Koha kur propagandën anti-integrim e bën opozita e vendit tënd

20:11 / E diell, 20 Maj 2018

 

 

Nga Xhuljo Ferzaj

 

Në një moment kyç për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, opozita shqiptare ka nisur propagandën duke nxirë imazhin e vendit tonë në 27 vendet anëtare. Së fundmi propaganda e PD-së, është ndërtuar mbi “Dëshmitarin X”, të quajtur Albert Veliu. Si fillim publikuan audio përgjimin më pas këmbëngulnin se jeta e tij rrezikohej nëse e tregonin identitetin e “Dëshmitarit X”, por kjo nuk zgjati shumë, pas regjistrimit të intervistës, ku Albert Veliu thoshte se ishte ai autori i bisedës me Agron Xhafaj, vëllain e ministrit të Brendshëm, kjo u përdor për të sulmuar Fatmir Xhafën dhe qeverinë. Por si shpjegohet kontakti i menjëhershëm me përfaqësuesit e Partisë Demokratike?

Pse duhet të ngrihen akuzat mbi bazën e fjalëve të Albert Veliut? Pse intervista ishte realizuar nga vetë PD dhe jo ndonjë televizion? Në një kohë kur qytetarët dhe qeveria i kanë drejtuar sytë te çelja e negociatave pse ndërmerren akte të tilla politike? Është e pamundur që Albert Veliu të ketë krijuar kaq shpejt kontaktet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Vlorë, koha e shkurtër të bën të kuptosh se këtu ka një gënjeshtër. Aq më tepër kur përfaqësuesit e PD në Vlorë zor se mund ti gjesh në zyra përveç rasteve kur ka ndonjë protestë dhe zgjedhje.

Pse Albert Veliu zgjodhi bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe jo Lëvizjen Socialiste për integrim? Në këtë moment nis gënjeshtra e PD, e cila e nxjerr zbuluar sajesën me anë të një personi i cili rezulton të jetë precedent penal, i dënuar për trafik droge, armë dhe vjedhje makinash. Është qesharake kur mendon një parti politike e cila krijon akuza mbi bazën e një personi që mashtron, por jo aq bukur. Njohja e Albert Veliut me përfaqësues të Partisë Demokratike janë të hershme, madje është korruptuar me para dhe i është ofruar “siguri”. Një tjetër fakt kontradiktor është mundësimi i dy regjistrimeve, njëri ku Albert Veliu paraqitet si “Dëshmitari X”, ndërsa në intervistën e realizuar në selinë e Partisë Demokratike shfaqet me identitet, kjo të bën të kuptosh se është një teatër i mirë organizuar, gjithçka ka qenë e planifikuar me prapaskenë politike.

Selia e PD nga një ndërtesë politike u kthye në “Kinostudio Shqipëria e Re,” filmin e parë e realizoj me audio dhe imazh të kufizuar, ku pretendohej se ishte realizuar përgjim nëpërmjet një gazetari që Enkelejd Alibeaj e lavdëronte në studion e një emisioni si trim, ndërsa intervista u realizua brenda ambienteve të PD. Një tjetër kontradiktë është marrja me makinë e Albert Veliut nga përfaqësues të PD-së, të cilët ngritën alarmin se jeta e tij ishte në rrezik, ndërsa në dorën e tyre ishte i sigurt. Edhe kjo ka një shpjegim, Albert Veliu është një aktor amator që mund të bënte gabime në realizimin e plotë të inskenimit të mirë organizuar, regjisorët së bashku me aktorë të tjerë profesionist, i qëndruan në kokë deri sa të thoshte të gjitha fjalët e shkruara në skenar, ndryshe nuk përfitonte asgjë nga premtimet e marra.

