Blerim Latifi, fol mos u ndal, deri më sot askush nuk vdiq nga turpi!

15:05 / E mërkure, 13 Shtator 2017

 

Nga Sali Bytyçi

 

Kontributeve të Leninit, Stalinit dhe të shokut Enver për letërsinë dhe artin, këto ditë iu shtua edhe kontributi i Blerim Latifit.

Kishim nevojë për me i qitë pikat mbi i në këto fusha dhe, ja, Blerimi po i qet.

Shihet qartë që ky djalosh e ka të ardhmen e ndritur jo vetëm në përmasa kombëtare, po edhe në ato ndërkombëtare, sepse edhe rrugën si të ngjitet lart e ka zgjedhur me mjeshtri të madhe.

Di burri i botës si të ngjitet në lartësi, pra tuj ua mbajt koqet në terezi politikanëve dhe të ashtuquajturve akademikë.

Kjo është rruga më e lehtë për t’u ngjitu në këtë vend.

Fundi fundit, a ua pa kush koqet politikanëve kosovarë në raport me Serbinë?! Po akademikëve kosovarë, përveç për të nxjerrë teza përçarëse në mes popullit shqiptar dhe kur e matën Kosovën, që iu doli më e madhe, edhe pasi t’i hiqen ato bjeshkë të Rugovës, a ju kujtohet diç tjetër nga këta?!

Blerimi e ka mësuar se tuj ua mbajt koqet në terezi (ruaju mos po iu bie ndonjëra ma poshtë se tjetra!) politikanëve dhe akademikëve gjithë jetën do të qëndrojë në politikë, po edhe shpejt do të futet edhe në atë të ashtuquajturën Akademi!

Edhe ashtu më shumë se gjysma e akademikëve në atë Akademi kanë shkuar përmes politikës, pjesa tjetër janë të afërt të atyre që janë futur përmes politikës, kusuri janë analfabetë!

Njeriu ka dy këmbë! I mençuri njërën e mban në politikë, tjetrën në Akademi! Në njërën rri si qenie fizike, në tjetrën e mban hijen e tij, ku edhe i merr rytbet “përjetësisht” dhe “shpërblimin”, edhe 6 muaj pasi të shkojë në atë botë! Pra, edhe nga varri vazhdon të hajë Kosovën, ndërsa të rinjtë dhe të rejat shqiptare, ngase këtu ua kanë ngrënë jo vetëm të tashmen po edhe të ardhmen, ikin në të katër anët e botës!

Dhampir apo njeri?!

Me këshillat që po ua jep ti politikës dhe me dijen që po e prodhon Akademia, Kosova jonë e dashur, me të gjitha këto pasuri që i ka, mbitokësore e nëntokësore, nuk arrin t’i mbajë me dinjitet as një milion e gjysmë – njerëzit e vet!

Ndaj, Blerim, fol e hiç mos u ndal, se deri më tani askush nuk vdiq nga turpi, as ti nuk do të vdesësh, mos u frikëso fare!

 

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400