
Bac, (nuk) u kry
12:03 / E hëne, 16 Prill 2018
Shkruan: Sylen Vranica
Bac, pas luftës së fundit në Kosovë , mbi hotelin tani të emëruar Swis Diamond, qëndronte mbishkrimi: BAC U KRY! Ishin këto fjalët që na bënin të gjithëve të mburremi dhe krenarë, pasiqë ju kishit bërë një sakrificë sublime, duke dhënë jetën bashkë me familjen tuaj në altarin e lirisë, që nga ana tjetër, në zemrat tona qëndronte përgjithmonë dhembja e pafund dhe e përjetshme. Një heroizëm dhe sakrificë të tillë, e pashoqe, kurrë nuk kishte ndodhur më parë askund në botë!? Bac, siç dihet nga të dhënat e ndryshme historike, edhe përkundrejt luftërave dhe kundërshtimeve të luftëtarëve tanë kundër armiqëve dhe grabitqarëve të ndryshmë, dukshëm të shumtë dhe të armatosur mirë, prapëseprapë, në ruajtjen e qenies sonë në përgjithësi, rol me rëndësi kanë luajtur edhe malet e bjeshkët tona, vështirë të arritshme nga armiq të ndryshëm. Nga ana tjetër si gjithnjë në histori kemi qenë të vetëm kundër armiqve të ndryshëm, gjë që e kemi rrezikuar deri diku edhe qenien tonë! Për herë të parë në luftën e fundit patëm aleatë të mirëfilltë që na ndihmuan tej mase. Por bac, jo vetëm juve dhe familjen tuaj e zhgënjyem, por edhe aleatët tanë, me veprimet tona ta pamatura dhe jo fort të mençura?! Juve, Bac, bashkëluftëtarët ju kishin mashtruar dhe gënjyer, nuk ju kishin treguar numrin e saktë të luftëtarëve?! Ju kishin thënë se i kemi 20 000 (njëzetmijë), por tani del se kishim qenë 50 000 (pesëdhjetëmijë), pra dyfish e gjysëm më shumë, që me kalimin e kohës ky numër do të ngritet? Shumica syresh kishin pas luftuar jo për çlirimin e vendit, por për privilegje të ndryshme, siç janë benificionet, punësimet pa kriter dhe konkurs si edhe për familjarët e tyre, rrogat dhe pensionet e pamerituara, grabitjet e pasurisë shoqërore, tenderët e ndryshëm, avancimet akademike, duke i “mbrojtur” temat e masterit dhe tezat e doktoratës gjatë natës nëpër kafene, duke u sorollatur me vetura të shtrenjta, besa edhe të blinduara, rrugëve së koti, me karburant dhe para të popullit, me kokë të rruar dhe syze të errëta, sepse ashtu e kërkon trendi, duke menduar se kanë të drejtë ‘mbi” gjithçka si edhe mbi jetën e popullit të nëshrtruar dhe të nënçmuar?! Bac, Gjykata Ndërkombëtare kishte konstatuart se shteti ynë paraqet një rast “sui generis”?! Por, një fjalë e tillë, e huaj, si e “pakuptueshme” që është për shumicën në mesin tonë si dhe pë ata që duhej ta kuptonin, paraqet një ofendim për shtetin tonë!! Duke e marrë parasysh këtë nuk deshëm ta dallohemi nga shtetet tjera. Nëse psh, një shtet , siç pretendon të jetë Bosna dhe Hercegovina që në gjirin e vet e ka shtetin e Republikës Srpska, pse edhe ne të mos e kemi në gjirin tonë një shtet të ardhshëm, të ashtuquajtur Asociacioni i Qyteteve me Shumicë Serbe, duke shkelur edhe Kushtetutën tonë me jetësimin e saj! Pse të mos bosnjëzohemi edhe neve dhe mos ta bëjmë shtetin jofunksional?! Nga kjo po shifet se neve nuk mund të jetojmë pa probleme, kjo është pjesë e përditshmërisë sonë?! Bac edhe pse një ministër i kombësisë serbe gjatë luftës së fundit kishte maltretuar shumë shqiptarë, ai prapëseprapë u zgjodh ministër. Gojëkqinjtë theksojnë se i njëjti ministër edhe po të kishte vrarë në luftë, kishte për t’u zgjedhur kryeministër, ndoshta edhe kryetar