A i duhet peshkut biçikleta?

14:31 / E shtunë, 07 Janar 2017

 

Shkruan: Vlora Konushevci

 

Irina Dunn, aktiviste Australiane, në vitin 1970 sa ishte studente në Universitetin e Sidneit kishte shkruar në një derë të një tualeti frazën tashmë të famshme: “Gruaja ka nevojë për burrë aq sa peshku ka nevojë për biçikletë”. Duke qenë se vetëm para një shekulli, gratë e kanë fituar të drejtën e votës, pasuar më tej me ndryshime tjera të jashtëzakonshme për jetën e tyre siç janë arsimimi, punësimi, e drejta e pronës etj, ato kanë pësuar ndryshime të mëdha. Grave këto ndryshime të mrekullueshme nuk u kanë pikë prej qielli, por kanë luftuar pandërprerë me breza e breza përmes protestave, rezistencës, kampanjave, takimeve etj. Rrjedhimisht, konstruktet, normat shoqërore si dhe nevojat e gruas kanë ndryshuar.  Pra, a ka nevojë peshku për biçikletë, apo a ka nevojë sot një grua, financiarisht e pavarur, për burrë?

 

Unë besoj se gruaja, financiarisht e pavarur, sot nuk ka nevojë për burrë, në aspektin tradicional pra për t’i ofruar kulm mbi kokë, ushqim, mbrojtje e besa besa as për të bërë fëmijë kur kihet parasysh se sot gratë mund të mbesin shtatzënë me inseminim artificial. Por, unë poashtu besoj se një gruaje të tillë sot, përkundër mungesës së nevojës nuk i mungon dëshira për një burrë.  Dëshira pra nuk i mungon. Por, sa është i gatshëm burri shqiptarë të mos jetë i nevojshëm dhe të kënaqet me faktin se është i dëshiruar. Sa i frikësohet ai të qenit vetëm i dëshiruar, pasi që specia e tij është mësuar të mos jap më shumë se minimumin prej vetes duke e pas lluksin e të qenit i nevojshëm. Sa të nevojshme e ka sot burri shqiptarë përkëdheljen e egos, kultivimin e ndjenjës së superioritetit, të qenit shpëtimtarë i familjes, të dëshmojë forcën qoftë edhe përmes muskujve. Dhe a është i gatshëm të ndryshojë?

Kam frikë se nuk kam përgjigje definitive në këto pyetje, por kam përshtypjen se nuk është i gatshëm. Sepse, për të pranuar një gjë të tillë burrit shqiptarë do t’i duhej të jap shumë më shumë. Do t’i duhej ta rikrijoj veten, të jetë më kërkues, më kreativ, më i angazhuar dhe i përkushtuar për të mbajt qëndrueshmërinë e të qenit i dëshiruar gjallë. Kjo pra nuk i ofron atij stabilitet dhe siguri të cilën e ka marr si të mirëqenë me shekuj duke qenë i nevojshëm. Por ama, duhet pas parasysh se mungesa e gatishmërisë për të qenë vetëm i dëshiruar dhe jo i nevojshëm i ka rrënjët shumë më thellë dhe nuk besoj të jetë çështje dëshire kjo. Kur dihet fare mirë se burrat gjithandej, jo vetëm në Kosovë, nuk kanë pësuar revolucion, pra ato konstrukte, norma e vlera shoqërore që iu janë imponuar para njëmijë vjetëve janë po të njëjtat edhe sot, ata nuk kanë pas mundësi të ndryshojnë apo rikrijojnë vetveten.

Esther Perel, psikoterapeute, hulumtuese dhe shkrimtare lidhur me marrëdhëniet në qift, thotë se pa pasur një revolucion të burrave nuk do të ketë evolucion të njerëzimit,e aq më pak partneritet korrekt në mes një burri dhe një gruaje. Kjo për faktin se burrave në vazhdimësi u duhet dëshmuar se janë burra dhe se ata asnjëherë nuk kanë pasur hapësirë apo leje për t’i vënë në dyshim strukturat e identitetit, strukturat e marrëdhënieve dhe të vlerave që iu janë imponuar. Por, këto ndryshime nuk do t’ua sjell zoti burrave. Besoj që është koha që edhe vet burrat të jenë më kërkues, pse psh. burrave iu lejohen vetëm tre ditë pushim me rastin e lindjes së fëmijës, pse një burrë i papunë që kujdeset për fëmijët në shtëpi të paragjykohet si njeri i paaftë, si më pak burrë, pse konsiderohet si më pak burrërore gatimi kur shefat më të mirë në botë janë burra, pse nuk u lejohet të shfaqin emocionet në shoqëri, pse duhet shtypur ato, pse duhet vetëm suksesi profesional apo forca fizike të dëshmojë burrërinë?

Burrat duhet filluar të ndryshojnë konceptin e të qenit burrë dhe të burrërisë, dhe vetëm kur të ndodh ai ndryshim, ata do t’i shohin gratë si partnere dhe do të mjaftohen me aq. Ky pra është një realitet i ri me të cilin shoqëria jonë po ballafaqohet, dhe duhet kuptuar se peshku nuk ka nevojë për biçikletë, por gruaja sot ka nevojë për një burrë që ka vullnet të rikrijoj vetveten, për një burrë të kohës, me mendje të hapur që nuk i frikësohet të qenit vetëm i dëshiruar.

 

 

 

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400