Mbi botën arabe-myslimane, marksizmin, Izraelin, Kosovën dhe shtetësinë e saj

10:47 / E hëne, 02 Janar 2017

 

Shkruan: Mentor Tahiri

1. Shtetet e sotme ku dominojnë demografikisht arabët dhe myslimanët, janë të ndara në kuadër të çarjes së madhe gjeopolitike që po mbretëron në sistemin ndërkombëtarë, e i cili në vija të trasha po thellon gjithnjë e më shumë kufirin ndarës ndërmjet shteteve aleatë të SHBA-ve dhe shteteve të cilat janë kundër SHBA-ve. Kosova është njohur nga disa prej shteteve kyçe myslimane si Arabia Saudite dhe Malajzia i cili është shteti më i populluar më shumicë myslimane në botë. Në këtë kontekst duhet trajtuar disa qasje që qeveri të caktuara kanë kundër shtetësisë së Kosovës. Në mënyrë të dyshimtë shtetin e Kosovës e shohin si një “shpikje” amerikane dhe krejtësisht mungon një trajtim më i thellë për Kosovën. Gjithashtu nuk duhet harruar se nuk mund të bëhet shumë fjalë për ndonjë solidaritet ndër-mysliman, shumë nga këto qeveri janë sekulare dhe nuk janë të prira që politikat e tyre t’i konceptojnë në kuadër të një solidariteti të tillë. Madje në rastin e Indonezisë është pikërisht partia opozitare kryesore e profilit religjioz e cila ka protestuar ndaj qeverisë sekulariste për shkak të mosnjohjes së Kosovës. Në anën tjetër qeveria në Xhakarta përveç rreshtimit të saj politik që ndikon në mosnjohjen e Kosovës, ka frikë të vazhdueshme nga kërkesa që rajone në Indonezi kanë tendencë të kërkojnë pavarësimin e tyre. Në Evropë ka një rast të ngjashëm kur bëhet fjalë për qeverinë spanjolle, e cila frikësohet se Kosova e pavarur inkurajon aspiratat pro-pavarësisë ndër katalonë dhe baskë.

2. Shtetet me shumicë të popullsisë myslimane i kanë takuar kryesisht taborit të “Vendeve të painkuadruara”, një organizëm ky ku Jugosllavia e dikurshme krahas me Egjiptin dhe Indinë, kishte rolin kyç. Kjo edhe sot ndikon që raportet me Beogradin të shihen me dozën e nostalgjisë nga ato vite. Por ka këtu gjithashtu hapësirë për kritikë, duhet pranuar se në aspektin diplomatik në relacion me këto shtete Beogradi zyrtar ishte shumë më aktiv, kurse qasja e Prishtinës zyrtare ka qenë shumë kompleksive dhe jo shumë e qartë. Ky qëndrim i Prishtinës është pjesërisht i kuptueshëm dhe vjen si rezultat gjithashtu i mosnjohjes së këtyre shteteve nga perspektiva kosovare.

3. Shqiptarët janë sot shumë qartë të përcaktuar në kuadër të botës perëndimore, lidhur me këtë tani nuk ka mëdyshje politike-ideologjike apo edhe tjera. Vetë, pavarësimi i Kosovës po trajtohet në botë pikërisht përmes prizmit gjeo-politik. Nuk duhet lënë anash rreshtimet ideologjike të qeverive të caktuara. Në vetë Amerikën Latine, ka tre kategori shtetesh: pro-amerikane, marksiste anti-amerikane dhe vende si Brazili apo Argjentina të cilat po tentojnë të mbajnë një kurs neutral në kuadër të ndarjes perëndim-lindje. Deri tani Shteti i Kosovës është njohur vetëm nga ato shtete të cilat kanë qëndrim pro-amerikan. Prania ideologjike marksiste në Amerikën e mesme dhe atë jugore, e bën këtë pjesë të globit shumë të përçarë, kurse vazhdon të ketë një lloj pranie ruse. Madje si rezultat i relacioneve që kanë me Rusinë, shtete si Nikaragua kanë njohur pavarësinë e territoreve të okupuara gjeorgjianë të Abhazisë dhe Osetisë Jugore. Pikërisht përmes promovimit të shtetësisë të këtyre rajoneve, Rusia po përpiqet të kundër-balancojë perëndimin, gjë që paraqet një pikë shumë kritike ku kërkohet vëmendje nga bartësit e Politikës së Jashtme të Kosovës.

4. Ka vetëm një arsye përse Izraeli ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, dhe ky është problemi palestinez. Sa i përket raporteve diplomatike të Izraelit me Beogradin, ato nuk janë asgjë më të shpeshtuara se me Tiranën apo edhe me shtetet tjera mike të Kosovës, në këtë drejtim nuk duhet të ketë shqetësim. Por vetë Izraeli gjendet në një pozitë shumë jokonvencionale ngase aktualisht ka një valë të re të shteteve të cilat njohën Shtetin e Palestinës. Nga aspekti praktik diplomatik, njohja e Kosovës nga Jerusalemi zyrtar do t’i shkaktonte këtij të fundit probleme të mëdha në raport me qëndrimin për të ardhmen e Bregut Perëndimorë dhe Rripit të Gazës. Kjo megjithatë nuk do të thotë që Prishtina zyrtare të jetë e heshtur sa i përket aktivitetit të saj diplomatik dhe gjetjes së formave të ndryshme të bashkëpunimit kur dihet ndikimi i lobit izraelito-hebrej nëpër botë.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400