shteti!? Si popull “përparimtar” që jemi edhe sipas sondazheve të ndryshme, populli më optimist në rruzullin tokësor, neve nuk jemi duke shikuar kah e kaluara, por kah e ardhmja, andaj Bac, jemi bërë koloni ekonomike e Serbisë?! Aspak nuk po na pengon? Pasi për shkak të situatës që mbretëronte gjatë luftës edhe pse na u premtua se do të hapet fronti deri në Vranjë nuk mund t’i kundërviheshim me sukses agresorit dhe okupatorit, ndaj u shpërngulëm gjetkë nëpër shtete të ndryshme si edhe në Republikën e Malit të Zi, që na i hapi dyert dhe na pranoi me miqësi. Si një popull falenderues që jemi, ndaj ia falëm më se 8000 (tetë mijë) hektarë tokë, pasiqë edhe ashtu “kemi” tejet shumë tokë, nuk na nevojiten hektarët e tillë? Disa që nënshkruan theksuan se nuk i patën syzet me veti, andaj edhe nuk panë se çfarë po nënshkruanin?! Bac, me sjelljet tona “luftuam” për Gjykatën Speciale, duke e pranuar ujkun në torishtë?! Tani disa, duke e patur mizën nën kapelë, dëshirojnë ta anulojnë këtë gjykatë, përkundrejt apeleve dhe këshillave të miqëve ndërkombëtarë për moskundërshtim të formimit të kësaj gjykate!? E gjithë kjo po mundohet të arrihet me anë të votimit apo frikësimit të deputetëve. Kjo gjykatë nuk është drejtuar kundër luftës çlirimtare të Kosovës, një luftë e pastër dhe mbrojtëse gjë që u pranua edhe nga suazat ndërkombëtarë, por kundër disa personave që shfrytëzuan situatën në emër të saj?! Ky popull i trevës sonë pothuajse plotësisht është ndërruar, nuk është më ai i mëparshmi, i para luftës, tani jemi bërë më të “mençur” dhe me të “sofistikuar”?! Kemi hapur mjaft kolegje dhe fakultetet ku janë pranuar shumë studentë pa kurrfarë kriteri dhe merite. Bac, mes tjerash, u hapën mjaft degë mjekësore nëpër kolegje dhe pasi kemi”avansuar, këto kolegje nuk patën nevojë për pacientë dhe klientë, pasiqë studentët do të ushtrojnë dhe t’i sanojnë dhëmbët në kukulla apo barbika?! Sa të “lumtur” janë studentët për këto mundësi të ofruara. Bëhet fjalë për “ujqërish akademikë”, (jo ata të malit me katër këmbë, apo të stepave sipas Herman Hesse, por këta me dy këmbë), si themelues të kolegjeve. Lum ne? Bac, kohë më parë u ndërrua dhunshëm rektori i Universitetit të Prishtinës. I vetmi “gabim dhe lëshim” ishte dëshira e tij për të vendosur rend në regjistrimin e studentëve nëpër fakultete të ndryshme, si principiel që ishte, duke menduar se edhe tjerët janë si ai? Luftëtarët kishin të drejtë në këto regjistrime, por kjo e drejtë duhej një ditë të kryhej dhe të përfundonte, e jo të vazhdonte pafundësisht!? Nuk është larg mendsh se në mesin e luftëtarëve të njëmendtë dhe të ndershëm, ka patur të tillë se gjoja kanë luftuar, duke u munduar me këtë rast, të shfrytëzonin situatën dhe tollovinë e krijuar, duke u shërbyer me presione, kërcënime, shantazhime, nënçmime ofendime, vetëm për t’ia arritur qëllimit me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete, për regjistrimin e fëmijëve dhe të afërmeve të tyre nëpër fakultete të ndryshme. Rektori në fjalë dëshirontë t’i thoshte stop kësaj dukurie, duke dashur të mos devalvohej më tutje studimi superior. Natyrisht një sjellje e tillë njerëzore dhe humane e rektorit, ishte nje halë në sy për shumicën e luftëtarëve të përmendur më lartë. Çfarë është edhe më habitëse, ai nuk pati përkrahjen e duhur të strukturave