Analizë: Sjellja vulgare dhe gjuha perverse e Isa Mustafës

19:02 / E mërkure, 04 Janar 2017

 

Shkruan: SHEFQET DIBRANI

Sjellja vulgare dhe gjuha perverse e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, është e papranueshme, për vet faktin se ai është edhe kryeministër i vendit. Ky nivel kaq i ulët do të duhej të kritikohej nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe të gjykohej nga Prokuroria e Shtetit. Vesi i tij i keq dhe niveli kaq i ulët, është dashur të jetë pjesë e vazhdueshme e debateve publike në media dhe nëpër të gjitha organizimet që i bënë shoqëria civile. Sjellja vulgare dhe gjuha perverse e Isa Mustafës është dashur të qortohej goxha shumë edhe nga veteranët e ish LKJ-së, pasi dikush nga këta veteranë e dinë se ky fjalorë Isa Mustafës vjen nga kohërat e një kohe tashmë të përfunduar, sepse vulgarizmi dhe perversiteti i Isa Mustafës kanë qen të njohur edhe në mbledhjet partiake në nivelin lokal, ndërsa përvojën e hidhur mund ta rrëfejnë ata që e kanë kundërshtuar ose që u ka rastisur të ballafaqohen më të. Sidomos ai është i pamëshirshëm ndaj atyre që ua ka gjetur hallin?!

Për këto mani të Isa Mustafës, më së miri mund të dëshmojnë vartësit e tij, sidomos ata të cilëve Isa Mustafa ua ka kthyer shpinë ose siç thuhet në zhargonin popullor që ua ka futur thikën pas shpine, sepse ligësia dhe pabesia e politikanit është pjellë e logjikës komuniste, pasojat e së cilës, tashmë kah pleqëria, atij po i dalin më në pah.

Nëse merremi me një hulumtim më të thellë, përfundimet do të jenë shqetësuese, pasi Isa Mustafa po ndjehet si oligarkë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku tashmë po e luan rolin e monarkut, ndërsa Lutfi Haziri, Agim Veliu, Haki Rugova dhe sidomos sekretari gjeneral i tij, tezaku Ismet Beqiri, sikur po lozin rolin e myhibëve në rituale fetare, pasi asnjëri nga këta nuk guxon të bëzëjë?!

Isa Mustafa, posedon tipare të oligarkut komunist, prandaj me sjellje vulgare dhe me fjalorin pervers ka arritur ta dominoj politikën e leckosur dhe të dërmuar të LDK-së, ndërsa vartësit e tij ka arritur me sukses t’i shtyp e t’i bëjë zapt deri aty, sa asnjëri nga ata nuk kanë guxim e as kuraje ta kundërshtojnë, qoftë për fjalorin e tij të përdalë, por as për këtë degradim, deri në rrezikun për ç’thurje totale, që po ia bënë ai LDK-së në veçanti, dhe Kosovës në përgjithësi.

Nepotizmi është një mjet tjetër, të cilin vazhdimisht ai e ka futur në lojë, sikurse që ka ditur me mjeshtëri të manipulojë edhe me analfabetizmin e atyre që kanë grada të larta akademike. Këto rekuizita, janë vetëm disa nga tiparet, për të kuptuar ma mirë suksesin e tij të dominimit. Pikërisht janë këto arsye pse ne vazhdimisht mendojmë se Isa Mustafa, mbledh përreth vetes, zakonisht llumin e dijës, për të shkëlqyer paaftësia e tij prej një udhëheqësi teknokrat.

Mesa duket gjëja më pak e hulumtuar është, nëse Isa Mustafa, ishte apo nuk ishte i tillë edhe gjatë udhëheqjes diktatoriale në qeverinë e fundit të LKJ-së në Kosovë. Se ka qen një personalitet në pamje i butë, por në thelb agresiv, arrogant dhe me sjellje primitive kjo s’ka dyshim, se këtë e përfolin, jo vetëm zyrtaret e paktë nga Lidhja Komuniste por edhe student të tij që e kanë njohur më herët. Në këtë plan befason oportunizmi klasik i shoqërisë sonë, mentaliteti arkaik, për t’i thënë të keqes “merhaba?!”. Shoqëria civile dhe mediat e kanë për obligim, më qartë dhe më dukshëm, për të shpjeguar, se si arriti Isa Mustafa, për tu avancuar në poste politike, qoftë si organ i dhunshëm në Qendrën e Studentëve në Universitetin e Prishtinës, menjëherë pas demonstratave të pranverës studentore në vitin 1981, ose nëpër funksione të tjera të rëndësishme në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, periudha për të cilat ai në televizion është deklaruar se nuk ia heq asnjë prese.

