Vetëm Gjykata Speciale mund t’a pastroj skenën politike kriminale të Kosovës!

18:22 / E diell, 24 Dhjetor 2017

Gazeta InfoPress – Nehat Shaqiri

Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjëlloj dileme se krijimi i Gjykatës Speciale ishte jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme, me rëndësi të jashtëzakonshme për të mirën e shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës, që janë në pengun e gjërave të shëmtuara kriminale që kanë ndodhur, para, gjatë dhe pas luftës, dhe të cilat duke mos qenë të zbardhura, reflektojnë rrezikshmëri të lartë.

Gjykata Speciale është formuar për shkak të mos punës së institucioneve të Kosovës, përkatësisht institucioneve të drejtësisë.

Dikasteri i drejtësisë në Kosovë, është më i korruptuari andaj edhe ka ngecur në pikën nën zero, pasi pothusje nuk kemi asnjë kriminel ordiner të dënuar. Kjo ka ndodhur jo pse nuk kanë pasur fakte për të ekzekutuar dënimet e merituar për vrasësit serik, të cilët kanë kryer qindra vrasje që nga pas lufta në Kosovë, por për shkak të infiltrimit të tyre direkt apo indirekt në këto vepra kriminale.

Vrasjet e paslufte, shumica e tyre kanë ndodhur ndaj anëtarëve apo veprimtarëve të LDK-së, vrasjet të cilat tash quhen vrasje politike. E për këto vrasje, njëri prej drejtuesëve të veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj ka bërë deklaratë skandaloze duke thënë se “punë e madhe që u vranë njerëzit e LDK-së”.

Deklaratë kjo, e cila me apo pa dashje, tregon qartë se njerëzit e UÇK-së, janë infiltruar në vrasje, dhe një deklaratë e tillë, po të ishte i pavarur sistemi i drejtësisë, do duhej që menjëherë të fillonte me hetim.

Nasim Haradinaj, nëse vet nuk është i përlyer në vrasjet politike, atëherë pse vjen me një deklaratë të tillë? Pse e pengon Gjykata Speciale, kur dihet se Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës nuk guxojnë të marrin vendime për dënime për “komandantët” e luftës.

Dihet shumë mirë se Gjykatat e Kosovës veprojnë në mënyrë selektive, ata dënojnë për momentin vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LVV-së, me apo pa fakte nëse kjo i kërkohet nga “komandantët”.

Andaj, deklarata e Haradinajt është skandaloze, ashtu sikurse janë skandaloze edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale.

Pse? Sepse, këta janë për ckapjen e shtetit, kundër kësaj drejtësie selektive dhe janë pro dënimit të kriminelëve, ku nga kjo Gjykatë pritet që të bëhet një zbardhje e ndritshme e vrasjeve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale mund ta kthjellon skenën politike në Kosovë, duke dënuar kriminelët, duke pastruar UÇK-në për të ditur njëherë e mirë se kush ishte komandatë i vërtet e kush përfitoj nga lufta.

Sot thuhet që nga lufta kanë përfituar vetëm profiterat dhe abuzuesit e luftës, dhe këtë mund ta vërtetojmë pas dënimeve që do ti marrë Gjykata Speciale.

Lufta Çlirimtare e UÇK-së, është gjëja më e bukur dhe më e shenjt që ka ndodhur në shekujt e fundit për shqiptarët. Prandaj, në asnjë moment nuk fyhet lufta e drejt për çlirimin e vendit tonë nga Gjykata Speciale.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti, ndërsa idealin që e kishin luftëtarët e kësaj ushtrie është keqpërdorur pikërisht nga këta “komandantët” që uzurpuan dhe u pasuruan që nga lufta e deri më sot!

Gjaku i derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nga asnjë kauzë nuk mund të keqpërdoret, të fyhet dhe të nënçmohet nga të tjerët, e sidomos nga ata që thirrën në vlerat e kësaj.

Pse po e them këtë? Sepse, “veteranët dhe komandantët” sot e shtatëmbdhjet vite asnjëherë nuk e kthyen kokën nga luftëtarët e UÇK-së, asnjëherë nuk i ndihmuan ata që luftuan dhe që dhanë gjithçka për Kosovën. Madje nuk i ndihmuan as ata që mbetën pa gjymtyrët e trupit të tyre, as familjet e dëshmorëve që ranë për këtë tokë, e as veteranët e vërtetë të UÇK-së. Kjo kauzë ka sjellë edhe vetvrasje tek ish-ushtarët e UÇK-së, e këtë gjë nuk bënë të harrojnë as qytetarët e Kosovës e as OVL e UÇK-së!

Nuk duhet harruar edhe një gjë, se çka është krim dihet dhe krimi mund të jetë i infiltruar edhe në segmente të pastra dhe të ndershme, siç ka qenë UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e Kosovës, mirëpo, do të kishte qenë absurde nëse dikush do të përpiqej të thotë se nuk ka pasur në UÇK edhe kriminelë.

Kjo për faktin se, ka pasur vepra kriminale, ka pasur vrasje figurash brilante nga më të shkëlqyeshmet, atdhetarë që janë vrarë tinëzisht, si kolonel Ahmet Krasniqi, Ilir Konushevci, Ali Ukaj, Xhemal Mustafa, Enver Maloku, Ismet Raci, Shaban Manaj e shumë e shumë të tjerë, që janë vepra të kriminelëve të cilët duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e merituar, për t’ia lehtësuar udhën lirisë dhe për t’ia forcuar themelet shtetit të Kosovës.

Për fund, imazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të prishet as nga “patritotët” e OVL UÇK-së, e as nga Gjykata Speciale, e cila enkas për këta “komandantët” tanë është krijuar!

Lufta ishte e drejtë dhe e pastër, andaj rezultoi me përkrahje të fuqishme ndërkombëtare e rrjedhimisht edhe me fitore. Ish-veteranet e ushtrisë së lavdishme çlirimtare, përderisa në luftë janë kanë në gjendje të dhënë edhe jetën për Kosovën, atëherë pse duhet të jenë kundër krijimit të Gjykatës Speciale.

Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400