që është dashur t’i dilnin në ndihmë, pra aq ka devijuar vetëdija e tyre. Bac, pas luftës në shumicën e klinikave të QKUK-së, në vendet udhëheqëse si drejtor apo menagjer, u vendosën personat e lëmisë së shëndetësisë të karakterizuar si “ekspertë “ me dije profesionale, pa kredibiltet dhe karizëm, injorantë, por që janë tejet të sofistikuar, arrogantë dhe ofendues, sidomos ndaj kolegëve më të lartë, që kishin qenë edhe mësuesit e të tillëve. Udhëheqin klinikat në mënyrë arbitrare, të cilët si të vetmin “sukses” e kanë arrogancën, nënçmimin dhe ofendimin ndaj kolegëve më të vjetër dhe me titull dukshëm më të lartë, ndërsa sa i përket aspektit shkencor dhe profesional, as që mundohen dhe as që dijnë çfarë të veprojnë, andaj mjekësia e jonë është katandisur më se më keq! Udhëheqja e të tillëve i përngjanë udhëheqjes së ushtrisë nga ndonjë udhëheqës jo i zoti, nga ndonjë kaplar por jo gjeneral! Bac, gjatë fushatës zgjedhore lokale, gjithfarë premtimesh përjetuam. Aq larg shkuan këto premtime sa që disa mendonin të premtonin edhe kthimin e akrepave të orës në anën e kundërt, besimin se dielli sillet rreth tokës, ndërrimin e gjinisë pa pagesë, natën ta bënin ditë dhe anasjelltas ditën- natë, t’i emëronin muajt e vitit sipas emrave dhe të familjarëve të tyre, ndërsa një humorist theksonte se premtuan edhe asfaltimin e hekurudhës. Sikur të mos përfundonte kjo kënaqësi?! Bac, më shpesh u bënë aderimet në partitë politike sesa një njeri i rëndomtë i ndërron çorapet apo këmishat. Me atë rast, ironik theksonin se për shkak të hapësirës së “pamjaftueshme” për veprim në partinë politike në të cilën gjindeshin, po “detyrohen” të aderojnë në parti tjera, ku kanë më shumë hapësirë, e gjithë kjo për të “mirën” e shoqërisë tonë?! Këta persona me siguri mendojnë se kanë të bëjnë me një popull pa dije, si një kope dhensh, por edhe zogjtë në degë e dijnë se e gjitha është vetëm për interesa dhe përfitime personale, në dëm të atyre shtetërore?! Fatkeqësisht Bac, sikur të mund të dinim athua pse nuk po e dojmë dhe e respeketojmë këtë shtet, pse po i vendosim interesat private mbi ato shtetërore ? Aq shumë kemi ndërruar? Bac, falë inateve të ndërsjellta, kokëfortësisë dhe kryeneqësisë si gjithnjë në histori u krijua qeveria, e pashembullt dhe e pabesueshme në suazat botërore, me përfshirjen në koalicion të armiqve të deridjeshëm.Tani që duhet të miratohet edhe Ligji për Ushtrinë apo Forcat Mbrojtëse, tejet më kot do të shpresojmë se do të votohet ligji i mësipërm nga ana e armiqve të deridjeshëm? Nëse eventualisht përkrahet dhe votohet ky ligj nga ana e qeverisë me ‘aminin’ e koalicionit në fjalë, atëherë të jeni i bindur, Bac, se kemi bërë lëshime të shumta dhe të dëmshme, gjithnjë në dëm dhe kurriz të popullit tonë, të nënshtruar dhe të nëpërkëmbur. Duhet edhe neve të kemi diçka për librin e Giunnessit, andaj kemi 71 badihavgjinj apo zëvëndsministra, për të cilët kemi po aq këshilltarë të pajisur me shofera , telefona mobilë dhe privilegje të tjera, të gjitha të paguara me paratë e popullit të varfër, të inkuadruar nëpër kontejnera. Nuk është larg mendsh, që për të ngelur me çdo kusht në pushtet, të punësohen edhe këshilltarët e këshilltarëve me të gjitha privilegjet përkatëse?! Paramendo, Bac, një shtet që e luftove me gjithë familjen në mënyrë të