Po ashtu nuk është folur sa duhet, e aq më pak është hulumtuar roli i tij negativ edhe në qeverinë e përkohshme të Bujar Bukoshit. As nuk dihet se kush e propozoi, dhe kush e avancoi në postin e Ministrit për Ekonomi dhe Financa, madje pa e dorëzuar librezën e Lidhjes Komuniste. Cili ishte roli i tij gjatë asaj kohe, sepse deklarata kontradiktore kemi të mjaftueshme. Ishte apo jo edhe kundër Ibrahim Rugovës, me të cilin për të gjallë nuk ka bashkëpunuar si duhet, pastaj cili ka qenë roli i tij i vërtetë në konfliktet Qeveri në Ekzil – Presidencë dhe cili ishte roli i tij në relacionin e konfliktit Qeveri në Ekzil – Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, sepse roli i tij përçarës e destruktiv kundër Degëve të LDK-së në Gjermani dhe Zvicër na është i njohur, ashtu siç na është mjaftë i njohur edhe një pjesë e rolit të tij përçarës, madje tragjik, kundër faktorit ushtarak, gjatë viteve 1998 – 1999.

Shpeshherë është thënë e potencuar se Isa Mustafa është politikani më hakmarrës, ndaj kundërshtarëve të tij, sidomos ndaj strukturave vartëse. Zgjedhjet e brendshme në parti kanë qitur në pah këtë ves. Por mohimi i procesit të rregullt zgjedhor në Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, dhe mohimi pa fakte i atij procesi, siç ka vepruar qendra në Prishtinë, është dashur ta tronditin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e EULEX, Prokurorinë e Shtetit, Vendet e Quintit, po veçmas është dashur të shqetësohen Ambasadat e ShBA-së, Gjermanisë, Anglisë dhe disa vendeve të tjera, të cilat është dashur të kërkojnë nisjen e një hetimi të thellë, për të parë sa thellë, Isa Mustafa dhe vartësit e tij, e kanë shtrirë rrjetin e nëntokës, duke abuzuar fillimisht me zgjedhjet e brendshëm partiake, për t’iu kthyer po me këtë avaz edhe zgjedhjeve në nivel lokal e qendror.

E, nëse KQZ, Organizata Joqeveritare e Institute përkatëse që merren me vëzhgimin dhe monitorimin e sistemit të brendshëm zgjedhor, i paskan lënë zgjedhjet e brendshme në LDK, në mëshirën e grupeve mafioze, gjendja bëhet edhe më shqetësuese. Sepse klanet e interesit me të njëjtin avaz kanë vazhduar ta shtrijnë kontrollin zgjedhor edhe në FR të LDK-së dhe FG të LDK-së, që janë mbajtur kohë më parë. Tashmë edhe në ato dy forume i kanë sistemuar vartësit e tyre dhe servilet në nivelin lokal. Sidomos kjo çështje është parë në FG të LDK-së, ku është injoruar dhe përbuzur femra akademike që ka LDK-ja. Sipas kësaj, do të thotë se sistemi i krimit të organizuar i ka futur rrënjët edhe për dy – tre mandate të tjera, prandaj të mos presim rezultate pozitive, dhe as reforma të duhura në legjislacionet e ardhshme, edhe nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sistemi i reformave duhet të nis në nivelet ma të ulëta duke siguruar bazë deleguese të shëndosh, për të shkuar tek kapot e krimit politik, ekonomik dhe legjislativ që janë inkorporuar, me pak përjashtime, në Kryesinë e LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm dhe në delegatët e kuvendit partiak. E keqja më e madhe për Kosovën është, se një gjendje ma e mirë nuk është as në partitë tjera, qofshin ato të koalicionit qeverisëse, e qofshin ato partitë opozitare.

Por gjëja më shqetësuese nëpër partitë politike, në foltoret e parlamentit dhe në diskutimet publike, mbetet instalimi i sjelljes vulgare dhe mënyra e shprehjes perverse që po e praktikojnë zyrtarët politik, të cilët kush ma shumë, dhe kush ma pak, kanë instaluar në mediat publike dhe në Parlamentin e Kosovës, arrogancën, dallkaukllëkun dhe nivelin e ulët gjuhësor, me të cilin është dashur të merrej drejtpërdrejtë prokuroria dhe institucionet përkatëse. Por si ka mundësi të ndërpritet kjo logjikë kur kryeparlamentari Kadri Veseli, po sidomos kryeministri Isa Mustafa, janë shembulli ma i keq i shprehjeve fyese dhe perverse. Si ka mundësi të kërkohet nga opozita të kërkojë ajo falje për deklarata fyese, në kohën kur Isa Mustafa është kampion për fyerje, madje me sjellje perverse dhe kulturë të ulët të një fshataraku, karakterizon nivelin më primitiv të një udhëheqësi politik në Kosovë.

