Demarkacioni dhe korruptimi i vizionit historik

17:28 / E mërkure, 28 Shkurt 2018

 

Nga:Arben Hoxha

Sa herë diskutohet e keqja e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, rrënjët e saj kërkohen në vitin 2015, vit ky kur ajo u nënshkrua në Vjenë nga Hashim Thaçi dhe Skënder Hyseni. Demarkacioni është shfaqja e thelbit të qenies së të keqes politike e sociale në hapësirën tonë. Në të vërtetë rrënjët e së keqes në realitetin tonë politik e social, së fundi e manifestuar në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, burojnë nga korruptimi i dy niveleve të ekzistencës sonë që nga viti 1999: korruptimi i sferës morale-intelektuale dhe korruptimi i sferës materiale. Për ndryshim nga korrupsioni material, i cili e zvogëlon hapësirën e ekzistencës sonë materiale, korrupsioni moral-intelektual e pamundëson mundësinë e ekzistencës së asaj hapësire (materiale). Derisa intelektualët prodhues dhe personalitetet e veprimeve të larta morale me ndërmarrjet e tyre, e zgjerojnë hapësirën e ekzistencës sonë, zhvatësit e tkurrin këtë hapësirë.

Tkurrja e tillë, që nga viti 1999, ka ardhur përmes goditjes kusariste të dy shtyllave që e formësojnë hapësirën ekzistenciale të kombit: lirisë dhe dijes. Si? Në rastin e parë,  duke i vendosur në të njëjtin rrafsh ata që kanë dhënë çdo gjë për lirinë me ata që, në rastin më të butë, kanë qenë indiferentë e pengues të lirisë, dhe, në rastin më të keq, me ata që kanë qenë kundër (në çdo formë të mundshme) lirisë sonë kolektive; dhe, në rastin e dytë, duke ndërtuar një sistem arsimor, kulturor e shkencor në dobi të analfabetëve funksionalë, duke e ndërtuar një sistem i cili e pamundëson ekzistencën dhe përmes dinjitetit profesional. (Tashmë nuk ka vlerë diskutimi i plagjiaturave, krahasuar me fenomenin korruptiv të ngritjes në karrierë akademike me shpejtësi marramendëse, të njerëzve që magjistraturat dhe doktoratat ua shkruajnë të tjerët. Të tillët (bashkë me plagjiatët) janë zhvatësit më të këqij, që po e skeletosin jetën tonë mendimore).

Korrupsioni moral-intelektual në dimensionin e lirisë dhe të dijes e ka hapur shtegun për të gjitha trajtat e korrupsionit material. Pa korruptimin (tjetërsimin) e ndjeshmërisë për nevojën e konstituimit të historisë mbi konceptet që burojnë nga arsyeja, nuk do të mund të paramendohej mundësia e tjetërsimit të hapësirës gjeografike të ekzistencës, siç ndodh sot me idenë (e korruptuar dhe korruptive) për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi (sepse është bërë pa dijen e popullit dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës).

Korruptimi moral e intelektual e pamundëson lidhjen e kujtesës me historinë përmes koncepteve, pikërisht sepse e pamundëson ndërtimin e konceptit për historinë.  Korrupsioni moral e intelektual lidhjen midis kujtesës dhe historisë e mban në nivelin e përfytyrimeve dhe imazheve. Ngrehina e vizionit të historisë sipas përfytyrimeve dhe imazheve është lehtësisht e manipulueshme, e tjetërsueshme. Të vendosura në një kuadër konceptual, imazhet dhe përfytyrimet marrin orientim në hapësirë. Të jesh i orientuar në hapësirë do të thotë të kesh aspiratë për të prodhuar hapësirë ekzistenciale. Argumenti se demarkacioni me Malin e Zi (bashkë me Aneks-marrëveshjen Thaçi-Vujanoviç), e mundëson liberalizimin e vizave – ndërsa liberalizimi i vizave e mundëson prosperitetin – i drejtohet mendjes që historinë e mendon me imazhe dhe përfytyrime, që e nënkupton mendjen që vetëmjaftohet me hapësirën ekzistenciale të mbijetesës, tash dhe këtu.

Konstruktimi i vizionit historik mbi imazhe e përfytyrime e pamundëson konstituimin e arsyes historike. Që nga viti 1999,  nga bashkësia ndërkombëtare, nga mediat, nga kuazi-intelektualët, nga OJQ-istët dhe nga bythec partiakët, që, për të ardhur në pushtet për qëllime përfitimi personal, më shpesh i kanë ndërruar partitë se rrobat e trupit, do të ushtrohet një presion i paparë për konstituimin e vizionit të historisë, duke e shpërfytyruar raportin e të kaluarës me të ardhmen, në të vërtetë duke e mbivendosur të ardhmen përmes abstrakimit të të kaluarës. Në fillim motoja “ta lëmë të kaluarën, t’i kthehemi të ardhmes”, tabelë qitjeje e kishte pavetëdijen tonë kolektive me qëllim të dekonstruktimit të të gjithë sistemit të përfytyrimeve dhe imazheve që përmbante kujtesa jonë kolektive për luftën, për gjenocidin serb të ushtruar ndaj nesh, për t’u bërë shumë shpejt ajo pavetëdije pjesë e vetëdijes politike (“evropeiste”, “emancipuese”, “integruese”, (lexo: përulëse)) të klasës sonë politike. Paradigma korruptive morale “paqja padrejtësi” do t’i vendosë kushtet për paradigmën politike  “standardet para statusit”, rrjedhojë e së cilës do të jetë “pavarësia pa sovranitet” (që edhe sot e kësaj dite, pas 8 vitesh, është temë e vetme në të ashtuquajturin “dialog” me Serbinë) dhe simbolika shtetërore pa përmbajtjet përfaqësuese të së djeshmes dhe të sotmes së kombit shqiptar në Kosovë.

Një popull që vizionin e historisë e bazon në imazhe dhe përfytyrime, nuk mund të jetë subjekt në histori. Ai mund të jetë vetëm objektifikim i forcave vepruese historike që janë jashtë tij dhe mbi të!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400