Kush afirmon ndarjen e Kosovës?

10:54 / E hëne, 23 Korrik 2018

Si të të bëj që ta duash atë që sot e refuzon? Këtë mund ta mësoni nga afera e fundit rreth ndarjes së Kosovës. Kush ka më së shumti interes ta afirmojë aktin e ndarjes së Kosovës? Kushdo-qoftë – ia doli! Edhe protestat janë në shërbim të këtij promovimi.

 

Mjaftoi refuzimi i ambasadorit Greg Delawie që të flas për elementet e mundshme që do të përbënin marrëveshjen eventuale kosovare-serbe, që të shpërthejë histeria kundër rindarjes, respektivisht tkurrjes së Kosovës. Frika nuk është e paarsyeshme. Ka vite që Serbia përpiqet të bind qeveritë perëndimore se kriza e Kosovës mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet ripozicionimit të kufijve, drejt një finaleje me një shtet serb dhe një shtet shqiptar – Republikën e Shqipërisë.

Zyrtarisht asnjë shtet perëndimor deri më tani nuk e ka trajtuar këtë opsion, kështu duke mbetur në qëndrimin e njohur të tyre se nuk ka ndërrim kufijsh.

Nëse Greg Delawie nuk e tha se ndarja është opsion – refuzoi të flasë për çdo opsion – dhe pastaj e përgënjeshtroi si „fake“; nëse kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha „ndarja do të thotë luftë“; nëse asnjë shtet perëndimor deri sot nuk ka pranuar „ofertat“ serbe rreth zgjidhjes së krizës as zyrtarisht e as tërthorazi, atëherë çdo analizë objektive rreth situatës sabotohet nga pyetja aktualisht me shumë përgjigje formëspekulimi e hamendësime: kush ishte aq i interesuar që të diskutohet e promovohet ky opsion dhe atë pikërisht nga brenda, nga viktima e mundshme, nga Kosova?

Ka një seri faktorësh që mund t’i spekulonim si akterë potentë:

1.       Qeveria serbe ia doli duke shfrytëzuar papërcaktimin e Delawie të ndez histerinë në favor të promovimit të opsionit.

2.      Histerizimi ndodhi padashje dhe vetëm nga motive të grindjeve të brendshme politike ndërmjet partive e kastave të ndryshme medialo-politike, të cilat si rëndom ushqehen më shumë nga „pallavra“ diplomatësh të frustruar klubeve të Prishtinës se sa nga analiza pak më të thella.

3.      Qeveria kosovare, në bashkëveprim me atë të Shqipërisë ose me një grup të caktuar primatësh janë marrë vesh me serbet që të japin veriun për një ulëse në OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare dhe shfrytëzuan „lëshimin“ e Delawie për ta nisur procesin e përgatitjes mentale të masave për ndarjen e „dhimbshme“ që pason.

SPEKULIMI I PARË

Cili nga këta akterë ishte në veprim ditëve të fundit. 1, 2, 3 apo gjithë bashkë, ku secili bënë lojën sipas kapaciteteve dhe kompetencave të veta. Përveç kryeministrit të vendit, i cili tha se „ndarja donë të thotë luftë“ tjerët si duket janë shumë herë më të qartë se Delawie. Pse? Deklaratën e prerë të Haradinajt, burime nga Prishtina e konsiderojnë efekt naiviteti dhe shkyçjeje nga procesi. Ky interpretim del i mundshëm kur kemi parasysh ca momente që shkojnë në favor të pikës së tretë, asaj që thotë se qeveria kosovare ka më së shumti interes për promovim të “ndarjes“ si opsion: Para disa ditësh ministri i jashtëm Bexhet Pacolli kur u pyet se për ç’kompromisesh është e gatshme Kosova dhe se a mund të ketë ndarje, ai tha se s’dinë gjë, s’mund të thotë saktësisht se si do të jetë marrëveshja finale. Kujdes: u pyet a do të ketë ndarje! Dhe ai tha s’dinë asgjë – nënteksti i së cilës deklaratë, përkthyer politikisht, donë të thotë: ata duan por ne jemi duke u menduar se si t’ia bëjmë. Presidenti kosovar që përndryshe aq shpejtë reagon në facebook duke sqaruar shkurt e shpejtë në „mbrojtje të atdheut“, duke urdhëruar madje policinë të arrestojë njerëz kur ia shkelin kufirin e shtetit të „shenjtë“, kësaj radhe veçse nuk ia krisi vajit kur flet se marrëveshja do jetë e dhimbshme, ngase Vuçiç i paska thënë „Kosova të jetë zemra e Serbisë“. Me të drejtë analistë të ndryshëm e perceptojnë këtë qëndrim si fyerje të inteligjencës së opinionit. Ata pasi nuk janë vërtet aq idiotë pyesin se: nëmos ndonjëherë Vuçiç dhe varësit e tij paskan folur ndryshe? Pse të jetë dëshpëruar aq keq një president me një refren aq banal, brutal e redundant të retorikës së një shteti që asnjëherë në qenien e tij nuk diti të flas ndryshe?