Kjo përgjegjësi kaq e madhe rëndon mbi Isa Mustafën, pasi ai është kryetar i një partie me një vizion qytetar krejtësisht tjetër nga ky që po e ndeshim. Lideri i parë i LDK-së nuk ka përdorur kurrë shprehje perverse dhe nuk iu ka hakmarrë askujt ashtu siç po vepron Isa Mustafa, dhe vartësit e tij të cilët, le më që janë shumë të paaftë, por janë larg nivelit të shprehjes elokuente që jemi mësuar ta dëgjojmë dikur nga dr. Ibrahim Rugova dhe elita akademike përreth tij. Tashmë ky fjalorë është zbritur në një zhargon fshatarësh që nuk i njohin sa duhet as arat e veta, pa le më shprehjet dhe nocionet e caktuara. Por për Rugovizëm, bile deri në banalitet, sa herë ia do nevoja thirret edhe Isa Mustafa, po këtë avaz e praktikojnë vartësit, Ismet Beqiri, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Haki Rugova, të cilët nuk kanë njohuri ta shkruajnë si duhet, dhe pa gabime të mëdha gjuhësore as një fjali të thjeshtë. Ky nivel kaq i ulët, ky vulgarizim, këto shprehje perverse dhe kjo hakmarrje më së paku i ka hije një partie me traditë që ka mbjell në këtë vend durim, tolerancë e kulturë, aq më pak i takon një akademiku, për të cilën nuk është thënë sa duhet, cilat janë ato vlera me të cilat ai është pranuar anëtarë i ASHAK. Por të thirresh me mburrje në tituj e grada të larta akademike në njërën anë, kurse në anën tjetër ta dëshmosh këtë nivel kaq të ulët, të shprehjes dhe sjelljes me qytetarët e vendit, është më shumë se sa një mjerim intelektual, më shumë se sa një marrëzi politike.

Ne e dimë se tërë bota e qytetëruar e ka vlerësuar Ibrahim Rugovën, për gjuhën paqësore që ka përdorur ndaj të gjithë kundërshtarëve politik, pa fyerje e pa vulgarizim. Ibrahim Rugova shquhej për kulturën njerëzore, për afrimin e të të gjithëve, për faljen, për dialogun me secilin, dhe asnjëherë nuk iu ka revanshuar dikujt tjetër me fyerje siç po vepron Isa Mustafa. Tashmë po shihet se kultura politike e kryeministrit të vendit është e ultë dhe tejet primitive. Kjo sjellje e tij është parë kundër deputeteve dhe deputetëve, kundër grave që “kullosin fonde”, kundër fëmijëve dhe rinisë që po ua vret ardhmërinë.

Isa Mustafa, nuk është as kryetar i të gjithë ldk-istëve, e për fat të keq as kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse ai është treguar përjashtues dhe selektiv, ndonëse kushtetuta e Republikës së Kosovës e obligon atë për një sjellje më qytetare, më të emancipuar dhe gjithëpërfshirëse.

Isa Mustafa është izoluar në brendësinë e tij prej një teknokrati komunist dhe i frikësuar nga e kaluara e tij tepër e dyshimtë, po trembet shumë, prandaj si kundër përgjigje ai përdor shprehjet perverse duke instaluar një gjuhë vulgare e cila jo pak është kritikuar, por siç shihet nga kritikat Isa Mustafa nuk përmirësohet, sikurse që nuk ka mësuar gjë as nga dështimet të cilat i mbulon me skandale e me pabesi të reja, po më shumë me përplasje nga një koncept në tjetrin, sa jo rrallë duket sikurse këshilltaret e tij po ia ngatërrojnë edhe tabletat për qetësim?!
Isa Mustafa, i ka kaluar të gjithë kufijtë e njerëzores, prandaj me të drejt po dyshohet nëse është çmendur, sepse kjo lloj çmendurie u pa edhe në fjalimin e tij në Kuvendin Zgjedhor në Forumin Rinor të LDK-së, por për fat të keq, pak ose fare u kritikua nga analistët dhe mediat e shumta në Kosovë.

