Demonstrimi qyqar i forcës së Serbisë mbi Luginën e Preshevës

21:52 / E mërkure, 28 Mars 2018

 

Shkruan: Nehat Hyseni

Avionët bombardues të Serbisë, të merkuren, më 28 mars 2018, na rikthyen kujtesën skenat e tmerrëshme të vitit 1989, me fluturime tejet të ulëta, pothuajse mbi pullazet e shtëpive dhe zhurmën shurdhuese që i trishtoi edhe foshnjet në djep.
Ky maskarallëk qyqar e jocivilizues i Serbisë, sa duket, ishte përgjigje qyqare e kreut politiko-ushtarak serb ndaj arrestimit poshtrues por dhe spektakolar të Marko Gjuriqit para dy ditësh nga njësitë elitare të Policisë së Republikës së Kosovës ROSU, në Mitrovicën veriore dhe dëbimit të tij të menjëhershëm nga territori i Republikës së Kosovës në pikën kufitare në Merdarë.
Realisht, ky intervenim i Policisë së Kosovës ndaj hyrje-daljeve illegale të politikanëve serbë, pa lejen e organeve kompetente të shtetit të Kosovës, edhepse kanë kaluar pothuajse 19 vjet nga dëbimi i shtetit dhe pushtetit fashist të Serbisë nga Kosova, si dhe kanë kaluar mbi dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, politikanët e Serbisë hynin pa leje, dmth ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, “si në bahçe të babës”.
Prandaj, Marko Gjuriq ishte krekosur si gjel dhe i ishte drejtuar serbëve të Kosovës me fjalët: “ja, unë erdha në Kosovë dhe jam midis jush pa lejen e shtetit të ashtuquajtur të Republikës së Kosovës. Ku janë shqiptarët që të më pengojnë?”
Dhe kjo krekosje e tij, kësaj radhe nuk kaloi!
Gjuriqi përfundoi i poshtruar, siç deklaroi për mediat serbe më gojë të vet, “si qen”!
Edhepse ai u mbajtë vetëm 15 minuta në lokalet e Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe nuk u arrestua fare, siç vepron Serbia me shqiptarët e Kosovës që shkelin në tokën serbe, duke i quajtur “terroristë”, etj.
Pra, ishte ky një mësim apo leksion i shtetit të Kosovës për Serbinë, edhepse “miu kishte kaluar me mijëra herë nëpër mustaqe”, megjithatë kësaj pune i ka ardhur fundi dhe Serbia e Rusia duhet të mësohen me realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan, ku ekziston një shtet i ri, Republika e Kosovës dhe shqiptarët, të cilët duhet përfillur e respektuar si fqinjë dhe me dinjitet e sjellje të civilizuar.
Në të kundërtën, do të përfundojnë si Gjuriqi!
Kuptohet se mesazhi dëshprues i Serbisë, si patericë apo vegël e Rusisë së diktatorit mesjetar Vladimir Putin, në aspiratat e tij për rikthimin e perandorisë pansllaviste ruse në Ballkan, që u sfiduan seriozisht me dëbimin e 137 spiunëve që ishin deklaruar si “diplomatë”, nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe 26 shtete të NATO-s, paraqet një grusht poshtrues për Rusinë dhe satelitët e saj, mbase më të madhin në histori.
Kësaj radhe, përgjigja serioze dhe unike e Aleancës euro-atlantike ndaj Rusisë, paraqet sinjal të qartë se nuk ka dhe nuk do të ketë rikthim të Perandorisë Sovjetike (komuniste) dhe as të Rusisë Putiniste në Ballkan.
Këtë sinjal të qartë duhet ta (mirë)kuptoj edhe Serbia dhe duhet ta lë të qetë Kosovën dhe qytetarët e saj, në rend të parë serbët e Republikës së Kosovës që të jetojnë në paqe, mirëqenie e harmoni me të gjithë qytetarët e saj, e në rend të parë me shqiptarët, si popull shumicë i shtetit të Republikës së Kosovës.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400