Ku treti sovraniteti!

14:58 / E shtunë, 17 Shkurt 2018

 

Nga Hydajet Hyseni

Retro(pro)spektivë
(Një urim për pavarësinë dhe një pyetje për të ardhmen)

E SOVRANITETI…?
SI TRETI SOVRANITETI?!

(Si hyrje)
Vite më parë shkrova një poezi të padëshiruar, një poezi që do të doja të mos ishte shkruar kurrë. Një poezi për metaforën e lirisë sonë dhe metamorfozën e saj…Thjeshtë, e kisha të vështirë të pajtohesha me motivin dhe tonet e zymtisë, dëshpërimit e zhgënjimit që rridhnin nëpër vargje… Edhe pasi u shkrua, nuk mund të bindja veten që të botohej… Dëshiroja të mos kisha të drejtë, të më demantonte koha, dhe të më demantonte për të mirë. Doja që të mbetej vetëm një shprehje e një çasti rezignimi…
Në përvjetorin jubilar, të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në atmosferë festive aq sa mund të jetë festive, ka tema që nuk do të doja të më silleshin nëpër kokë. Nuk do të doja të merrem me to. Nuk do të doja të shtrohej as pyetja e titullit të këtij shkrimi…
Por, derisa dëgjon lajmet, kronikat dhe debatet e teledirigjuara televizive për lojën me flamur e përplasje flamush, lojërat kuazidiplomatike me kufirin dhe mashtrimmarrëveshjet për kufirin, dhe, midis tyre, lajtmotivin aq arrogant e të përsëritur deri në tepri e bezdi të promospotit me lapsusleximin: “ne, udhëheqësit e popullit tonë … shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe (…) demokratik…, nuk mund të të mos shkojnë sytë te Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e varur në mur, dhe fjalia historike: “ne, udhëheqësit e popullit tonë…, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran…”. Nuk mund të mos imponohet pyetja e cila nuk do të doja të shtrohej kurrë: “E sovraniteti? A treti, ku treti dhe si treti sovraniteti?”.
Në mungesë të përgjigjes së “kompetentëve”, të pritur 10 vjet, le të flasin faktet:

(Pak parahistori)

Pa shkuar më larg, në të kaluarën e trazuar me aq rënie e ngritje, ngecje e rritje, Konferenca e Rambujesë dhe Marrëveshja e Përkohshme… e saj, (megjithë mangësitë e shumta dhe dykuptimësitë problematike) jo vetëm që paralajmëruan, por edhe hapën shtekun për përfundimin e sovranitetit pushtues të Jugosllavisë e Serbisë mbi Kosovën e zaptuar dhe njëkohësisht krijuan mundësinë dhe trasuan rrugën për të ardhmen e lirë, të pavarur dhe sovrane të gjysmës së popullit të ndarë shqiptar – Republikës së Kosovës.

“Kapitulli 8
Amandamentimi, Vlerësimet Gjithpërfshirëse dhe Dispozitat Përfundimtare

3. Tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të determinuar një mekanizëm për një vendosje (zgjidhje) finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës Palë në lidhje me implementimin e kësaj Marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit, dhe që të ndërmirren vlerësimet e përgjithshme mbi implementimin e kësaj Marrëveshjeje duke i konsideruar propozimet nga cilado Palë për masat shtesë”.
Siç dihet (dhe shpesh harrohet!), amendamentimi i Marrëveshjes së Rambujesë, në variantin fillestar, ishte i kufizuar thjeshtë në çështjen e vlerësimit të zbatimit të marrëveshjes, ndërsa, falë konsistencës dhe këmbënguljes së dekegacionit të Kosovës dhe veçmas përfaqësuesëve të UÇK-së, përveç kufizimit të “Marrëveshjes së Përkohshme…” në kohëzgjatje trivjeçare, vendosjes së NATO-së në Kosovë, modifikimit të formulës:”shuarja e UÇK-së, në formulën: “transformimi i UÇK-së”, është shtuar edhe pjesa: “…do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të determinuar një mekanizëm për një vendosje (zgjidhje) finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës Palë…”, modifikime që e bënin dhe e bënë Marrëveshjen të paparanueshme për kreun shovinist serbomadh.
Sekretarja amerikane e shtetit, zonja Medlin Olbrajt, e kishte sqaruar dhe siguruar, edhe me shkrim, delegacionin e Kosovës se për Amerikën kjo klauzolë ishte e drejtë e popullit të Kosovës për të shprehur vullnetin e tij me referndum. Gjatë vizitës së zonjës Olbrajt në Kosovë, kur iu rikujtua formula e referendumit të paraparë që të mbahej pas tre vjetësh, qe përgjegjur shkurt: “mund të bëhet edhe më herët”.