pashembullt heroike dhe patriotike, i cili shkaktoi katër luftëra, të përcjellura me qindra mijëra viktima, shkatërrime masive, përdhunime dhe deportime, tani ka liberalizim të vizave dhe është afër aderimit në BE, ndërsa neve, viktimë e gjithë kësaj, as në horizont të liberalizimit të vizave dhe aderimit në BE nuk jemi?! Po sikur të kishim shkaktuar katër luftëra, me siguri do të gjendeshim në fund të oqeanit! Ky mososukese i yni dhe përkundrejt premtimeve të gënjeshtra, me siguri se është i shkaktuar nga paaftësia jonë totale? Aq të pasigurtë jemi për të ardhmen tonë dhe fëmijëve tonë, saqë po të na jepet mundësia dhe ndonjë rast i përshtatshëm me gjithë dëshirë do të shpërnguleshin gjetkë, edhe pse me mjaft dhembje psikike dhe nostalgji?! Bac, mjaft keq është katandisur gjendja e pensionerëve, saqë një pjesë bukur e mirë e tyre është “punësuar” në për “kontejnerë” ndërsa pjesa tjetër e tyre, kur zgjohen në mëngjes, nuk dijnë më parë çfarë të veprojnë: të pastrojnë fytyrën dhe dhëmbët apo të kryejn aktin e vetvrasjes?! Bac, e kam edhe një lajm të gëzueshëm ?! Para do kohe, nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëv të armiqve të deridjeshëm u nënshkrua Akti i Betimit, gjë që është për t’u përshendetur, por ajo që brengosë, është pyetja se a është nënshkruar një akt i tillë para strukturave të Republikës së Kosovës apo Krahinës së Kosovës dhe Metohisë, sipas Kushtetutës së shteti fqinj, apo nuk është përmendur asnjë strukturë shtetërore, për mos t’i ofenduar nënshkruesit?! Bac, nuk e kemi ditur sa i” fortë dhe i qëndrueshëm” është shteti ynë? Edhpese po e mjelin pa mëshirë shtetet përreth dhe ato më të largëta si dhe individët e ndryshëm, ai ende po qëndron në këmbë! Bac, të mundova, kërkojmë falje për mospërmbushje të amanetit tuaj, apo se përmbushëm gabimisht. Me këtë rast shpreh para Jush dhe familjes tuaj tërë respektin dhe admirimin ndaj veprës suaj, por kam edhe një lutje të fundit: t’i falësh strukturat tona shtetërore që nuk po dijnë se çfarë janë duke vepruar, pasi që janë verbuar nga vendosja e interesave personale mbi ato shtetërore, e kanë humbur rrugën në oborrin e vet?
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress |
-
Për dekriminalizimin e shoqërisë sonë
-
A do të përshkallëzohet lufta në Siri
-
Debati mbi FARK-un, debat mbi të ardhmen tonë!
-
Mashtrimet e ministrit Gjiknuri me taksën e Rrugës së Kombit!
-
Shqiptarët e Kosovës duhet shpallur si populli më i duruar në botë dhe meritojnë të jenë në libër të Genisit
-
Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor
-
Opozita e çoi kryeministrin në ekstazë marrëzie!
-
“Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i’a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije”- Faik Konica
-
Raporti i BE-së për Kosovën dhe Dialogu për Normalizim
-
Asociacioni dhe dialogu përfundimtar si rruga e “pulës pa krye”
-
A është kjo opozita që i duhet vendit?
-
A ka parti politike që hap debatin për të ardhmen?
-
Kur Çubriloviqi i “çmonte” lartë vlerat shqiptare!
-
Bac, (nuk) u kry
-
Revolucioni i miellit
-
Urrejtja kriminale sadiste e Pëllumb Xhufit ndaj njerzve të pafajshem të kampeve komuniste
-
Planeti në rrezik, shqiptarët bëjnë cirk!
-
Lufta e gabuar
-
“Padronët” e rrezikshëm të Republikës së Kosovës
-
Amerika e Turqia mund të hyjnë në luftë