Pas marrjes në pyetje të Albert Veliut Prokuroria duhet të pyesë Lulëzim Bashën se ku i gjeti paratë për shpërblimin e dëshmitarit gënjeshtar dhe shpenzimet e realizimit të një show aspak të vërtet, i cili ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë, por edhe hedhje balte mbi punën e mirë të njërit prej ministrave më të suksesshëm që ka pasur Ministria e Brendshme. Kjo vërtetohet fare mirë nga puna që ka bërë në krye të kësaj ministrie. Sekuestrimi i 613 kg kokainë, shkatërrimi i strukturave kriminale, e cila vijon fal punës së Fatmir Xhafaj. Partia Demokratike ka nisur nxirjen e imazhit të Shqipërisë në prag të negociatave, kjo ka sjellë qëndrim skeptik të disa vende, po bëhet në mënyrë të qëllimshme, për fitime politike. Ftesa e kryeministrit Rama për bashkëpunim me opozitën në interes të integrimit të Shqipërisë nuk mori asnjë përgjigje pozitive, përkundrazi fushata anti-integrim vazhdoj me publikime artikujsh të financuar, mesazh dhe emaile përfaqësueseve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nëse një ditë këto emaile dhe mesazhe publikohen ka për të qenë një skandal. Mazhoranca punon për të arritur çeljen e negociatave ndërsa opozita vazhdon të nxijë Shqipërinë si narko-shtet i pushtuar nga krimi, droga dhe korrupsjoni. Basha pretendon se me sajesën e krijua nëpërmjet një dëshmitari X tu mbushi mendjen vendeve anëtare të mos hapin negociatat me Shqipërinë. Në të vërtet vendimi nuk bazohet me fushatën anti-integim të Bashës, mos të harrojmë se liderët e 27 vendeve të BE-së, nuk e bëjnë vlerësimin mbi bazën propagandës së PD. Nëse ndodh që të mos hapen negociatat përsëri opozita do ndërmarri iniciativa kundra qeverisë me argumentin se dështimi erdhi si pasojë e qeverisjes. Por fatmirësisht kjo nuk ka për të ndodhur, negociatat do hapen në qershor. Hapja e negociatave do jetë përgjigja më e mirë për opozitën, qytetarët do e bëjnë vetë vlerësimin. Basha meqenëse nuk u ofroj asnjë alternativë të re demokratëve po përpiqet të fitoj nëpërmjet një filmi të sajuar, me krenari u tregon se aksioni opozitar tashmë po tërheq vëmendjen e vendeve anëtare të BE.

Të gjitha lekët dhe energjinë që harxhon opozita me propagandë anti-integrim, ka për të qenë një lojë e rrezikshme e cila ka për ti hequr vota opozitës. Për liderët e vendeve anëtare të BE-së, është shumë qesharake, kur përfaqësues të opozitë u kërkojnë të mos hapen negociatat me pretendimin se është herët dhe kemi probleme të brendshme për të rregulluar. Nga kjo lojë dashakeqe dëmtohet Shqipëria dhe qytetarët të cilët dëshirojnë hapjen sa më parë të negociatave. Ne qytetarët po i vuajmë pasojat, prandaj duhet të bëjmë diferencën midis atyre që duan integrimin dhe atyre që nxjerrin pengesa, kjo është e mundur vetëm nëpërmjet votës.

Pse opozita nuk bashkëpunon për hir të interesit kombëtar dhe qytetarëve të lobonte për hapjen e negociatave? Sikur kjo të ndodhte sot do diskutohej nëse hapja e negociatave do të bëhej në Maj dhe jo Qershor, përçarja politike nuk sjell gjë tjetër veçse pengesa në procesin e integrimit dhe dëmtimin e imazhit të vendit tonë. Basha nuk është nisur me këtë logjik, por i ndodhur përball rrënimit të PD-së, ka zgjedhur tu mbushi mendjen demokratëve se është duke punuar për rrëzimin e qeverisë, denoncimin e drogës, krimit dhe korrupsionit, madje këtë propagandë po e servir në vendet anëtare të BE. Sikur e gjithë kjo energji të harxhohej për lobim që i shërben hapjes së negociatave, sot do debatohej se kush ka meritë për përshpejtimin e çeljes së negociatave dhe jo të kundërtën nëpërmjet filmave. Madje Bashën dhe Kryemadhin nuk e besojnë as të vetët, bëjnë sikur e besojnë.

Të lobosh kundër integrimit të vendit tënd ndodh vetëm në Shqipëri, dhe kjo bëhet nga opozita e vendit tënd, e cila për përfitime politike nxjerr dëshmitarin X, fatmirësisht kjo nuk do ndikoj në hapjen e negociatve. Debati politik duhet të ngelet brenda vendit jo të përcillet jashtë saj në një moment kur i kemi sytë te hapja e negociatave. Sot në Shqipëri është koha kur propagandën anti-integrim bëhet nga ky brez politikanësh të opozitës.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400