Mbi hapjen e negociatave: Porta e hapur deri ne minutat e fundit

09:37 / E enjte, 14 Qershor 2018

Fundi i qershorit 2018 po afron. E bashkë me të do mbyllet edhe dilema e madhe rreth mundesisë se hapjes se negociatave per antarësim midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe BE. Tensionet e brëndshme politike kane krijuar temperatura të larta, krahas atyre të motit në këtë fillim vere.

Janë dy shtetet që lëngojnë në pritshmëri: Maqedonia dhe Shqipëria. E para, Maqedonia duket si kapërceu sfidat kryesore përballë hapjes së negociatave. Sfida e parë ishte ajo e debatit me Greqinë për emrin. Ditët e fundit të palët iu afruan një zgjjdhje kompromisi. Emri i ri i Maqedonisë do jetë një kompozim gjeografiko-etnik, ‘Republika e Maqedonisë Veriore’, i cili duket se i ka kënaqur mjaftueshëm të dy palët. Lidhur me sfidën e dytë, atë të luftës kundër korrupsionit, Maqedonia, gjithashtu, e hodhi një hap konkret dhe të besueshëm, dënoi me dy vite burg ish kryeministrin Nikola Gruevskin dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë, të epitetuar si ‘peshq të mëdhenj’. Kështu që dritat jeshile për shtetin tone fqinj të Lindjes duket se janë hapë.

Shqipëria, gjithashtu, është në makthin e pritjes së fund-qershorit. Mazhoranca dhe opozita kanë mprehur maksimalisht luftën politike, duke u pozicionuar si gjithnjë bardh e zi midis tyre edhe në qasjen ndaj mundësisë së hapjes se negociatave. Palët janë polaziruar me anatemimin ekstrem: pro dhe kundra BE. Për atë që nuk e njeh historinë e tranzicionit shqiptar krijohet përshtypja se shoqëria shqiptare është e ndarë në evropianise dhe euroskeptike. A thua se jemi në Ukrainë, ku kemi një shoqëri të ndarë pro ruse e pro Evropiane. Në të vërtete shoqëria shqiptare është tërësisht pro evropiane. Pro Evropiane është edhe politika në tërësi, sepse ka investuar prej më shumë se dy dekadash në procesin e integrimit Euro-Atlantik dhe Evropian. Athere cfarë ndodh, përse ky polarizim i skajshmë në këto momente?
Polarizimi politik në Shqipëri lidhur me hapjen e negociatave për antarësim me BE nuk ka të bëjë aspak me qasjen pro apo kundra evropiane. Ky polarizim është politikisht i motivuar. Palët politike ndjehen të dyja të pasigurta. Si të tilla ato përgatiten për të dy opsionet, duke synuar marrjen e meritave, nëse negociatat hapen, ose fajësimin e palës kundërshtare, nëse negociatat nuk hapen. Varësisht nga ky proces palët shohin jetëgjatësine e qeverisë apo zgjedhjet e parakohëshme. Kjo është drtitëshkurtësi politike.
Por ka edhe një arsye tjetër. Për këtë arsye të dytë na ndihmon një krahasim, ndonëse cdo krahasim calon. Kur prindërit i vendosin gjërat e mira në një lartësi në shtëpi që të mos i arrijnë fëmijët, këtyre të fundit nuk u ngelet tjetër gjë vetëm të zihen me njëri-tjetrin. Është një zënie dëshpërimi, ngaqë nuk janë të aftë të arrijnë atë që dëshirojnë sepse lartësitë e prindërve janë të parritshme, ose më saktë fëmijët vec e vec dhe për një kohë të shkurtër nuk i arrijnë dot. Në këto rrethana për fëmijët do kishte vetëm një zgjidhje: njëri të hipte mbi tjetrin dhe të merrte gjërat e mira që më pas do t’i shijonin të dy bashkë. Por kjo zgjidhje kërkon mëndje, vullnet dhe dëshirë të rriturish, përtej fëmijëve. Krahasimi nuk don komente të mëtejshme.
Palët e politikës shqiptare, të dyja kontributore, por edhe përgjegjëse në integrim, aktualisht po zihen sepse detyrat e ‘prindërve evropiane’ janë shumë lart për t’i arritur vec e vec dhe për një kohë të shkurtër. Do të duhet të ‘hipin’ mbi njëri-tjetrin si në katet e një ndërtete që t’i arrijnë. Por kush do hipi lart e kush do qëndrojë poshtë!? Palët nuk e zgjidhin dot. Kjo është foshnjëri politike.
Të dy palët e politikës shqiptare po demonstrojnë dritëshkurtësi dhe papjekuri lidhur me momentin që po kalon vëndi. Mazhoranca ka shumë cfarë të reflektojë e mbi këtë refleksion edhe të veprojë. Momenti kërkon më shumë veprim konkret e të besueshëm dhe më pak lojë propogansitike e përqapje diplomatike. Realiteti dhe veprimet flasin në këto momente. Faktet bindin. Jo propoganda e as diplomacia. Për kohën që ka mbetur nuk mund të përmbushem punë të mëdha. Por mund të ndërmerren veprime të caktuara me ndikime të mëdha. Edhe qëndrimet e evropianëve, në Bruksel dhe në shtetet antare për këto arsye po bëhen përherë e më të drejtpërdrejta, pra më pak diplomatike. Janë zhveshur nga ambiguitetet, që të mos i lënë asnjë shteg intepretimin politik ‘ala shqiptar’. Ata po kërkojnë veprime konkrete dhe ato që mund të bëhet për kohën që ka mbetur deri në fund të qershorit 2018. Asgjë më shumë.