(Nga Rambujea ambiguente – te “rikonfirmimi i shpalljes së paraluftës…”)

Konferenca e Rambujesë dhe dokumenti i saj ambiguent, linin edhe mundësinë e kufizimit në disa ndryshime e riparime funksionale e sipërfaqesore, por me rrezikun e rikthimit të Kosovës në njëren ose trajten tjeter speciale autonomiste apo kuazi republikë autonome, por gjithnjë brenda kornizës serbojugosllave. Dhe, siç e shpjegon presidenti Klinton, kjo edhe do të mund të konsiderohej si një zgjidhje solide, po të dëgjohej vetëm qasja e linjës politike, që në emër të paqes, konstruktivitetit e fleksibilitetit rrezikonin të krijonin përshtypjen se jo vetëm që do ta konsideronin si zgjidhje të pranueshme e fuksionale edhe një formë të zbutur e të sheqerosur të autonomies, por edhe se do të mund të kundërshtonin çfarëdo alterantive lufte çlirimtare, madje, edhe ta pacifikonin deri në paralizim edhe Lëvizjen e atëhershme edhe ashtu “par ekselans” të padhunshme e paqedashëse.
Në diskursin e shovinizmit serbomadh, krahas toneve radikale e intrasigjente antishqiptare, liferoheshin aty- këtu, sidomos nga qarqet kuaziopozitare, edhe formula që dukeshin të matura dhe pajtuese por, gjithnjë, me referencë te formula dhe variacionet e zgjidhjeve gjysmake, të cilat me dashje apo pa dashje, do të mund të lexoheshin si referim Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut, e cila megjithë rëndësinë e pamohueshme për kohën e vet, nuk ishte pa rrezik për rikthim në një formë apo një tjetër, në lidhje e në vartësi të Serbisë a Jugosllvisë.
“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky Kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky Kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, siç thuhet, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

(Rikonfirmim i shpalljes së pavarësisë me të drejtë bashkimi në Federatë a Konfederatë jugosllave apo konfirmim i vullnetit të popullit për pavarësi…?)

Edhe përkundër qasjes inkurajuese të diplomacisë amerikane, vendimmarrja dhe referendumi jo vetëm që nuk u bënë më herët, por kishte rrezik të zvarriteshin në ‘kalendat’ greke dhe kjo mbase edhe do të ndodhte po të mos ishin protestat dhe lëvizjet rinore, studentore dhe qytetare, që sërish lëvizën dhe shtynë proceset përpara.
Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës u parashtruan disa nisma, kryesisht nga opozita, për përmbushjen e zotimit për vendimmarrje e referendum, që rezultuan me një nismë të përbashkët për miratimin e një rezolute të Kuvendit të Kosovës por me një dallim dhe mospajtim në formulim, pothujase të pahetueshëm dhe, në pamje të parë, të parëndësishëm:
Rezolutë për konfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran,
apo
Rezolutë per rikonfirmimin e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran).

Dallimi dukej i vogël dhe disi i pahetueshëm, por në të vërtetë ishte serioz dhe substancial dhe shkaktoi kundërshtime, madje edhe doreheqje nga kreu i Komisionit.
Konfirmimi i vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi dhe sovranitet vinte theksin te vullneti ekzistues për të shpallur Kosovën shtet me pavarësi e sovranitet ndërkaq rikonfirmimi shpalljes së Kosovës për pavarësi dhe sovranitet, me dashje apo pa dashje, vinte theksin te shpallja e mëhershme e pavarësisë, që mund të lexohej si referencë te Deklarata Kushtetuese e Kuvendit Krahinor mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) të Jugosllavisë e 2 korrikut të vitit 1990 dhe te teksti i referendumit të viti 1991, që u kërkonte qytetarëve votën“
“…si vendim të vullnetit tuaj politik, mbi Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë të pjesëmarrjes konstituive në lidhjen e Shteteve- republikave sovrane (në Jugosllavi)”.

Ashtu si edhe Deklarata kushtetuese, megjithë rëndësinë e pakontestueshme historike që kishte, edhe Referendumi i vitit 1991, ishte produkt i kontekstit të kohës së tyre, por nuk mund të ishte model për shekullin e ri, në të cilin kishte hyrë Kosova e martirizuar dhe e çliruar dhe as çështja e saj e avansuar. Kosova duhej të ecte përpara dhe jo të gozhdohej në statuskuonë ngulfatëse dhe as të kthehej prapa në korniza të tejkaluara vartësie.
Me Angazhimin dhe lehtësimin e Ambasadorit të atëhershëm amerikan, u tejkaluan dallimet dhe me 17 nëntor 2005, Kuvendi i Kosovës miratoi:

Rezolutë për konfirmimin e vullnetit politik…

KUVENDI I KOSOVËS

•Duke u mbështetur në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të Drejtën e Popujve për Vetëvendosje dhe aktet e tjera ndërkombëtare;
• Duke marrë parasysh aspiratën legjitime të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe në paqe me popujt tjerë;
• Duke u mbështetur në zhvillimet historike, juridike e kushtetuese të Kosovës, të shprehur në Konferencën e Bunjajt (1943-44), në Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, në Referendumin e vitit 1991, si dhe në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran të vitit 1991;
• Duke u bazuar në luftën e gjatë të popullit të Kosovës për liri e pavarësi;
• Duke u bazuar në rezistencën e përgjithshme ndaj okupimit dhe në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
• Duke konfirmuar garantimin për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë sipas standardeve ndërkombëtare;
• Duke u bazuar në programet e partive politike për statusin politik të Kosovës;
• Duke e çmuar lart intervenimin e NATO-s në Kosovë për të ndalë gjenocidin dhe pastrimin etnik në Kosovë nga ana e Serbisë, si dhe ndihmën ndërkombëtare dhënë Kosovës; Kuvendi i Kosovës nxjerrë këtë:
REZOLUTË PËR RIKONFIRMIMIN E VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË KOSOVËS PËR KOSOVËN SHTET TË PAVARUR DHE SOVRAN
1. Kuvendi i Kosovës rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran;
2. Kuvendi i Kosovës garanton rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Pavarësi nëpërmjet Referendumit;(…)
6. Kuvendi i Kosovës zotohet për respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për qytetarët e Kosovës dhe të drejtave të komuniteteve minoritare në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare;
7. Kuvendi i Kosovës angazhohet që Kosova të integrohet në strukturat Evro-Atlantike, mirëpret angazhimin e tyre të mëtejmë në Kosovë, dhe angazhohet për raporte të mira me vendet fqinje duke kontribuar për stabilitetin e rajonit;
8. Kuvendi i Kosovës garanton tërësinë territoriale të Kosovës dhe pacenueshmërinë e kufijve të saj;
9. Kuvendi i Kosovës konfirmon se vullneti i popullit të Kosovës për Pavarësi është i panegocueshëm;
10. Kuvendi i Kosovës, duke e mbështetur Delegacionin e Kosovës, do të përcjellë gjithë procesin e punës së tij dhe çdo vendim për të ardhmen e Kosovës do të ratifikohet në Kuvend apo nëpërmjet Referendumit. Kjo Rezolutë paraqet bazën juridike dhe politike për platformën e Delegacionit të Kosovës për pavarësinë e Kosovës.

Se sa funksionoi kjo rezolutë si “bazë juridike dhe platformë e Delegacionit të Kosovës”, është temë në vete dhe po e tregojnë rezultatet e këtij farë dialogu, por edhe krahasimi i gjithë tekstit të rezolutës se vitit 2005 me tekstin e mëvonshëm në Deklaratën e Pavarësisë flet mjaft dhe vetëvetiu… Sovraniteti dhe referendumi ishin postullate të saj.
Për liderët tanë egocentrikë dhe për opinionin tonë folklorikë dhe lehtë të mashtrueshëm me avaze të tipit “kush e nisi luftën ma i pari…”, para pyetjes për të vërtetën dhe të pavërtetat, imponohet automatikisht dhe lehtësisht logjika e verbër dhe tejentuziaste e tifozllëkut, krahinarizmit e bajraktarllëkut.
Liderë që gjithnjë e më shume flasin në veten e parë: ” unë, unë, unë …” edhe kanë natyrshëm në qendër të gravitacionit veteveten, interesat e vet… Dhe kjo edhe do të mund të anashkalohej, po të mos ishte një e pavërtetë e dukshme jo pa pasoja aktuale e perspektive. Flasin faktet, flasin dokumentet…

Republika e Kosovës – Republika Kosova – Republic of Kosovo Kuvendi – Skupština – Assembly
Legjislatura III
________________________________________________________________________
TRANSKRIPT
NGA SEANCA PLENARE E JASHTËZAKONSHME SOLEMNE E KUVENDIT TË KOSOVËS ME RASTIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË, TË MBAJTUR MË 17 SHKURT 2008
……….

Ftoj Kryeministrin e Kosovës, zoti Hashim Thaçi, që të paraqesë Propozimdeklaratën e Pavarësisë.
…….

KRYEMINISTRI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI:
I nderuari zoti Kryetar i Kuvendit,
……….
Tani, më lejoni që, duke ndjerë rrahje të zemrës së stërgjyshërve tanë, në veshët tanë, unë me nderin dhe privilegjin më të madh do ta lexoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
(Duartrokitje)
DEKLARATË
PËR PAVARËSINË E KOSOVËS
…….
1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj
DEKLARATE
SHPALLIM KOSOVËN SHTET TË PAVARUR DHE DEMOKRATIK
…….

