit Gashi e sheh referendumin si mjet që Thaçi po e përdorë për të kërcënuar partinë e Osmanit, LDK’në.

“Ky është një mesazh dhe në të njëjtën kohe edhe si një kërcenim ndaj opozitës, me saktësisht ndaj LDK se me ose pa mbështetjen e tyre ai do ta çojë deri në fund Marrëveshjen me Serbinë”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, ideja e Thaçit është që të alarmojë opozitën se mund t’i dalë në krye marrëveshjes së dialogut edhe pa ndihmën e tyre.

“Thaçi po ju dërgon mesazh se në këtë mënyre nëse edhe pa ai e kryen punën, atëherë LDK dhe opozita do te mbesin pa asnjë copë tortë nga ky proces – qëi bie se nuk do të ofrojë zgjedhje as tash e 6 muaj pas përfundimit të marrëveshjes. Pra, është kërcenim se nëse nuk hyni ne dialog unë nuk do të ju jap asgjë pastaj”.

Mbajtja e referendumit në Kosovë dhe Serbi, pas një marrëveshjeje mes Thaçit e homologut të tij serb, Aleksander Vuciq, është përmendur edhe më parë. Vuciq në Serbi ka thënë se nëse arrihet marrëveshja e mundshme me Kosovën, në fund do të pyetën edhe qytetaret e Serbisë nëse pranojnë ose jo marrëveshjen.

Ndërsa, kur flitet për mundësinë e mbajtjes së një referendumi në Kosovë, sipas Kushtetutës, ai është një mjet i shprehjes së vullnetit të popullit, megjithatë duhet votuar paraprakisht në Kuvend Ligji për Referendumin, që përcakton se si mund të mbahet një referendum në vend.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”, thuhet në nenin 2 të Kushtetutës.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

Në Kosovë ideja e Thaçit është kundërshtuar nga LDK, AAK e NISMA. Ndërsa, VV ende s’e ka një pozicionim të qartë.

Duke mos pasur mbështetje dhe fuqi politike, Thaçi nëpër konferenca për media, ka nisur të lëshojë akuza në drejtim të mediave, duke thënë se një pjesë e tyre po flasin me gjuhën e Vucicit.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë, Shefi i Shtetit ishte detyruar të kërkonte falje për një akuzë të tillë, marrë parasysh se idetë për ndryshim kufijsh prej vitesh promovohen nga Aleksander Vucic e Ivica Dacic, dy njerëzit kryesorë të Sllobodan Milloshevicit gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400