Çfarë lamë pas dhe çfarë na pret në vitin 2017?

19:27 / E mërkure, 04 Janar 2017

 

Shkruan: Zafir Berisha

Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është thelluar sa nuk mban më. Skamjen dhe urinë e patëm të ulur këmbëkryq në sofrat e familjeve tona gjatë gjithë vitit që lamë pas si kurrë ma parë, ndërsa një grup çifligarësh e mbyllen vitin me dhjetëra miliona të shtuara në llogaritë e tyre, të gjitha të siguruara nëpërmjet korrupsionit dhe shfrytëzimit të pushtetit.

Sa ka bërë opozita që të mos thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve? E them me trishtim se nuk kemi bërë sa duhet në denoncimin e kësaj “epidemie” që ka prekur vendin. Shkak ndoshta ka qenë dhe fokusimi te problemet që na bëri peshqesh kjo qeverisje, ku tentoi t’i falë territorin tonë Mali të Zi, ndërsa po ashtu donte ta sillte në Kosovë Serbinë, duke dhënë leje për krijimin e komunave serbe në të gjithë vendin. Edhe pse ja kemi dalë që të ndalojmë “faljen” e territorit dhe mos bosnjësimin e Kosovës, ne kemi bërë “mëkate” sepse nuk kemi ngritur aq sa duhet zërin për krizën ekonomike që ka prekur familjet tona. Duhet të kishim bërë më shumë.
Por jemi në kohë.
Gjatë këtij viti duhet që të denoncojmë grupet kriminale që kanë penguar zhvillimin e vendit. Çapaçulët që vijojnë të plaçkitin pasuritë kombëtare. Krejt kjo shkon në kurriz të qytetarëve. Varfëria ka krijuar dhe eksodin e emigrimit, që prej tre vitesh nuk di të marr fund. Çdo ditë marrim vesh se filani miku ka siguruar vizën, të tjerë janë në pritje të këtij lajmi të “mrekullueshëm”. Kjo në fakt është tragjedia më e madhe që i ka ndodhur vendit pas luftës. Nuk e teprojmë nëse themi se por nga përmasa është e njëjtë me tragjedinë e viteve ’90, ndoshta dhe më e rënd, kur dihet se tashmë Kosova ka 18 vite e çliruar dhe tetë vite e pavarur. Duhet ndalur ky eksod.
Duhet ti bëjmë me dije qytetarëve se emigrimi nuk është alternativë. Duhet t’i bindim që të ardhmen duhet ta kërkojnë këtu. Duke parë që kjo qeveri bën përpjekje titanike që Kosova të zbrazet sa më shumë, kjo duhet të jetë e sfida e vitit 2017 për opozitën. Sfidë e vështirë, por jo e pamundur.

Autori është deputet i Nisëm për Kosovën në Kuvendin e Kosovës

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400