Kujtesa e copëzuar

11:18 / E mërkure, 07 Mars 2018

Shkruan: Sali Bytyçi

 

Nga e shkuara ime në kujtesë më kanë ngelur më shumë fragmente, të madhësive të ndryshme: herë më të mëdha, herë më të vogla, herë vetëm një çast apo një fjali, se tërësi të asaj që kam jetuar. Shkurt, më lehtë e ka ta shkruajë historinë e pellazgëve të lashtë JusufBuxhovi, se unë historinë e jetës sime.

Megjithatë, sot, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, do të kujtoj një ngjarje, sigurisht nga klasa e parë.

Shkolla ku kam filluar mësimet unë, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, ekziston vetëm në kujtesë të atyre që kanë mësuar aty, të cilët janë më të vjetër se unë, ndërsa mua më kujtohet shumë pak, sepse është rrënuar herët. Me sa më kujtohet, atëbotë ishin së paku tri objekte shkollore në të njëjtin oborr, ndërsa mua më kishte rënë fati të mësoja në objektin më të vjetër.

Në një skaj të oborrit, në një ndërtesë njëkatëshe, banonte edhe drejtori me të shoqen e tij dhe fëmijët.

Shkolla mbante me krenari (ndoshta kështu më është dukur mua) emrin e një partizani të cilin e kishte vrarë dikush gjatë Luftës së Dytë Botërore, PekoTepavçeviq, po që kurrë nuk është zbuluar vrasësi i vërtetë i tij, edhe pse një fshatar i Ratkocit, kishte mbajtur burg të gjatë për këtë vrasje, po që në fund kishte dalë i pa faj. Bile thoshin se ky i burgosur pa faj i kishte shkruar letër edhe shokut Tito.

Së paku kështu flitej.

Klasa ku mësoja unë ishte në një godinë dykatëshe të rrëzbitur, në përdhes. Bankat ishin shumë të vjetra, ndërsa shumica prej nesh të veshur keq e të paushqyer si duhet. Mësuesi, një gjakovar shumë serioz, Ibërhan Zeka (më vonë: Dulazeka), po na shpjegonte mësimin e radhës dhe ne ishim të gjithë të përqendruar në mësim. Në klasë dëgjohej vetëm zëri i mësuesit. Kur pushonte së foluri ai, mund të dëgjohej edhe miza. Të gjithë pikëshikimin e kishim në gojën e mësuesit dhe, pothuaj i shihnim fjalët si dilnin nga goja e tij dhe shpërndaheshin tek ne, si një pije e ëmbël, apo si një gjellë e shijshme. Por, në momentin kur mësuesi ndërpreu pjesën e shpjegimit dhe përgatitej për të vazhduar më tutje, një copë dheu u shkëput nga tavani dhe ra në dysheme, ku lëshoi një zhurmë: “buu”! Për një moment të gjithë u ngritëm në këmbë dhe mësymë derën për të dalë jashtë nga frika se po na zinte tavani nën vete…

Edhe mësuesi doli pas nesh.

Jashtë qëndruam derisa zemrat tona të vogla u qetësuan. Shkolla nuk u rrënua dhe ne një nga një u kthyem në klasë…
Nuk e di a e vazhdoi mësimin atë orë mësuesi apo jo, po e di që deri në fund të vitit shkollor mësuam në atë shkollë.
Lidhur me këtë kohë kaq është kujtesa ime reale, ndërkaq kujtesa imagjinare mund te vazhdojë tutje; edhe pse jo sa vëllimet “historike” të JusufBuxhovit, megjithatë sa për një roman do të kishte “material” për ta shkruar.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400