Në atë Kuvend Zgjedhor, Isa Mustafa akuzoi opozitën dhe disa deputet të LDK-së, që paskan ndikuar në dështimin e liberalizimit të vizave, prandaj të rinjve ai iu tha se ju nuk mund të udhëtoni jashtë vendit, për fajin e opozitës dhe disa deputetëve të LDK-së. Po ashtu Isa Mustafa, atyre iu tha se as nuk mundeni të shkolloheni jashtë vendit, sikurse që u ankua se as qytetarët e Kosovës nuk kanë mundës të shërohen nëpër klinika të caktuara jashtë vendit?!
Por kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në atë kuvend nuk e tha asnjë fjalë të vetme pse Ai nuk po e zhvillon Kosovën?! As nuk iu tha të rinjve se ju nuk do të keni nevojë për të shkuar jashtë Kosovës për studime, pasi vet ai dhe legjislacioni i tanishëm do ta avancojë shkollimin në Kosovë, kurse universitetet e Kosovës do t’i bëjë konkurruese me ato në vendet e zhvilluara. Isa Mustafa, në vend se t’iu thotë të rinjve se ju nuk do të keni nevojë të shpenzoni para për të gjetur ma mirë, sepse ai dhe qeveria që udhëhiqet nga ai, do të investojë në shkollim dhe në projekte për rininë. Kurse qytetarët e Kosovës nuk do të kenë as nevojë për të shkuar jashtë vendit për shërim, sepse qeveria e udhëhequr nga ai, do ta përmirësoj infrastrukturën e mjekësisë, dhe do ta ngriti edhe nivelin e personelit mjekësor, për t’i bërë spitalet e Kosovës konkurruese me të gjitha spitalet e botës. Por, Isa Mustafa edhe aty, përpara të rinjve mallkoi dhe akuzoi opozitën dhe ata deputet të LDK-së që nuk paskan lejuar të bëhej liberalizimi i vizave.
Tashmë, LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa, me asgjë nuk ngjason me konceptin e themeluesit të saj dr. Ibrahim Rugova. LDK-ja dikur, në rrethana shumë të vështira, pikërisht atëherë kur Isa Mustafa kridhej nëpër Evropë, kishte në gjirin e saj vlerën intelektuale, shprehjen e nuancuar, durimin dhe mobilizimin e gjithmbarshëm. Atëherë LDK-ja përfaqësonte konceptin e unifikimit dhe të bashkimit të mendimeve të kundërta, për të cilat është investuar shumë.

Qysh atëherë bëhej një politikë konkurruese, ku gjithmonë është thënë dhe menduar se do të fitojë ma e mira. Në këtë parti ishin ngulitur konceptet intelektuale, sepse për postin e kryetarit të degës dhe të nëndegëve, zakonisht është insistuar që kryetari a kryetarja të ishin me përgatitje të lartë akademike, sikurse edhe në Forumin e Gruas, gjithmonë LDK-ja, kryetare ka pasur një doktorësh të shkencave, profesoreshë universitare a një shkencëtare me nam. Në fillimet e LDK-së, është investuar për të udhëhequr zonja akademike me titull doktore e shkencave, sikurse edhe te të rinjtë janë bërë përpjekje maksimale për të udhëhequr ata ose ato që kanë poseduar tituj të lart akademik.
Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Ibrahim Rugova për vite të tëra e pat përfaqësuar dhe përqafuar një klimë afrimi e cila shquhej edhe për tolerancën dhe frymën paqësore, duke reflektuar paqe, durim, vlerë dhe konkurrencë në të gjitha nivelet e kësaj partie. LDK-ja, nëse jo për gjë tjetër do të mbahet mend për shprehjen e butë dhe të matur publike, por edhe për mënyrat e qasjeve të të gjitha problemeve.

Por me ardhjen në krye të LDK-së, të Isa Mustafës, kjo parti ka ndryshuar rrënjësisht. Ajo më shumë ngjason me partitë diktatoriale të sistemit komunist se sa në një parti demokratike. Tashmë në LDK janë instaluar intrigat dhe dallaveret, shtyrja me bërryla dhe dallkaukllëku i tepruar, përçarja, përjashtimi, refuzimi, kurse mos durimi dhe toleranca, sikur janë bërë tipar themelor i saj, duke përjashtuar e injoruar të gjithë elitën intelektuale, themeluesit e saj dhe vlerën akademike, të cilët nga shpati, vetëm mund të vrojtojë, se në çfarë derexhe ka rënë LDK-ja e dikurshme?!

