Kur korrupsioni është normë

18:06 / E diell, 18 Shkurt 2018

 

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Mungesa e lojtarëve të shëndosh mendërisht në politikën shqiptare, ka pasur ndikimin e tyre edhe në mungesën e gjykimit të shëndoshë te qytetarët. Kur siguria ligjore është e dobët, është më e lehtë për zyrtarët qeveritarë të pranojnë ose të kërkojnë ryshfet. Prandaj, shpesh mungojnë stimujt nga autoritetet e njëjta për të forcuar sigurinë ligjore dhe statusin e ndryshimit.

***

Korrupsioni politik është abuzimi i pushtetit publik për të arritur përfitime private ose politike. Politikanët shqiptarë e bëjnë këtë politikë si profesion për jetesën luks të tyre, e jo si angazhim vullnetar kombëtar. Sa më shumë që Partia është e fuqishme, aq më pak do të jetë tolerante: aq më e dobët opozita, aq më i fortë despotizmi.

Kjo është një analizë plotësisht racionale. Ne duhet ta bëjmë politikën të kuptueshme për të gjithë. Bëhet fjalë për ajrin që ne marrim frymë, çfarë po ndodh përreth nesh. Çdo ditë.

***

Politika nuk është belbëzimi i sloganeve të lehta, të paqarta dhe palidhura, por hartimi praktik i ligjeve. Parullat sigurisht i përkasin fushatës zgjedhore, por puna praktike dhe përgjegjësia bien në fushën e ministrave të kabinetit qeveritar, sekretarëve dhe këshilltarëve të tyre.

Nëse shqiptarët nuk do të luftojnë 150 për qind për ta luftuar korrupsionin në Shqipëri, Dardani (Kosovë) dhe FYROM, atëherë nuk ka askush tjetër që e bën këtë. Ne duhet me mençuri dhe dashuri, ta marrim një fakt të pashmangshëm në dijeni. Në jetën e përditshme dhe në biznes, kjo është diçka që mësohet më tepër në mënyra pak a shumë të ashpra dhe konsiderohet një lloj çmendurie për të përsëritur saktësisht të njëjtat përpjekje të dështuara përsëri dhe përsëri duke pritur një sukses herën tjetër. Pra, pse politika duhet të jetë një përjashtim? Për shkak se për fat të keq, i jep shumë rrugë hapësirës së shqetësimeve mendore, siç janë ideologjitë dhe ëndrrat utopike.

***

Çfarë është korrupsioni?

Korrupsioni është të japësh ryshfet ose të marrësh ryshfet, në formën e parave, dhuratave ose shërbimeve, në mënyrë që një person në një rol të pushtetit do t’i japë një personi tjetër përfitime përtej rregullave. Në mënyrë joligjore, duke i shkelur rëndë rregullat.

Në trojet shqiptare, korrupsioni është bërë normë, sistematik dhe endemik, i lidhur shumë ngushtë me krimin e organizuar. Është pjesë e jetës së përditshme, ku individët marrin pjesë në korrupsion, bazuar në pritjet e asaj që të tjerët do të bëjnë dhe që “të gjithë” marrin pjesë. Pritjet mund të vijnë nga partia, kolegët e partisë, personeli i shërbimit, klani ose familja.

Mungesa e çiltërsisë (sinqeritetit) dhe transparencës (kontrollit) në administratë si dhe kapaciteti i dobët ose i kufizuar për kontroll si në brendësi të administratës ashtu edhe jashtë Zyrës së Auditorëve, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, ndihmon për të përkeqësuar situatën. Prandaj, korrupsioni në trojet tona ka potencialisht një kosto shumë të lartë. Për shkak të mënyrës se si ajo prek “demokracinë” dhe mungesën e besimit në institucionet që janë të rëndësishme në ndërtimin e shoqërisë shqiptare, kostoja e korrupsionit është shumë më e madhe se shuma e ryshfeteve ose e shpërdorimit (përvetësimit).

***

Format e korrupsionit:

  1. Nepotizmi (favorizimi i padrejtë i të afërmve dhe përjashtimi i tjerëve në shpërndarjen e zyrave dhe pozicioneve të tjera).
  2. Politika kundër burokracisë
  3. Ikja e kapitalit
  4. Strehë e taksave

Ajo që përkufizohet si korrupsion në ligjin e një shteti nuk është gjithmonë e definuar si korrupsion në vendet e tjera. Kjo përfshin lobimin dhe tregtinë e ndikimit.