Edhe opozita ka shumë cfarë të reflektojë dhe mbi bazën e reflektimeve të pozicionohet më qartësisht në rrafshin e brëndshëm edhe në atë Evropian, duke mos përdorur të njëjtat sjellje e veprime njësoj në të dy rrafshet. Pra, e thënë ndryshe opozita sfidat e brëndshme nuk duhet t’i kërkojë që t’i zgjidhë përmes mjedisit dhe faktorëve Evropianë dhe as duke shfytëzuar momentin. Opozita duhet të heqë cfarëdo lloj dyshimi së është gati të sakrifikojë hapjen e negociatave vetëm për arrivizëm politik. Këtë nevojitet ta qartësojë mirë për mjedisin e brëndshëm dhe atë ndërkombëtar. Ta qartësojë me deklarimet, me qëndrimet dhe me veprimet e saj. Deri tani opozita është mjaft konfuze në këtë aspekt. Gjithashtu, opozita lypet të jetë më e qartë në vizionin afatgjatë. Ajo lypet t’i bëjë pyetjen vetes: A është më mirë për Shqipërinë si dhe për atë vetë të hapen negociatat? Si mund të gjëndet një zgjidhje që të fitojë Shqipëria, por të mos abuzojë mazhoranca dhe as të mos humbë opozita? A duhet kërkuar kjo ‘zgjidhje e artë’ në bllokimin e nogociatave apo në mënyrën e hapjes së negociatave? Mendoj se nuk duhet kurrësesi të kërkohet bllokimi negociatave, por nga opozita të insistohet në mënyrën e hapjes së tyre. Konkretisht, të kemi hapje negociatash të pa kushtëzuara apo shumë të kushtëzuara? Nëse do na duheshin negociata të kushtëzuara, cfarë kushtesh i duhen vënë Shqipërisë për hapjen e negociatave? Këto pyetje presin përgjigje nga opozita dhe jo nga mazhoranca. Edhe në këto aspekte opozita duhet të qartësojë qëndrimet e saj. Koha po ikën.
Bashkimi Evropian si organizatë e ka dhënë mendimin e vet dhe po e mbron atë. Ky mendim është bazuar në vlerësimin e brëndshëm si dhe në rrethanat gjeopolitike të Rajonit. Shtetet anëtare janë të dyzuara, por ende jo qartësisht të vendosura. Kjo gjëndje dilematike e disa shteteve anëtare nuk duhet lexuar si prerje shpresash për Shqipërinë, por si dhënie hapsire kohore për veprime konkrete dhe bindëse që Shqipëria mund dhe duhet të ndërmarrë. Last minutes solution! Kjo është zgjidhja që pritet. Porta e hapjes së negociatave është e hapur deri në minutat e fundit. Nëse nuk futemi dot, ajo portë jo vetëm do mbyllet, por do të na pëplaset në fytyrë, dhimbjen e së cilës do ta vuajë shumë Shqipëria dhe shqiptarët.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400