Zuckerberg është “diktatori” më i madh në botë

13:08 / E premte, 27 Tetor 2017

 

Në fillimin e tij, interneti ishte një vend idealist dhe i barabartë. Por, bota “ta shpif” dhe ne vazhdimisht e kemi bërë atë gjithnjë e më të centralizuar, duke e marrë pushtetin nga përdoruesit dhe duke ia dorëzuar atë kompanive të mëdha.

Gjëja më e keqe është se nuk mund ta rregullojmë – ne vetëm mund ta bëjmë pak më pak të tmerrshëm.

Ky ishte pak a shumë thelbi i diskutimit të bashkëthemeluesit të “Pirate Bay”, Peter Sunde, në festivalin e teknologjisë Brain Bar Budapest.

“Harrojeni të ardhmen”, thotë ai, “problemi është tani”.

Sipas mendimit të Sundes, njerëzit përqendrohen shumë në atë që mund të ndodhë, në vend të asaj që po ndodh. Ai shpesh merr pyetje se si mund të duket një e ardhme digjitale, por e vërteta është se ne po e jetojmë atë.

“Gjithçka ka shkuar keq. Ky është problemi, nuk ka të bëjë me atë që do të ndodhë në të ardhmen, por me atë që po ndodh tani. Ne i kemi centralizuar të gjitha të dhënat tona tek një djalë i quajtur Mark Zuckerberg, i cili në thelb është diktatori më i madh në botë dhe ai nuk është zgjedhur nga askush”.

“Trump është në thelb në kontroll të këtyre të dhënave që ka Zuckerberg, kështu që unë mendoj se ne jemi tashmë në këtë të ardhme. Gjithçka që mund të shkojë keq ka shkuar keq dhe unë nuk mendoj se ka mënyrë për ta ndalur”.

Një prej gjërave më të rëndësishme që duhen kuptuar është se problemi nuk është teknologjik.

“Interneti u bë për të qenë i decentralizuar”, thotë Sunde, “por ne vazhdojmë të centralizojmë gjithçka në majë të Internetit”.

Për të mbështetur këtë, Sunde thekson se në dhjetë vitet e fundit, pothuajse çdo kompani apo faqe interneti e teknologjisë së lartë është blerë nga pesë të mëdhatë: Amazon, Google, Apple, Microsoft dhe Facebook. Ata që arrijnë t’u largohen kthetrave të gjigandëve, shpesh përfundojnë duke iu shtuar centralizimit.

“Ne nuk krijojmë më gjëra, por kemi vetëm gjëra virtuale: Uber, Alibaba dhe Airbnb, për shembull, a kanë produkte? Jo! Ne shkuam nga modeli i bazuar në produkt, tek produkti virtual dhe deri në situatën ku pothuaj nuk ka produkt fare. Ky është procesi i centralizimit që po ndodh”.

Megjithëse duhet të jemi të vetëdijshëm për efektet aktuale të centralizimit, nuk duhet të harrojmë se do të përkeqësohet. Ka shumë shërbime të ardhshme të teknologjisë që janë në rrezik për t’u centralizuar, gjë që mund të ketë një ndikim të madh në jetën tonë të përditshme.

“Ne jemi super të lumtur për makinat me vetëngarje, por kush i zotëron makinat me vetëngarje? Kush e zotëron informacionin se ku munden dhe nuk munden të shkojnë? Unë nuk dua të ngas makinën me vetëngarje, që nuk mund të më shpjerë diku për shkak se dikush ka blerë një kopje të paligjshme diku tjetër”.

Sunde beson fuqimisht se ky është një skenar realist, meqë kompanitë gjithmonë do të duhet të vënë përfitimet financiare, përpara nevojave të njerëzve dhe shoqërive. Kjo është arsyeja pse duhet të kemi një diskutim më të madh etik në lidhje me teknologjinë dhe pronësinë, nëse nuk duam të përfundojmë duke jetuar në një distopi të nxitur prej korporatave (më e keqe se ajo e tanishme).

Duke ndjerë optimizëm, e pyeta atë nëse mund të luftojmë për decentralizimin dhe ta kthejmë pushtetin tek njerëzit. Përgjigja e tij ishte e thjeshtë.

“Jo. Ne e kemi humbur këtë luftë shumë kohë më parë. E vetmja mënyrë për të bërë ndonjë ndryshim është duke kufizuar fuqitë e këtyre kompanive – nga ndërhyrja e qeverive – por për fat të keq BE-ja ose SHBA-ja nuk duket se kanë ndonjë interes ta bëjë”.

