Krime lufte apo lojë shahu!

22:10 / E hëne, 09 Janar 2017

 

Shkruan: Kamber Demaku

Tek sa fillova të shkruaj natyrshëm kisha vështirësi, jo nga mungesa e fakteve dhe argumenteve për atë se çfarë dua të them, por nga vajza ime 3 vjeçare, e cila më kërkon të luaj me të. Pikërisht këtu edhe dua ta filloj, nga humanizmi dhe ndjesia njerëzore, deri tek e drejta që përkufizohet nga normat dhe ligjet e sistemeve demokratike me të cilat ne sot jetojmë. Kam lexuar diku që kur je i mërzitur apo i zemëruar, i gëzuar apo i lumturuar së tepërmi mos shkruaj, sepse vështirë se do të besojë ndokush. Por unë do të mundohem të jem mes këtyre, në mënyrë që të jem i besuar dhe i arsyeshëm për atë çfarë them. Nuk është e vështirë të kuptojmë se jemi në një proces të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, politik, ekonomik dhe social. Por, apo arrijmë të kuptojmë se rruga që kemi filluar ne shtet-ndërtim është ajo e duhura për nga praktikat që po krijojmë ne institucione të caktuara, ne këtë rast sistemin e drejtësisë të menaxhuar pjesërisht nga bashkësia ndërkombëtare?!

Ne jemi pjesë përbërëse e një rajoni që shpeshherë shoqëritë, apo vendet perëndimore e përkufizojnë si shoqëri me tipare përafërsisht të njëjta për nga ana e gjykimit tonë se si i shohim dhe i përkufizojmë gjërat në kontekstin e besimit dhe pranimin e asaj që na ofrohet/servohet nga të tjerët për ne! Dhe fatkeqësisht, besimin më të madh e kemi për gjërat rreth të cilave dimë më pak dhe përderisa ne dimë më pak për gjera të caktuara, ne jemi të gatshëm të besojmë nga të tjerët gjithçka që thuhet e servohet për ne, për vlerat, apo edhe për idealet tona. Gjeostrategjitë politike kanë ndryshuar, në kuadër të saj edhe synimet dhe mënyrat e të vepruarit ndaj një qëllimi të caktuar, sipas interesave të caktuar, të elementeve apo vendeve të caktuara, kanë pësuar ndryshime në veprimet e tyre për të arritur qëllimet e caktuara politike.

Euforitë, mënyrat se si i pranojmë dëshmitë e paargumentuara, si i përqafojmë lehtësisht ato që na servojnë të tjerët, nganjëherë janë një armë e mirë e elementeve të caktuara për të përdorur për synimet e tyre politike, përmes krijimit të skenave gjykuese për ideale apo individë që bartin ato ideale, duke shfrytëzuar mangësitë, elementet e lartpërmendur që të sigurohet rruga pa pengesa në synimet e tyre të caktuara politike. Por pse patjetër ne si shoqëri duhet të ndjekim hapin e zhvillimit të gjykimit tonë të drejtë, ndaj këtyre elementeve që na servojnë skema të mirë strukturuara ndaj vlerave tona që kishim dhe në periudha të caktuara për synimet tona të lirisë dhe shtet-ndërtimit? Sepse ndryshe do të vazhdojnë të na tërheqin zvarrë, por kësaj radhe jo me metoda dhune dhe lufte, por përmes konspiracionit, duke shfrytëzuar elementet e instaluara në institucione të caktuara, përkatësisht institucionet e drejtësisë dhe disa elemente propaganduese, me qëllim që të krijojnë skema të mirë strukturuara gjykuese ndaj idealeve, apo bartësve të tyre dhe vlerave tona si popull paqedashës dhe jo dhunues.

