Impakti rus në dezinformacionin publik

12:39 / E martë, 09 Janar 2018

 

Nga Kostandin XOXA

Në mungesë të luftës së ftohtë dhe asaj konvencionale, beteja e së ardhmes janë në nivelin e luftës kibernetike dhe propagandës qorre për të dëmtuar interest e kundërshtarëve.
Doktrina “Gerasimov” e Rusisë të zhvendosjes së betejës në Internet është një realitet që shumë vende të NATO-s po përballen çdo ditë. Shkurtin e kaluar, Andrey Krutskikh, një zyrtar i lartë kibernetik rus i tha në një konference sigurie në Moskë se Rusia po punonte për një strategji të re për “arenën e informacionit” që do të ishte ekuivalente me testimin e një bombe bërthamore dhe do të “lejonte të flisnim me amerikanët si të barabartë”.
Komentet e Krutskikh janë të rëndësishme për faktin se ato mund të ndihmojnë në shpjegimin e doktrinës radikale politike që nënvizon se sulmet e Rusisë dhe përpjekjet për manipulimin e fushatës presidenciale të vitit 2016 në Amerikë, në Francë apo Itali, janë fushëbeteja e re në Evropë. Veçanërisht në Itali së fundmi, ku u përdorën dy të rinj Lezhjanë, që kishin në pronësi dhjetëra portale që përhapnin lajme të rreme.
Por edhe në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, Rusia po përpiqet të hapë një front të ri, përmes propagandës online dhe televizive, që kamuflohen si lajme sensacionale.
Me datë 3 janar, gazetadita.al botoi një shkrim interesant që zbulonte mediat shqiptare që luanin rolin e antenës ruse në Tiranë. Sipas gazetës Dita, “Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse njofton se më 17 dhjetor 2017 disa media shqiptare kanë botuar një artikull të ofruar nga Ambasada e Rusisë në Shqipëri, kushtuar fjalimit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë S. V. Lavrov në Këshillin e Federatës në suazë të “orës së qeverisë”.” Materiali u vendos gjithashtu në versionet elektronike të një numri botimesh dhe portalet e lajmeve në internet “Gazeta Impakt” https://goo.gl/zLFjw3, etj.
Ndërkohë, nuk janë vetëm portalet periferike që ushqejnë një politikë anti-NATO dhe Anti-Amerikane në Shqipëri, ku luhen kryesisht me CIA-n apo poshtërimin e Trump në media, por edhe televizione kombëtare që marrin lajme nga Sputnik, agjencia e krijuar nga FSB-ja, si armë kibernetike për Europën.
Një ditë më parë, një tv kombëtar solli lajmin e Sputnik për përdhunimin e një vajze shqiptare në Hamburg, por nuk jepte as emrin e xhelatit dhe as të viktimës, vetëm propagandë. Lajme të tjera kundër muxhahedinëve Iranianë të strehur në Shqipëri janë temë e politikës antishqiptare të Spunik dhe filialeve të saj në rajon.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400