Sjella e Thaçit, duke pasur parasysh këto elemente të analizimit lartë vërtet assesi nuk mund të kualifikohet si zhgënjim real. Sjellja patjetër se duket aktrim për të përgatitur masat me floskën që nis kështu: „ça me bë, nuk rrëzohet murri me kokë“ e për të përfunduar në fund në arrogancën e pritur „ku merrni vesh ju tjerët, ne fitojmë shumë më shumë me këtë zgjidhje“!

Në këtë rast i vetmi është Haradinaj që nuk i është besuar pjesëmarrje në strategji. Ose e di por është marrë vesh që të luajë qëllimisht rolin e naivit.

SPEKULIMI I DYTË

Qeveria serbe parallogarit shumëçka. Domethënien e fjalës kompromis siç e do Serbia e dimë. Opinioni atje nuk ka asgjë kundër ndarjes – do të ishte maksimumi i fitimit dhe sukses marramendës për shtetin në këto pozita. Këtë e di Vuçiç. Ky mirëpo ka mësuar diçka nga lufta e fundit: Dy elementet kryesore që sollën në vendimin definitiv të NATO-s, kupto amerikanëve, për intervenim ishin: 1. Gjenocidi në zhvillim e sipër dhe 2. Vendosmëria e njerëzve në terren për tu ndarë me çdo kusht vdekur a gjallë nga Serbia, disponime këto që i raportonin në qendrat e tyre Holbrooke, Shea, Walker dhe plotë tjerë. Nëse kjo e dyta do të mungonte do të stopohej lufta, do hyhej në një armëpushim për një konferencë rreth statusit të Kosovës brenda Serbisë – nës tilin siç u provua me Rambujenë. Vuçiç është i bindur se ndarja mund të ndodhë e të përkrahet nga perëndimorët vetëm atëherë kur kosovarët – qeveria e tyre me një masë relevante – do të pranonin këtë si opsion për tu „pajtuar“ e arritur „marrëveshjen“ historike e ndryshe assesi, ngase Kosova tashmë është shtet i njohur nga aq shumë shtete në këto kufij që ka.

Që qeveria serbe shpesh ia del të lansojë promovime të opsioneve të veta në këtë mënyrë si kjo tash është parë dhjetëra herë. Kësaj radhe mirëpo, nëse qëndron ky spekulim atëherë edhe pandehja e disa njerëzve të afërt me AAK se gjoja të dinë se me kë vepron Serbia – përveç me listën serbe – në zierjen e opinionit kosovar në favor të saj kësaj radhe qenka vetëdenoncuar më shumë se kurrë më parë.

KONSTATIME

Përtej këtyre spekulimeve, indikacionet megjithatë thonë diçka shumë konkrete: Ëma e opsionit është Serbia, ndërsa në ekzekutim e sipër të saj qenkan të angazhuara institucione legale të shtetit bashkë me mediat bashkëvepruese ose të vëna në kurth ose në shërbim nga dy akterët në fjalë. Edhe protestat „kundër“ janë në favor të këtij promovimi, ngase sot nuk bëhet fjalë se do të nënshkruhet ndarja apo jo, por kërkohet afirmimi sa më intensiv i idesë së ndarjes. Për shtete, kultura, kombe që kufizohen me popujt e vetë përreth, ky nuk mund të quhet zhvillim progresiv por regresiv, nuk mund të shihet si dikurs me mend por autogolik. Një “kauzë” që thirr për dhënien edhe të më shumë më tokave, ujërave e maleve edhe pse gjysma e kulturosferës është jashtë s’ka se si mos të jetë e huaj. Ishte iluzion bindja se më në fund bota riparon gabimet e saja historike ndaj shqiptarëve. Jo se bota vërtet nuk iu nis e s’pati vullnet për një proces të tillë, porse shqiptarët vetë nuk e pranuan ofertën, mundësinë. Politikat shqiptare kërkojnë njerëz që dinë e jo vetëm njerëz që duan.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400