Përmes shfrytëzimit të këtyre mekanizmave, krijohen perceptimet në opinionin e jashtëm dhe të brendshëm se ne nuk kemi qenë viktima të okupatorit pushtues, por jemi agresorë dhe shoqëri me tipare të dhunës dhe krimit. Nganjëherë, kur nuk arrihen disa qëllime përmes një lufte, apo konflikti të caktuar, ndryshojnë mënyrat e të vepruarit ndaj një vendi, elementeve, individëve, të cilët janë, ose kanë qenë pjesë përbërëse e një kryengritjeje për të kundërshtuar qëllimin e një shteti, apo interesat e caktuara gjeopolitike ndaj një vendi, si në rastin e Kosovës. Janë pikërisht bartësit e këtyre idealeve që përmes këtyre gjykimeve politike po eliminohen nga skena politike. Pra, shihet qartë se në vazhdimësi kemi të bëjmë me veprime armiqësore, siç edhe tregojnë praktikat dhe mënyrat të cilat janë funksionalizuar në institucione vendimmarrëse për gjykime të figurave të caktuara, që mund të jenë fatale në perspektivën e vendit. Por, është e rëndësishme ta kuptojmë se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht elemente të saj nuk janë duke luajtur me karta të hapura.

Qëllimi dhe synimet, siç duket, nuk janë të njëjta me ato që ne kemi besuar, në bazë të praktikave që po krijojnë duke anashkaluar çdo normë ligjore dhe procedurale të së drejtës, bazuar në sistemet demokratike që proklamohen nga vet ata, pra janë në kundërshtim të plotë me realitetin dhe të drejtën që në vendet nga vinë ata quhen vlera demokratike. Për të arritur synimet e tyre të caktuara mbi të vërtetën dhe të drejtën, kjo linjë tashmë ka kaluar çdo imagjinatë që mund ta paramendojë njeriu në kuptimin e shkeljeve procedurale brenda një sistemi demokratik. Ndjesia e superioritetit, shkeljes, abuzimit me drejtësinë, siç po bën drejtësia e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ndaj rasteve të fundit të gjykimit kin se krime lufte, janë metoda të humbjes së arsyes dhe të drejtës elementare, humane dhe mbi të gjitha, shkatërruese për perspektivën e këtij vendi. Nganjëherë sikur duket se jemi rrëmbyer nga kalkulimet, servimet, egot dhe idiotizmat, qarqet apo elementet e caktuara që na i ofrojnë të përgatitura në atë mënyrë që lehtësisht i pranojmë si të vërteta, por që në fakt kemi të bëjmë me qëllime krejtësisht tjera, natyrisht bazuar në faktet dhe procedurat juridike, të cilat janë shkelur në mënyrë të paparë deri më sot nga një institucion legjitim i drejtësisë brenda një sistemi demokratik. Duke filluar nga procesi si është trajtuar, proceduar dhe natyrisht shkeljet, për të cilat secili nga ne, me njohuritë elementare që kemi për procedura dhe prova juridike, mund të konstatojë që kemi të bëjmë me gjykime dhe qëllime politike, denigruese ndaj një grupi, apo bartësi të një ideali në kohë të caktuar.

Ne nuk duhet të përulemi kurrsesi që dikush përmes abuzimit dhe kurrizit tonë të krijojë imazhe të paqena dhe t’i dëmtojë idealet për të cilat të gjithë ishim të sigurt që kanë qenë për një qëllim paqësor dhe liri nga okupatori i pagjykuar deri më sot. Ne kurrë nuk e kishim menduar se një ditë dikush do na gjykojë idealin për liri, përmes abuzimit të drejtësisë. Ne besuam në drejtësinë e tyre, ndërsa ata abuzuan me besimin tonë. Termi i krime lufte, si në rastet e fundit të gjykuara nga ana e drejtësisë ndërkombëtare, jo vetëm që nuk korrespondon me realitetin e fakteve të ofruara dhe dëshmitarët e prokurorisë, por kjo tregon vetëm tendencën e qartë politike për të eliminuar dhe barazuar luftën çlirimtare nga ana e këtyre elementeve të lartpërmendura. Por ne gjithsesi duhet të shikojmë dhe të gjejmë një dritare në errësirën e absurditetit dhe abuzimit të këtyre elementeve të instaluara në institucione vendimmarrëse për drejtësinë e një vendi, që më së shumti kishte nevoje për të. Unë jam i vetëdijshëm që jeta nganjëherë nuk ta ofron drejtësinë e duhur, mund të jetë vetëm më e drejtë se sa vdekja, por jam edhe i vetëdijshëm se kur i themi nganjëherë gjërat hapur për padrejtësitë që na bëhen, çlirohemi nga barra mbi supet tona që nganjëherë na duket sikur nuk ka të mbaruar.

Autori është student i Masterit në UP, në Shkencat Politike, Integrime Europiane.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400