Kroacia pesë vjet pas anëtarësimit në BE

09:00 / E martë, 03 Korrik 2018

Para pesë vitesh Kroacia u bë vendi i 28 anëtar i Bashkimit Evropian. Rruga deri në anëtarësim ishte e gjatë, por çfarë ka ndodhur në këto pesë vite?

 

Edhe para pesë vitesh kur Kroacia u anëtarësua në BE gëzimi ishte i matur – si në Kroaci ashtu edhe në Bruksel. Kroacia u anëtarësua në BE me 1 korrrik 2013. Kriza e euros ishte në fazën më kulmore. BE dhe Banka Qendrore Evropiane merreshin kryesisht me Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën, në përpjekje për t’i shpëtuar ato nga falimentimi. Italia dhe Spanja ishin kandidatët e radhës në këtë krizë. Shqetësimet ishin të mëdha në mediat gjermane: “BE po e pranon një fëmijë tjetër shqetësues”. Në mediat gjermane kishte edhe tituj të tillë: “Merreni karrigen tonë, ne së shpejti do të largohemi”.
Festimet ishin të përmbajtura edhe në Kroaci, sepse atje mendohej se Kroacia kaherë është dashur të anëtarësohej në BE. Kroatët mendonin, se vendi i tyre kaherë ka qenë pjesë e Evropës dhe nuk do të duhej aspak të priste kaq gjatë te pragu i portës. Ata mendonin se Kroacia është dashur të anëtarësohej para Bullgarisë dhe Rumanisë. Në anën tjetër ekzistonte frika e aftësisë konkurruese të ekonomisë kroate në BE dhe se ka pasur mashtrime me nivelin e papunësisë në vend, i cili asokohe ishte rreth 20%. Një prej gjërave më pozitive për të cilat flitej ishte Fondi i BE që i vihej në dispozicion Kroacisë për zhvillimin e vendit.

Brain drain si dhuratë
Sot pesë vite më vonë, në Kroaci nuk ka shumë shkaqe për të festuar. Pothuajse askush nuk mund të thotë qartë se çfarë të mire i ka sjellë Kroacia BE-së – nëse nuk llogarisim fuqinë e re dhe të kualifikuar punëtore të larguar nga Kroacia drejt vendeve të tjera të BE. Presidenti i atëhershëm i Komisionit të BE, Manuel Barroso thoshte, se Kroacia ka shënuar përparime të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por Transparency International pohon, se anëtari më i ri në BE zë vendin e 58 në listën e tyre, nga 180 vende.
As nga perspektiva kroate anëtarësimi nuk mund të shihet si historia më e madhe e suksesit. BE prej vitesh po kalon nga një krizë në tjetrën. Qëllimi i BE-së ishte asokohe që të stabilizojë Ballkanin dhe Evropën, por Ballkani është sot më pak stabël se rrallë herë më parë. Kroacia nuk mund të konsiderohet sot si një prijëse e tolerancës dhe funksionimit të shtetit juridik. As ekonomikisht ky vend nuk ka mundur të përfitojë shumë. Këtë e dëshmon edhe fakti, se çdo ditë nga Kroacia mesatarisht largohen 180 vetë dhe shkojnë në Gjermani, Austri apo Irlandë. Ata janë kryesisht të rinj të përgatitur mirë.

Frika si argument

Në bilancin pesëvjeçar mbetet tani edhe faktori gjeostrategjik. Evropa Juglindore shihet si rajon jo i qendrueshëm dhe i rrezikshëm, që nga koha e shpërbëjes së ish-Jugosllavisë. Atje ekziston rreziku i vazhdueshëm i influencës nga Turqia, Rusia, Kina dhe vende të tjera, të cilat duan të shtrijnë influencën dhe interesat e veta në këtë rajon. Kryeministri i atëhershëm kroat Zoran Milanoviq premtoi para pesë vitesh, se vendi i tij do të shndërrohet në urë për vendet e Evropës Juglindore. Diçka e ngjashme me një bosht paqeje. Por Kroacia edhe sot ka probleme territoriale me Slloveninë. Bosnje-Hercegovina provokohet nga Kroacia me ndërtimin e një ure të madhe tek Neumi për të anashkaluar territorin e këtij vendi, ndërsa me Serbinë ka më shumë grindje sebvsa marrëdhënie bashkëpunimi.
Megjithatë anëtarësimi i Kroacisë në BE nuk e ka dëmtuar rajonin dhe BE-në. Vendet e tjera të Ballkanit mund ta kenë Kroacinë si shembull dhe të intensifikojnë reformat, të marrin prej saj disa ligje që tingëllojnë mirë. Fakt është që për Kroacinë nuk është dëgjuar shumë vitet e fundit në BE, për shkak se atje po zhvillohet një grindje mes të mëdhenjve. Megjithatë në Kroaci nuk ka shumë shkaqe për të festuar.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400