Lamtumirë, Claude Lenzmann!

17:17 / E premte, 06 Korrik 2018

Mbetet të bëhet ajo që mund të bëhet, atë që e ka bërë Fondi i të Drejtës Humanitare dhe Shoqëria Civile në Gjakovë. Shumica e kryesve të krimeve edhe mund të shpëtojnë pa u dënuar, por e vërteta për krimet e tyre do të dalë në dritë.

 

Dje ka vdekur Claude Lenzmann, regjisor dhe skenarist francez, i njohur mbi të gjitha për dokumentarin e tij, ‘Shoah’. Dokumentari monumental përmban nëntë orë e gjysmë material. Është xhiruar në Poloni, në vendin ku qe realizuar gjenocidi nazist ndaj hebrenjve. Në të janë intervistuar të mbijetuar të kampeve të përqendrimit, anëtarë të Sonderkommando-s, ish-SS dhe banorë lokalë. Është një kryevepër. Një burim i pashtershëm referimi për të gjithë ata që merren (nga çfarëdo pikëvështrimi qoftë) me Holokaustin.

***

Këto ditë, përfaqësues të Shoqërisë Civile kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dëshmi të mbledhura (të cilat do të përbënin rreth 150 kallëzime penale) për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999, posaçërisht në Gjakovë. Kjo nuk ka ndodhur në vendet e tjera të Kosovës dhe nuk dihet nëse do të ndodhë ndonjë ditë. Në të njëjtën mënyrë, nuk dihet nëse dëshmitë do të bëjnë që kryesit e krimeve të përfundojnë vërtet të dënuar. Në Kosovë, për tërë këto vite pas luftës, shumë procese gjyqësore ndaj kryesve të dyshuar të krimeve kanë dështuar pikërisht në mungesë të dëshmive të mjaftueshme dhe të besueshme.

***

Dokumentari ‘Shoah’ është realizuar më 2005. Natyrisht, nuk kishte qëllim kallëzimin penal ndaj kujtdoqoftë. Qëllimi i tij ishte dokumentimi filmik i një gjenocidi. Rrëfime, dëshmi, kujtime. Në Kosovë, një punë të ngjashme të paçmueshme, me shkrim, e ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare, i drejtuar në vend nga Bekim Blakaj. Mirëpo, ka një fshirje pothuajse totale të kujtesës materiale. Duke kaluar anekënd Kosovës, nuk gjen as edhe një gjurmë të vetme të djegies së vendbanimeve të tëra. Shtëpive, pronave, të njerëzve të rëndomtë, viktimave të vërteta dhe të harruara të krimeve të përbindshme.

***

Një karakteristikë e dokumentarit të Lenzamann-it, siç e përmendem, është intervistimi edhe i, thënë me një fjalë të vetme, xhelatëve. Një gjë të tillë e kanë bërë, ndër të tjerë, edhe dy dokumentarë të jashtëzakonshëm, ‘The act of killing’, i Joshua Oppenheimer dhe ‘S-21: the Khmer Rouge Killing Machine’, i Rithy Panh, me protagonist piktorin e mbijetuar të gjenocidit kamboxhian, Vann Nath-in. Sigurisht, që dikush t’i intervistojë xhelatët serbë apo shqiptarë dhe ata t’i rrëfejnë troç krimet e tyre, para kamerës, duhet vullneti i këtyre të fundit dhe, natyrisht, disa rrethana të tjera. Fatkeqësisht, atë rrëfim shpesh nuk ua nxjerr dot as Gjykata e Hagës.

***

Mbetet, pra, të bëhet ajo që mund të bëhet, atë që e ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Shoqëria Civile në Gjakovë. Shumica e kryesve të krimeve edhe mund të shpëtojnë pa u dënuar, por e vërteta për krimet e tyre do të dalë në dritë.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400