Çartet shtypi serb: Thaçi e dëshiron edhe Sanxhakun!

10:58 / E martë, 19 Qershor 2018

 

 

Nga Sevdail Hyseni

Lajmi i referuar nga qarqe të ndryshme diplomatike se të dielën e 24 qershorit, në Bruksel, do të takohen presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka ngjalluar reagime të shumta në shtypin ditor të Beogradit.

 

Shtypi serb në ditën e sotme, ka nxjerr në ballinë shkrimet: Shqiptarët përsëri acarohen: Thaçi e dëshiron edhe Sanxhakun! (gazeta “Telegrafi” dhe “Alo”), pastaj Thaçi përsëri kërcënon: E duam Sanxhakun dhe jugun e Serbisë (gazeta “Informer”).

 

Vërshimin e shtypit serb me shkrime për Kosovën e ka nxitur deklarata e Zëvendës-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, në pushtet, Rexhep Hoti, i cili për gazetën “Lajmi”, tha se ndarja e Kosovës në takimin e Brukselit, nuk do të jetë në rend të ditës, por edhe sikur të ndodhte, do të nënkuptonte që Kosova të merrte Sanxhakun dhe një pjesë të jugut të Serbisë (Luginën e Preshevës).

 

“Ndarja nuk është në rend të ditës. Përkundrazi, ndarja nuk mund të ndodh pa bashkimin e Kosovës, me pjesën e Sanxhakut, që i përket Serbisë dhe pjesës tjetër të Sanxhakut në Mal të Zi. Nuk mund të ketë ndarje të Kosovës pa bashkimin me Luginën e Preshevës. Nuk mund të ketë ndarje të Vojvodinës nga Serbia. Pra, siç e shihni, ka disa aspekte që e ndërlikojnë ndarjen e Kosovës”, tha Hoti për “Lajmin”, të cilën e transmetuan gazetat serbe me komente të ndryshme.

 

Gazetat e lartpërmendura serbe dhe disa të tjera me tirazh të shtuar në Serbi, kohëve të fundit, kanë nxjerr si opsion “ndarjen e Kosovës”, si zgjidhje të mirë për Serbinë dhe rajonin.

Ministri i Tregtisë dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka thënë se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë, por e vonuar…, ndërsa, Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin, ka përmendur mundësinë për ndarjen e Kosovës, për të penguar krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Ngjashëm mendon edhe Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq “Nëse do të bisedonim hapur për ndarjen e Kosovës, pa mentorë, Prishtina do të nisej nga interesat e saj dhe do të pranonte këtë propozim“, kanë shkruar gazetat serbe “Blic” dhe “Telegrafi”.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400