Fronti Ballkanik i Moskës: Sulmi ndaj Kosovës

11:24 / E mërkure, 15 Nëntor 2017

 

Nga Janusz Bugajski

 

Janusz Bugajski “Center of European Policy Analysis”

Një raport novator i publikuar së fundmi në Prishtinë, ofron detaje të rëndësishme mbi mëyrën se si Moska po kërkon ta transformojë Kosovën në një shtet të dështuar. Ai tregon se grushti i shtetit i mbetur në tentativë në Malin e Zi në tetorin e vitit 2016, që thuhet se është orkestruar nga shërbimet e inteligjencës ruse, është pjesë e një ofensive më të gjerë ballkanike për të ndarë shoqëritë, korruptuar udhëheqësit politikë, destabilizuar qeveritë për të nxitur konfliktet ndërshtetërore, dhe reduktuar ndikimin e Perëndimit në rajon.

Raporti i publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) me autor Pëllumb Kallaban, trajton dy pyetje themelore, siç përcaktohet në titullin e saj:”Ndërhyrja ruse në Kosovë:Si dhe përse?”. Pse është pyetja thelbësore, për të kuptuar dhe përhapur mençurinë konvencionale, sipas së cilës Moska kërkon thjesht të jetë një “planprishëse” për Perëndimin, dhe se në fakt nuk ka objektiva strategjikë afatgjata në Ballkan.

Në realitet, udhëheqësit e Kremlinit e shohin rajonin si “nënbrez të butë” të Perëndimit, ku proçesi i zgjerimit të BE dhe NATO-s mund të ndalet, dhe ndikimet ruse të rriten. Në këtë ekuacion, Kosova është një objektiv kyç, sepse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë kapital politik për të konsoliduar një shtet të ri, pas masakrave të kryera atje nga Beogradi i Slobodan Milosheviçit.

Raporti flet në detaje mbi mjetet e ndikimit dhe subversionit, që Moska përdor për të minuar Kosovën, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit. Mbi të gjitha, Kremlini synon të delegjitimojë pavarësinë e vendit, duke e krahasuar Kosovën me Krimenë, që pretendohet se iu rikthye “atdheut të vet rus”.

Sipas kësaj logjike, edhe Kosova duhet të rrikthehet në “shtëpinë e saj serbe”. Në frontin diplomatik, Moska është duke penguar integrimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe shfaqet si mbrojtësja kryesore e Serbisë.
Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të frikshme të orkestruar nga Rusia, për të minuar ndërtimin e shtetit dhe institucioneve. Kjo përfshin infiltrimin e shërbimeve ruse të inteligjencës, inkurajimin e separatizmit, përhapjen e dezinformatave, depërtimit në rradhët e partive dhe institucioneve vendore, si dhe korruptimin e udhëheqësve të pakicave.

Edhe pse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Rusia përfaqësohet në Prishtinë nëpërmjet Zyrës Diplomatike Ndërlidhëse, një degë e Ambasadës Ruse në Beograd. Kjo i siguron Moskës mbulesën e nevojshme diplomatike, për të depërtuar në vend me spiunë dhe provokatorë.

Sipas raportit, më shumë se 1 mijë qytetarë rusë vizitojnë çdo vit Kosovën, pasi mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit rus sipas kategorisë speciale, përjashtohen nga kërkesat për viza. Nuk dihet se sa kohë ata qëndrojnë në vend, ndërsa janë të angazhuar në aktivitetet e sponsorizuara nga Kremlini.

Njëkohësisht, Qendra Humanitare Ruso-Serbe, e vendosur në afërsi të Kosovës në qytetin serb të Nishit, shihet në Prishtinë si një kërcënim afatgjatë për sigurinë. Qendra është një seli qëndrore për aktivitetet ushtarake dhe të inteligjencës ruse në rajon, por edhe një qendër e mundshme për subversion aktiv.

Mediat ruse, duke përfshirë agjensinë e lajmeve në disa gjuhë të botës “Sputnik” dhe televizionin “Russsia Today”, kryejnë fushata propagandistike, duke e përshkruar vazhdimisht Kosovën si një kërcënim rajonal. Sulmet e tyre përsëriten nga mediat serbe, që shenjestrojnë bashkësinë serbe e cila jeton më së shumti në Kosovën veriore, për ta penguar këtë të fundit të integrohet në shtetin e ri.

Përveç kësaj, mediat e drejtuara nga Moska në Evropën Perëndimore, e paraqesin Kosovën si të mbizotëruar nga krimi i organizuar dhe terroristët e ISIS-it, dhe kjo sipas këtyre mediave ruse ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999.

Moska përpiqet të stimulojë separatizmin serb nëpërmjet disa kanaleve. Janë ndërtuar lidhje midis Partisë Rusia e Bashkuar e Vladimir Putinit dhe Listës Srpska, partia më e madhe serbe, e cila ka tre ministra në qeverinë e re në Prishtinë.

Ndërtimi i planifikuar i Asociacionit të Komunave Serbe brenda Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, mund të paraqesë mundësi të reja për Moskën, për të nxitur një entitet serb të ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnje-Hercegovinë.

Prania ruse në Kosovë, po rritet gjithashtu nëpërmjet lidhjeve midis Kishave Ortodokse Ruse dhe Serbe, pohon raporti. Të dyja janë bastione të ultra-konservatorizmit dhe anti-perëndimorizimit. Sikurse pohon Kallaba, Kremlini kanalizon fonde për organizatat pararojë si grupime humanitare dhe shoqëritë e miqësisë, që promovojnë interesat e Rusisë, si dhe për Kishën Ortodokse Serbe, e cila refuzon të kontrollohet financiarisht nga Prishtina.

Moska ushtron presion ekonomik, nëpërmjet nënshkrimit të kontratave energjitike me Serbinë, që gjithashtu përfshijnë udhëheqësit e pakicave serbe në Kosovë. Kremlini synon zgjerimin e rrjetit energjetik të Rusisë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbinë jugore, dhe kërkon qasje në tregun e gazit në Kosovë.

Moska synon të thellojë ndërvarësinë e shteteve të populluara nga serbët ndaj ekonominë ruse, dhe gjithashtu të testojë tezën se politikanët shqiptarë dhe kosovarë nuk janë të korruptueshëm nga paratë ruse. Raporti i Prishtinës, ngre gjithashtu disa paralajmërime.

Institucionet qëndrore të Kosovës, nuk janë të pajisura siç duhet për të parandaluar depërtimin ekonomik dhe politik të Rusisë. Qeveria aktuale, nuk ka një strategji të qëndrueshme, për të adresuar marrëdhëniet e saj diplomatike me Moskën.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian nuk po garanton një trajtim të barabartë për Kosovën ashtu si me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për deklaratat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe qëndrimet ndaj Rusisë.
Një nga rekomandimet kryesore të QKSS-së, është që Kosova të vazhdojë bashkëpunimin institucional me vendet balltike, skandinave dhe vende të tjera për të ndarë përvojat me fushatat subversive dhe dezinformative nga ana e Rusisë.

Kjo duhet të përfshijë Qendrën e Ekselencës Strategjike në Letoni, dhe Qendrën kundër Sulmeve Kibernetike në Estoni. Në fakt, vetë Kosova po grumbullon dëshmi dhe përvojë nga sulmet e Moskës mbi shtetësinë, demokracinë dhe institucionet perëndimore, që mund ta ndajë me shtetet e tjera të pambrojtura.

Përktheu: Alket Goce

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400