Kosova, një fabrikë gjigante për prodhimin e analfabetëve me diploma!

21:50 / E premte, 02 Mars 2018

 

Shkruan: Faik Krasniqi

Pa një arsim të shëndoshëm e të mirëfilltë, nuk do të kemi kurrë as shtet
Shtetin është duke e udhëhequr mafio-politika

Cilësi dhe reforma në arsim nuk mund të kemi derisa nuk mbyllen universitetet dhe kolegjet private, prapa së cilave pa dyshim se qëndron mafio-politika, por njëkohësisht edhe reduktimi i numrit të studentëve në ato publike

Pa një arsim të shëndoshë e të mirëfilltë, nuk do të kemi kurrë as shtet e as shoqëri të shëndoshë dhe të mirëfilltë. Në çdo shtet të botës arsimi është shtylla kryesore e një shteti. Kurse te ne është e kundërta. Arsimi te ne shërben për të prodhuar injorantë me diploma dhe mënyrë për t’u pasuruar, në mënyra të ndryshme.

Kurrikula e re pa dyshim vendos themelet për ngritjen e cilësisë dhe të barazisë në shërbimet arsimore për të gjithë nxënësit dhe ndërlidhjen e sistemit të arsimit të Kosovës me reformat aktuale arsimore ndërmjet sistemeve më të zhvilluara.

Prandaj, kjo kurrikulë e re është shumë e rëndësishme që të zbatohet, sepse jo vetëm që do hapte rrugën e reformimit të arsimit fillor e të mesëm në Kosovë, por edhe do t’ua lehtësonte edhe çantat e stërngarkua fëmijëve tanë, të cilët më vonë do të kenë pasoja në shëndetin e tyre.

Por, shtrohet pyetja kujt nuk po i konvenon moszbatimi i kurrikulës së re?

Pa dyshim se atyre që janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë për degradimin dhe rrënimin e arsimit në Kosovë, e ata janë kjo klasë politike dhe parapolitike në pushtet, të cilët mbajnë përgjegjësinë për çdo të keqe që i ka ndodhur dhe po i ndodh arsimit.

Fajtore kjo klasë politike

Ne të gjithë e dimë që shtetin është duke e udhëhequr mafio-politika, por një gjë po më çudit nga ky popull, e sidomos nga prindërit e këtyre fëmijëve që tolerojnë gjithë ato libra të panevojshme në kurrizin e fëmijëve të tyre, pasi me kurrizin e tyre po bëhet pazar nga këta kriminelë e banditë.

Ministria e Arsimit, zyrtarët e lartë të saj dhe njerëz të fuqishëm të politikës, prej pasluftës kanë përdorur gjoja strategji për rritjen e cilësisë në arsim, por të gjitha këto i kanë bërë vetëm për ta zhvatur sa më shumë para nga taksapaguesit kosovarë. Të gjitha këto “strategji’’ të tyre kanë rezultuar të dështuara. Edhe ndërtimi i objekteve shkollore, nga disa libra për çdo lëndë, janë bërë për të vetmin qëllim, që të vjedhin e plaçkitin sa më shumë para, të cilat kanë përfunduar në xhepat e ministrave, zyrtarëve të MASHT-it, politikanëve të fuqishëm, bizneseve kriminale dhe shtëpive botuese, të cilët kanë monopol në shtypjen e librave shkollorë.

Prandaj, fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë për degradimin dhe rrënimin e arsimit në Kosovë janë kjo klasë politike dhe parapolitike në pushtet, të cilët mbajnë përgjegjësinë për çdo të keqe që i ka ndodhur dhe po i ndodh arsimit. Prokurori i shtetit, z. Aleksandër Lumezi, nëse dëshiron ta tregojë veten dhe bëhet hero i shpëtimit të shtetit nga këta kriminelë e mafiozë të politikës dhe parapolitikës, besoj që duhet të ballafaqohet pikë së pari me ‘peshqit e mëdhenj’, sepse gjarpri duhet të goditet nga koka, e jo nga bishti.

Vendit nuk i duhen njerëz që shkojnë në shkollë për t’u pajisur me një diplomë

Cilësi në arsim nuk mund të kemi derisa ish-politikanë janë dekanë në Universitetet publike, madje edhe rektorë. Reformat në arsim nuk mund të fillojnë me kapësit dhe degraduesit e arsimit të djeshëm dhe të sotshëm, derisa arsimi në Kosovë përdoret për t’i mbrojtur interesat e mafio-politikës dhe përfitimet dhjetëra milionëshe, që sigurohen për grupet e caktuara të politikës dhe parapolitikës, ose me një fjalë për këtë rrjet kriminal, të përbërë nga politikanë të paskrupullt.

Reforma në arsim nuk mund të kemi derisa ajo ndikohet dhe dirigjohet nga politika.

Reforma në arsim nuk mund të kemi derisa pjesa dërrmuese e politikanëve, zyrtarëve të lartë, prokurorëve, gjykatësve etj., janë edhe mësimdhënës në Universitetet publike, por edhe në ato private.

Cilësi dhe reforma në arsim nuk mund të kemi derisa nuk mbyllen Universitetet dhe kolegjet private, prapa të cilave pa dyshim që qëndron mafio-politika, por njëkohësisht edhe reduktimi i numrit të studentëve në ato publike.

Sepse, universitetet dhe kolegjet private dhe numri i madh i studentëve të panevojshëm në ato publike, e kanë degraduar thellë arsimin dhe ia kanë humbur vlerën diplomës universitare. Me një fjalë Kosova është shndërruar në një fabrikë gjigante për prodhimin e analfabetëve me diploma. Të gjitha këto duhet t’i kenë parasysh Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, që nëse duam vërtet të kemi cilësi në arsim dhe të nxjerrim kuadro të forta, të fillojnë dhe të reflektojnë vërtet në këtë drejtim dhe në këtë mënyrë. Pa mbylljen e universiteteve dhe kolegjeve private, kurrë s’do të kemi cilësi në arsim dhe as nuk do të nxjerrim kuadro të forta, që të jenë të aftë në drejtimin e shtetit. Prandaj, Kosovës nuk i duhen njerëz që shkojnë në shkollë për t’u pajisur me një diplomë. Por, Kosovës i duhen kuadro të forta.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400