Arroganca, “pokeri politik” dhe trysnia pansllaviste ndaj shqiptarve në Ballkan

15:47 / E enjte, 18 Maj 2017

 

Shkruan: Nehat Hyseni

Ballkani Perëndimor si term ka filluar të përmendet gjithënjë e më shpesh, si emërtim i përbashkët i shteteve dhe viseve ku jetojnë shqiptarët: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, dmth pak a shumë si sinonim i “Shqipërisë Etnike”.

Por, përveç emërtimit të përbashkët të territorit ku jetojnë shqiptarët, ata i karakterizojnë edhe sfidat e shumta aktuale të jostabilitet politik.

Arroganca e Shqipërisë

Në Shqipëri pakënaqësitë e opozitës kanë arritur kulmin.

Të prirë nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, protestat e tyre tremujore, me kërkesë ultimative për qeveri teknike dhe “për zgjedhje të lira e të nderëshme”, si dhe bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, kanë hasur gjatë kohë në veshë të shurdhër të pozitës së udhëhequr nga Edi Rama.

Arroganca e Ramës aktualisht ia kalon asaj të Sali Berishës në vitin 1997 !

Çuditërisht, Rama 2017 është duke e imituar tmerrësisht Sali Berishën e ’97 me deklaratat e tij banditeske se mundet të mbahen zgjedhjet edhe pa opozitën.

Pikërisht kështu mendonte, deklaronte dhe vepronte edhe Berisha asokohe dhe pasojat ishin katastrofale. Shqipëria asokohe u dogj me themel, pasojat e të cilës ndjehen edhe sot e kësaj dite, njëzet vjet më vonë.

Pra, Edi Rama dhe tarafi i tij politik kokëkrisur, me shumë arrogancë është duke e shtyrë Shqipërin drejtë greminës, në të cilën, siç u pa puna edhe në 97-tën, nuk është vështirë të hyhet.

Mjafton që të jesh kokëkrisur dhe i çmendur dhe sa çelë e mbyllë dytë, larg qoftë, do i delë tymi Shqipërisë!

Pastaj, edhe më shlirë do të mbillet e do të kultivohet droga anembanë vendit!

Por, askush nuk ka formulë dhe zgjidhje se si të shpëtohet Shqipëria, nga shkatërrimi dhe fati ogurzi i paralajmëruar nga Edi Rama.

Mbase, ndërmjetësimi amerikan, me këmbëngulje ultimative, sipas parimit të mirënjohur “merre ose leje”, rezultoi të jetë edhe kësaj here e suksesshme.

Shumë kohë iu desht Ramës dhe shumë takime “kokë më kokë” Rama-Basha gjatë të enjtes më 17 maj dhe në orët e para të së premtes, më 18 maj 2017 iu deshtë për ta praniar marrëveshjen 20 pikëshe nga McAllister.

Meqë opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha e pranoi në tërësi këtë marrëveshje, kreu i pozitës, kryeministri Edi Rama bënte “naze”, sipas stilit të tij të njohur kontraverz e dekadent, në mbrojtje të filozofisë dhe praktikës kanabizuese të Shqipërisë.

Por, më në fund, pas tre muajsh proteste në çadër, me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, mori fund kriza politike në Shqipëri.

“Pokeri politik” në Kosovë

Ndërkaq, në Kosovë është bërë “hallakamë”!

Bossi politik i PDK-së, Kadri Veseli, i pakënaqur me postin e kryeparlamentarit, pas realizimit të objektivave të partisë së tij me zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Kosovës më 26 shkurt 2016, me votar e LDK-së dhe me pakënaqësinë ekstreme dhe protestat e opozitës dhe të popullit të Kosovës, qëndronte si “gjarpri ndër guri” dhe më 10 maj 2017, me ndihmën e opozitës e rrëzoi Qeverinë Mustafa, duke e prishur në pabesi koalicionin PDK-LDK në gjysëm.

Kjo mendësi intrigante e nëntokës e të krimit, imponoi një situatë dramatike gjatë të martes, më 16 maj 2017, deri në mesnatë me lojën e “pokerit politik” të konfidencës dhe mostransparencës ekstreme, sipas parimeve të nëntokës mafioze, me rastin e regjistrimit të koalicioneve politike në KQZ, për zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

Kjo mafi politike u imponua si ogur i zi për qeverisjen e Kosovës në mandatin katërvjeçar 2017-2021. Natyrisht, poqese i fitojnë zgjedhjet më 11 qershor.

Trysnia pansllaviste ndaj shqiptarve në Ballkan

Derisa klasa politike aktuale e Shqipërisë karakterizohet me arrogancën e përmendur, si dhe ajo kosovare me politikbërje të nëntokës dhe të kumarit apo ” pokerit politik” që luan me fatin e popullit që akoma nuk e ka shijuar lirinë dhe mirëqenien e mirëfilltë, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi po përballen me agresivitetin dhe me trysninë ekstreme pansllaviste ruse, serbe dhe sllavomaqedonase. Tanket dhe autoblindat e makineria luftarake pothuajse për çdo ditë e në çdo kohë defilojnë nëpër Luginë të Preshevës, duke ushtruar trysni psikologjike dhe duke i trishtuar pamëshirshëm edhe foshnjet në djep.

Ndërkaq, klasa politike aktuale e shtetit amë, Shqipërisë ka kuksin të tregoj arrogancë dhe maskaradë të kriminalizimit e të kanabizimit për faqe të zezë të vendit.

Kurse, klasa politike e “Kosovës martire”, sidomos ajo e nëntokês dhe krimit, tani ka dalur “mbi tokë” dhe iu ka vërsulur këtij vendi, duke lozur lojën e “pokerit politik” apo kumarit me fatin e këtij populli të shkretë, që akoma nuk e shijoi si duhet lirinë.

Pra, mjerisht, në këto kushte të papërgjegjësisë makabre të një pjese të konsiderueshme të klasës politike aktuale të Shqipërisë dhe Kosovës gjendet fati i shqiptarve në Ballkan!

Dikur, ne shqiptarët e ish Jugosllavisë, dmth të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës, indiferencën dhe neglizhencën e Shqipërisë ndaj trysnisë sllavokomuniste që na zinte frymën dhe na ngulfaste lirinë.

Kurse tani, pas shpalljes edhe të pavarësisë së Kosovës dhe realitetit të ri gjeopolitik, me dy shtete të pavarura shqiptare, është e pafalëshme se si e shpërfillim dhe neglizhojmë fatin e shqiptarve në Ballkan!

Aktualisht, pra, kemi një klasë politike të papërgjegjëshme ndaj lirisë dhe demokracisë e prosperitetit tonë si shqiptarë e si qytetarë të këtij nënqielli, që në zgjedhjet parlamentare që janë para neshë, me votën tonë të përgjegjëshme kemi shansin që sadopak ta ndryshojmë për të mirë fatin tonë, duke u orientuar kah vlerat e mirëfillta demokratike e euroatlantike.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400