KRYETARI I KUVENDIT, JAKUP KRASNIQI:
Ju faleminderit, zoti Kryeministër!
Të nderuar deputetë,….
Në sallë janë të pranishëm 109 deputetë.
…….
Kush është “për”? Faleminderit!
Kush është për Deklaratën, të cilën e lexoi Kryeministri i Kosovës? Ju faleminderit!
A ka “kundër”? Nuk ka.
(Duartrokitje)
Konstatoj se me të gjitha votat “për” të deputetëve të pranishëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot, më 17 shkurt 2008, shprehën vullnetin e tyre dhe përmes tyre, edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
(Duartrokitje)
Dhe, nga ky moment, ndërron pozicioni politik i Kosovës, Kosova është: REPUBLIKË, SHTET I PAVARUR, DEMOKRATIK DHE SOVRAN

Është një e vërtete që duket, dihet e njihet që qeveritarët propozojnë ligje e akte tjera, por propozimet bëhen vendime vetëm pasi të votohen e miratohen nga deputetet dhe vetëm pasi të nënshkruhen e shpallen nga Kryetari i Kuvendit, respektivisht edhe nga presidenti i vendit.
Pse po lihet nën hije konstatimi dhe shpallja e vërtetë e saktë e plotë dhe e rregulltë e kryetarit të Kuvendit për paraqitjen e propozimdeklaratës, për shpalljen shtet i pavarur, sovran dhe demokratik?!
Po të ishte vetëm vrap për vetëmburrje e protagonizëm edhe do të mund të injorohej siç edhe është injoruar, po të mos ishte edhe një dallim i madh në dy artikulimet e përmendura të fjalisë: “shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe… “?! Sipas lexuesit të propozim deklaratës: “…të pavarur dhe demokratik”; në tekstin e shkruar në pergamenë është: “…të pavarur dhe sovran”, ndërkaq në tekstin e Kryetarit të Kuvendit: “shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”!!!

Nga teksti i shkruar i Deklaratës së Pavarësisë

“Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës…”

Pse u potencua dhe vazhdon të potencohet deri në bezdi vetëm fjalia e mangët e Kryeministrit: “shtet të pavarur e demokratik…” dhe pse mungoi fjala sovran?!
Po të ishte një lapsus, edhe do të mund të injorohej. Errare, humanum est! Të gabosh është njerëzore…
Nëse ishte lapsus, pse nuk u korrigjua, ose, pse nuk u hesht konstatimi difektuoz, por u hoq dhe u ngulfat varianti i saktë dhe i plotë në tekstin e shkruar dhe në variantin e lexuar të kryetarit të Kuvendit?!
Qeveritarët propozojnë ligje e akte të tjera, por është Kuvendi dhe janë deputetë që votojnë tekstin final, të cilin e shpall të miratuar Kryetari i Kuvendit. Si do të dukej një ministër që lejon të përdoret edhe zyrtarisht titulli, të cilin ai e ka lajthitur?
Dhe përsëri nuk është e tëra. Nuk është një fjalë dosido. Është s o v r a n i t e t i !
Heqja dorë eventualisht, rastësisht ose faktikisht nga sovraniteti, që ndodhi herë – herë më vonë dhe po vazhdon të ndodhë, a ishte vetëm një rastësi e koincidencë, apo paralajmërim i një ngecjeje e degradimi të gjithanshëm me rrezik prapakthimi?
Në kohën kur ulet e hiqet natën, nëpër terr flamuri kombëtar shqiptar, që është i mbrojtur edhe me ligj e me Kushtetutë dhe para të cilit flamur janë betuar mijëra heronj e dëshmorë të të gjithë brezave, të gjitha bindjeve politike dhe të gjitha besimeve fetare dhe në kohën kur anekënd Kosovës valëviten shlirshëm dhe natyrshëm flamuj të vendeve mike prej anekënd botës, ose edhe flamuj nën çizmen e të cilit janë shkelur e masakruar mijëra e mijëra atdhetarë liridashës e paqedashës; në kohën kur drejtori i Qeverisë së Serbisë për “Kosovë e Metohi” sillet e sorollatet nëpër Kosovë si një guvernant i privilegjuar, kur territori i rrudhur i Kosovës kafshohet nga të gjitha anët, kurse me përkrahjen dhe kehtësimin edhe të krerëve të Kosovës… natyrshëm imponohet dhe shtrohet pyetja: E sovraniteti?
Çka po ndodh me sovranitetin e Kosovës?!
Vite më parë, Parlamenti Evropian, pas një debati të ashpër pro et contra, me 490 deputet votoi qëndrimin: “sovraniteti i Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare është zgjidhja më e mirë për Kosovën”.
Kurse njerëzit tanë të zhgënjyer dhe të frustruar presin me të drejtë përgjigje në pyetjen:
Ku mbeti sovraniteti?! Ku treti dhe si treti sovraniteti?

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400