Pra, ka ende shanse për një të ardhme më pak të tmerrshme. Kjo do të kërkonte një përpjekje të madhe politike. Megjithatë, për të arritur këtë, publiku duhet të informohet për nevojën për decentralizim – por historikisht kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

“Do të thosha se ne, si njerëz, e humbëm internetin në shoqërinë kapitaliste, nga e cila shpresonim ta merrnim. Kishte një hapje të vogël të një interneti të decentralizuar, por e humbëm atë sepse ishim naivë. Këto kompani na kanë verbuar duke bërë sikur po na ofronin një gjë të mirë. Si për shembull Spotify, që ofron muzikë, ka pasionin për muzikën, por shoqërohet me gjithë atë PR pas vetes”.

“Ajo që na bën është pak si duhanpirja. Big Data dhe Big Tobacco janë vërtetë të ngjashme. Më parë ne nuk e dinim sa i rrezikshëm ishte duhani në të vërtetë, por tani e dimë që shkakton kancer. Nuk e dinim që Big Data mund të ishte problem, por tani e dimë. Kemi pirë duhan nga big data dhe tani nuk e lëmë dot”.

Ashtu si me duhanin janë qeveritë që duhet të krijojnë kufizime. Megjithatë, është e vështirë të shohësh se si ndonjë qeveri – përveç aktorëve të mëdhenj si SHBA dhe BE – do të jenë në gjendje të kufizojnë gjigandët e fuqishëm të teknologjisë.

Sunde mendon se teksa BE bëhet e madhe, do të jetë më e vështirë për të miratuar ligje që janë në të vërtetë për njerëzit dhe që u japin njerëzve të drejta. Gjë që është për të ardhur keq, pasi BE teknikisht ka fuqinë legjislative për të bërë një ndryshim të vërtetë, kur është fjala për decentralizimin.

“BE mund të thotë se nëse Facebook dëshiron të veprojë brenda BE-së, ata duhet të pranojnë që të gjitha të dhënat duhet të jenë në pronësi të përdoruesit dhe jo të Facebook-ut. Sigurisht që kjo do ta mërziste Facebook-un. Atëherë çdo vend do të kishte frikë të ishte i pari që do të zbatonte ligjin, sepse Facebook do të largohej dhe të gjithë qytetarët e tij do të ishin pa duhanin e tyre. Ky është problemi që do të kemi gjithmonë”.

Sunde, megjithatë, është pak optimist (por jo me të vërtetë) pasi nuk mendon se kjo luftë duhet domosdoshmërisht të kalojë nëpër qeveritë monolitike, për të arritur një lloj rezultati të suksesshëm. Në fakt, mund të ketë më shumë gjasa që të ketë sukses në një nivel më të vogël kombëtar.

Për sa i përket kësaj, Sunde e përmend Islandën si një shembull, ku Partia Pirate, duke konkurruar me një platformë të politikave digjitale novatore, pothuajse mori pushtetin. Ndryshimet dramatike në nivel kombëtar, pavarësisht sa e vogël është popullsia, mund të kenë efekte të mëdha në bashkësinë globale. Në thelb do të thotë që vendet mund të udhëheqin nga shembulli.

Sunde, i cili është gjysmë norvegjez dhe gjysmë finlandez, thotë se një tjetër shembull i mirë është kur Finlanda e bëri aksesin në Internet, një të drejtë njerëzore në vitin 2010. Duke u dhënë njerëzve këto të drejta, qeverisë i duhej të përcaktonte se çfarë është interneti dhe parandaloi debatet e ardhshme për censurën – duke fuqizuar të drejtat e njerëzve kundër centralizimit të mëtejshëm.

Nëse shtetet-kombe me të vërtetë mund të lehtësojnë decentralizimin e mëtejshëm, siç sugjeron Sunda, atëherë ne mund të jemi në gjendje të pengojmë fuqinë e madhe të korporatave të mëdha. Vende si Estonia kanë treguar se politikanët mund të dalin me politika dixhitale, që në fakt ruajnë të drejtën e qytetarëve në një epokë digjitale.

Megjithatë, ne njerëzit jemi krijesa të palogjikshme, që nuk bëjmë domosdoshmërisht gjërat që janë të mira për ne: “Është më mirë për njerëzit, por nuk duam ta vuajmë atë sekondën e vetme pa duhanin tonë të shtrenjtë”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400