Kjo gjendje në LDK, është bartur edhe në mentalitetin udhëheqës në Qeverinë e Kosovës e cila është mbushur me tullumbace të mbufatur deri në plasje. Edhe ata dhe i tërë stafi i kryeministrit sillen me megalomani, arrogancë dhe me shpërfillje të tejdukshme ndaj qytetarëve. Arroganca, vulgarizimi dhe shprehja perverse tashmë janë instaluar në të gjitha klanet dhe grupet që sigurojnë dhe shoqërojnë Isa Mustafën, qofshin ato në LDK, apo në qeveri.

Derisa në partitë me demokraci të konsoliduar, sjellja e zyrtarëve politik dhe shprehja e tyre publike janë tiparet më dalluese, që përfaqësojnë vlerën dhe mendimin politik, në vendin tonë dëshmohet e kundërta. Kjo vlerë morale me premisa të kulturës evropiane e perëndimore, që dikur kishte lëshuar shtat edhe në Kosovën e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, tanimë nga politika e dobët e Isa Mustafës është degraduar tej mase.

Akuzuat pa fakte, intrigat dhe gënjeshtra janë vepra penale, sikurse shprehjet perverse dhe arroganca kundrejt qytetarëve është dashur të trajtohen si veprime penale. Sepse kryeministri i një vend nuk ka të drejt ta quan asnjë qytetar rrugaç edhe nëse dikush është i tillë, pasi detyrë e shtetit është të bëjë përpjekje që ta risocializojë këtë kategori shoqërore, të cilët fati i ka degdisur në rrugë. Pastaj si ka mundësi kryeministri t’u thotë qytetarëve të vet “kriminel ordiner”, kur shteti e ka për detyrë të merret dhe të përballet edhe me kriminel, për t’i nxjerr nga këto veprime dhe për ta integruar këtë kategori në shoqërinë normale. Po ashtu si ka mundësi një kryeministër dhe një kryetar partie siç është Isa Mustafa t’i quaj qytetaret “injorant”, në kohen kur si kryesues qeverie e ka për obligim ta çrrënjosë injorancën, fillimisht nga vetja e tij, dhe pastaj të emancipojë këtë kategorie për t’ua sjell dinjitetin. Si ka mundësi një kryeministër vendi t’i përdor shprehjet fyese “gjela”, “gomar”, “qen bir i qeni”, ose t’i fyej gratë se po “kullosin fonde” etj., kurse kundrejt opozitës sillet sikur të ishte prokuror shteti dhe si ka mundësi të kërkojë nga të tjerët për kërkim falje, kur ai vet nuk e bënë kurrë ndaj qytetarëve të tij, përjashtojmë rastet nëse ata qytetar janë serb dhe flasin serbisht?! Në këto rrethana kur po instalohet shprehja perverse dhe fjalori vulgar, do të duhej që prokurori i shtetit të mos heshtte as kundruall kryeministrit për të gjitha këto fyerje që mund të kualifikohen si vepër penale.

Po të kishim drejtësi të mirëfilltë, edhe nëse rrugaçi do t’i thoshte tjetrit se je rrugaç do të penalizohej dhe do të gjykohej, ashtu siç ndodhë kudo në vendet me demokraci të zhvilluar. Madje në vendet perëndimore nuk lejohet të fyhen as gratë që prostituojnë buzë bulevardeve, sepse në konceptet e reja të demokracisë dhe shkencave sociale është avancuar ideja se edhe ato gra kanë dinjitet qytetar, prandaj shkencat shoqërore për këtë kategori të shoqërisë, kanë ardhur në përfundim se duhet të mbrohen me ligj, prandaj shoqëria qytetare e ka për obligim t’i trajtoj njësojë si të gjithë qytetarët tjerë.

Ndërsa në Kosovë, pikërisht i pari i LDK-së, që është edhe kryeministër i Kosovës, nuk merr parasysh dinjitetin e askujt, sidomos të atyre që guxojnë për ta kundërshtuar mendimin dhe veprimin e tij. Kurse kryeministri i Kosovës fyen dhe atakon zyrtarë të lart politik, intelektual, madje pa përjashtuar as femrën shqiptare, ndërsa roli i femrës sipas standardeve evropiane, në Kosovën e udhëhequr nga ai është mjaftë e diskriminuar.
Kjo gjuhë vulgare dhe ky fjalor pervers, që vjen nga kreu i shtetit, do të korrigjohet vetëm atëherë kur ai (dhe të tjerët që shprehen si ai), të vihen përball prokurorisë së shtetit, jo për korrupsion dhe udhëheqje të dobët, por pikërisht për fyerje dhe nënçmime, që po ua bënë qytetarëve të këtij vendi.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400