***

Pasojat e korrupsionit:

  1. Manipulimi i zgjedhjeve
  2. Mungesa e burimeve (fondeve)
  3. Mosndëshkimi (liria nga dënimi)
  4. Shpërngulja (emigrimi) jashtë vendit

Proceset e privatizimit janë zhvilluar në proceset e mbyllura dhe shpesh me (transparencë) njohuri shumë të kufizuara. Politikanët dhe zyrtarët e lartë janë sigurisht çelësi i proceseve të privatizimit. Qasja e hapur në regjistrat e pronësisë ku pronari i vërtetë i një kompanie dihet, mund të ndihmojë në trajtimin jo vetëm të rrezikut politik, por edhe financiar.

***

Ndryshime të domosdoshme për të parandaluar korrupsionin:

Si mund të ndodhin ndryshimet në qëndrimet ndaj korrupsionit duhet të bazohen në kontekstin individual. Nëse korrupsioni është normë dhe i referohet një pritje të ryshfetit si nga donatori ashtu edhe nga marrësi, do të jetë e nevojshme një reagim që nënkupton një përgjigje të koordinuar të përgjithshme nga shoqëria.

Për të kontribuar në një mirëkuptim të përbashkët se kjo nuk i shërben as individit, as shoqërisë në tërësi, kërkon një veprim kolektiv.

Mbështetja për kornizat legjislative dhe rregullatorë, sinqeriteti, pjesëmarrja, forcimi i institucioneve, stërvitja dhe trajnimi është i rëndësishëm. Përveç kësaj, duhet të mbështetet zbatimi aktual dhe përdorimi i këtyre ligjeve dhe reformave.

***

Çfarë mund të bëhet?

Mbështetja për shoqërinë civile, akademinë dhe mediat e pavarura mund të luajë një rol të madh dhe të rëndësishëm. Qasja në njohuri, përvojë dhe ekspertizë për zbatimin e reformave është e nevojshme.

Reformat e zbatuara në mënyrë të dukshme mund të rivendosin besimin e qytetarëve në qeverinë dhe politikanët (por jo në këta kriminelët e këtyre 26 viteve) pavarësisht nëse ka të bëjë me reformat policore ose të lidhura me kushtet për krijimin e kompanive. Hyrje e informacionit te qytetarët për veprimet korruptive dhe keqpërdorimi i fondeve publike nga politikanët dhe nëpunësit publikë janë të domosdoshëm.

Masat që nxisin sinqeritetin (hapjen) dhe mbështesin gazetarët dhe akademikët e mirëfilltë në marrjen e informacionit dhe studimeve të nevojshme (domosdoshme) është një bazë e rëndësishme për të ndihmuar në parandalimin e rizgjedhjes së politikanëve të korruptuar.

Ne që e duam Shqipërinë (gjithë trojet) duhet të zgjohemi dhe reagojmë menjëherë. Përndryshe, apatia e popullit, mosinteresimi  për t`u ngritur dhe kundërvepruar, do të çoj në vdekje Atdheun dhe Kombin tonë.

Të gjitha partitë politike përfundimisht vdesin duke gëlltitur gënjeshtrat e tyre. Pushteti dhe gënjeshtrat shkojnë dorë për dore.

***

Roli i medias:

Mediat e pavarura luajnë një rol të rëndësishëm në të gjitha përdorimet dhe ndarjen e informacionit. Mjerisht, 99% e mediave shqiptare janë të varura, të korruptuara dhe të “udhëhequra” nga shakaxhinj të cilët as emrin e vet nuk dinë ta shkruajnë pa gabime gramatikore. Në një letër të ardhme do t`i emëroj mediat e shakaxhinjve, me apel atdhetar që t`i bojkotoni tërësisht, sepse ato u shërbejnë vetëm armiqve të vendit dhe kombit tonë.

Shteti ligjor:

Një shtet i së drejtës është një shtet me një sistem të zhvilluar dhe të civilizuar të drejtësisë. Këtu, parimet e ligjshmërisë, sigurisë ligjore dhe shpërndarjes së pushtetit janë qendrore, bazuar në parimin themelor demokratik të sovranitetit të popullit.

Legjitimiteti ligjor:

Në mënyrë që sistemi gjyqësor të punojë më mirë, është e domosdoshme që ai të mbajë legjitimitetin e tij ligjor në mesin e qytetarëve të saj. Domethënë, sistemi i drejtësisë duhet të jetë diçka që pranohet dhe respektohet gjerësisht dhe që gëzon besim në popullatën. Vendimet e tyre duhet të perceptohen si të justifikuara dhe gjithmonë duhet të justifikohen në kuptim të rregullave të ligjit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400